Takimi i parë virtual Biden-Xi mund të jetë gjatë samitit të klimës në prill

Bota

Takimi i parë virtual Biden-Xi mund të jetë gjatë samitit të klimës në prill

Më: 17 mars 2021 Në ora: 16:24
Xi Jinping

Takimi i parë virtual mes Presidentit Joe Biden dhe homologut kinez Xi Jinping mund të zhvillohet me 22 prill, ndërsa zoti Biden drejton “Takimin e Udhëheqësve Globalë për Klimën” në Uashington me rastin e Ditës së Tokës.

Takimi ka për qëllim mbledhjen e udhëheqësve botërorë për të diskutuar ndryshimet klimatike, që zoti Biden i ka cilësuar si “një element thelbësor të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara dhe sigurisë kombëtare.”

Të martën, një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha se, “ne do të bashkëpunojmë me Kinën, aty ku kemi interesa për ta bërë këtë”.

Zyrtarët amerikanë thonë se Kina, shteti me emetimin më të madh të dioksidit të karbonit në botë, duhet të rrisë përpjekjet e saj për të pakësuar çlirimin e karbonit në atmosferë. Kina emeton 30% të ndotjeve në botë dhe ka njoftuar synimin e saj për eleminuar ndotjet nga dioksidi i karbonit para vitit 2060. Shtetet e Bashkuara zënë vendin e dytë, duke kontribuar rreth 15% të ndotjeve në botë dhe kanë njoftuar objektivin për të ulur në zero ndotjet nga karboni jo më vonë se viti 2050.

Takimi i parë i nivelit të lartë mes zyrtarëve amerikanë dhe kinezë pritet të zhvillohet të enjten në Ankorazh të shtetit Alaska. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë Jake Sullivan do të takohen me Ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi dhe kryediplomatin Yang Jiechi.

Takimi me homologët kinezë i Sekretarit të Shtetit dhe Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, dërgon një mesazh të qartë se “kjo administratë është e unifikuar dhe e koordinuar, kur bëhet fjalë për politikën ndaj Kinës”, tha zyrtari i lartë i administratës gjatë një bisede telefonike me gazetarët, ndërsa shtoi se Shtetet e Bashkuara kanë “vënë re fakte historike të Kinës në të kaluarën që është përpjekur të luajë favore brenda një administrate.”

Takimi i Alaskës është i “vetëm” dhe jo rifillimi i një mekanizmi të veçantë dialogu dhe nuk do të ketë një dekleratë të përbashkët për shtypin, shtoi zyrtari.

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë në pikën më të ulët në dhjetëra vite, si rezultat i përplasjeve mbi politikat tregtare, teknologjinë 5G, të drejtat e njeriut dhe sigurinë rajonale.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se Uashingtoni do t’i ngrejë këto çështjet në bisedime me Kinën, si dhe çështjen e trajtimit të ujgurëve, Hong Kongun, shantazhin ekonomik që Kina bën ndaj aleatëve dhe partnerëve amerikanë si dhe aktivitetet gjithnjë e më agresive të Kinës përgjatë ngushticës së Tajvanit”.

Shqetësimet rreth programit bërthamor të Koresë së Veriut po ashtu do të zënë një vend të rëndësishëm në axhendën e takimit, pasi kreu i Komandës Veriore të ushtrisë amerikane, Gjenerali Glen VanHerck paralajmëroi të martën se Koreja e Veriut mund të fillojë testimin e një rakete balistike ndërkontinentale të “përmirësuar” në një të ardhme të afërt.

Sipas vlerësimeve të fundit, Koreja e Veriut zotëron rreth 15-60 mbushje bërthamore. Ky vend po ashtu zotëron disa modele raketash balistike, përfshi disa që janë të afta të godasin kudo në Shtetet e Bashkuara.

Administrata e Presidentit Biden pritet të shpalosë në javët e ardhmshme politikën e saj ndaj Koresë së Veriut, pasi kryediplomati Blinken dhe Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin të përfundojnë turneun e tyre të parë jashtë vendit, në Azi.

Zyrtarët amerikanë po shqyrtojnë mundësinë për të punuar me Kinën lidhur me çështjen e çnuklearizimit të Koresë së Veriut.

“Gjatë këtij procesi rishikimi, ne do të vazhdojmë të angazhohemi me aleatët tanë japonezë dhe jugkoreanë për të marrë mendimet e tyre si dhe për të studiuar qasje të reja. I kemi dëgjuar me kujdes idetë e tyre, përfshi konsultimet trepalëshe”, i tha Zërit të Amerikës këtë javë zyrtarja e Departamentit të Shtetit Jalina Porter.

Ajo shtoi se “rishikimi i plotë ndërinstitucional” do të përfshijë “vlerësimin e të gjitha alternativave” për të trajtur kërcënimet në rritje të Koresë së Veriut ndaj fqinjëve të saj dhe komunitetit ndërkombëtar.

Presidenti Biden e ka quajtur “bandit” udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, duke thënë se një takim me të mund të zhvillohet vetëm “me kusht” që Kim të pajtohet në “zvogëlimin e kapacitetit të tij bërthamor”. Sekretari Blinken ka përmendur edhe mundësinë e shtimit të sanksioneve të Uashingtonit ndaj Phenianit.

Në një deklaratë të publikuar këtë javë, motra e udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Yo Jong, paralajmëroi administratën Biden “të mos acarojë situatën” nëse dëshiron paqe. Deklarata erdhi ndërsa trupat jugkoreane dhe amerikane filluan një manovër të përbashkët pranverore javën e kaluar dhe para se Sekretari i Shtetit dhe Sekretari i Mbrojtjes të arrinin në Seul për bisedime.

“Nuk është çudi që Koreja e Veriut nuk tregon asnjë interes për bisedimet bërthamore”, tha për Zërin e Amerikës analisti Robert Manning me Këshillin e Atlantikut. Ai shtoi, “Kim Jong Un është zhytur në krizën e tij të brendshme më të thellë” përfshi përmbytjet shkatërrimtare, si dhe pandeminë e koronavirusit, që ka bërë që vendi të mbyllë kufijtë e tij prej më shumë se një viti.

Victor Cha, analist i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me seli në Uashington, tha gjatë një konference shtypi përmes telefonit se ai besonte se zoti Blinken do të rindërtonte procesin e takimeve trepalëshe dhe “bashkëpunimin trepalësh mes tre aleatëve kryesorë në Azi” për të trajtuar kërcënimet e vazhdueshme nga Koreja e Veriut.

Analistë të tjerë, përfshi Drew Thomson, ish-zyrtar amerikan i mbrojtjes dhe tani bashkëpunëtor i lartë kërkimor në Shkollën e Politikës Publike Lee Kuan Yew në Universitetin Kombëtar të Singaporit, thonë se duket se është kohë e papërshtatshme për të filluar bisedimet gjashtë-palëshe.

“Koreja e Veriut nuk ka reaguar, nuk është serioze lidhur me çnuklearizimin apo madje kthimin tek angazhimi i saj i vitit 2005 për të braktisur programin bërthamor. Kështu që nëse pesë shtetet e tjera nuk janë të bashkuara në angazhimin e tyre që Koreja e Veriut të heqë dorë nga programet e saj, nuk ka gjasa që të ketë përparim.”/VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat