Koleksioni i fotografive Marubi drejt UNESCO-s

Bota

Koleksioni i fotografive Marubi drejt UNESCO-s

Më: 18 mars 2021 Në ora: 20:13
Koleksioni i fotografive Marubi drejt UNESCO-s

Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi u zhvillua të enjten ceremonia e përfundimit të përgatitjes së dosjes së koleksionit “Marubi” që do të paraqitet në UNESCO, si një pasuri botërore.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, tha se shumë shpejt do të dërgohen në UNESCO edhe dosjet e xhubletes dhe Valles së Tropojës, si pasuri të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Pas një pune dy vjeçare hulumtuese shkencore, Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi në Shkodër dhe Ministria e Kulturës, përfunduan hartimin e dosjes që do dërgohet në UNESCO për shpalljen e koleksionit Marubi si një pasuri botërore. Në një ceremoni, ku ishte e pranishme edhe Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, drejtori i muzeut Luçian Bedeni, tha se në hartimin e kësaj dosje kanë ndihmuar jo vetëm ekspertët vendas, por edhe të huaj, që kanë vizituar Muzeun Marubi.

“Kemi plotësuar dosjen, e cila ka për qëllim kryesor ruajtjen në përjetësi të kësaj arkive. Tashmë i kalon UNESCO-s kjo trashëgimi, e cila nuk është vetëm e shqiptarëve, por është një trashëgimi shumë e rëndësishme e kulturës europiane”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, tha se koleksioni i fotografive Marubi është një tjetër element kombëtar krenarie dhe identiteti kulturor që duhet të përfshihet në UNESCO si pasuri jo vetën e shqiptarëve.

“Për mendimin tonë duhet të zërë një vend të veçantë në memorien e të gjithë botës. Këto janë praktika, të cilave ne ndoshta i qasemi paksa me vonesë”.

Shqipëria, si një vend i dalë nga një periudhë e gjatë izolimi në komunizëm, po tërheq gjithnjë e më shumë vemendjen e studiuesve për vlerat e trashëgimisë kulturore, shpesh herë unikale. Ministrja e Kulturës, zonja Margariti, tha se stafet e ekspertëve po punojnë edhe për plotësimin e dosjeve të tjera për elementë të veçantë të trashëgimisë kulturore, për t’i paraqitur sa më shpejt edhe ato në UNESCO.

“Edhe rasti i përgatitjeve të dosjeve të xhubletës ose të kërcimit të Tropojës, për të cilat komunitetet na kishin shtrirë kërkesën, por tashti kemi gjetur mundësinë dhe donator mbështetës si Fondi Amerikan për Zhvillim, i cili, mund të themi, ka krijuar një habitat edhe më të zhdërvjellët për zhvillimin e këtyre dosjeve”.

Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi, i hapur në vitin 2016, përmban më shumë se 500 mijë imazhe, ku pjesa më e rëndësishme përbëhet nga koleksioni i fotografëve të familjes Marubi. Janë imazhe origjinale, të hedhura në xhama dhe që datojnë nga viti 1858, kur besohet se u shkrep edhe fotografia e parë në Shqipëri./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat