VOA: Vazhdojnë përpjekjet për zhbllokimin e Suezit, anija nis të zhvendoset

Bota

VOA: Vazhdojnë përpjekjet për zhbllokimin e Suezit, anija nis të zhvendoset

Më: 29 mars 2021 Në ora: 15:09
Anija Ever Given

Një anije e madhe mallrash që ka bllokuar Kanalin e Suezit të Egjiptit prej gati një jave ka nisur të zhvendoset pjesërisht, duke shtuar shpresat se kjo rrugë ujore do të rihapet së shpejti për anijet e shumta që presin në radhë për të kalur pëprmes kanalit.

Autoriteti i Kanalit të Suezit tha të hënën se anija pothuajse ishte drejtuar përgjatë bregut lindor të kanalit, por përpjekjet për tërheqjen e anijes vazhdojnë.

Anija Ever Given me gjatësi 400 metra u bllokua diagonalisht të martën e kaluar në pjesën jugore të kanalit në kushtet e erërave të forta, duke penguar trafikun në kanal.

Pas gërmimit gjatë fundjavës, ekipet e shpëtimit u përpoqën të bëjnë zhbllokimin të hënën, duke përdorur anije tërheqëse.

Trafiku detar nëpër kanal, që është edhe rruga më e shkurtër e transportit midis Evropës dhe Azisë, do të rifillojë sapo anija të jetë zhvendosur në një zonë më të gjerë të kanalit, thanë autoritetet.

Të paktën 369 anije ishin në pritje për të kaluar, mes tyre dhjetra anije kontejnerësh si dhe cisterna nafte dhe gazi të lëngshëm, thanë zyrtarët.

Ata kanë thënë se trafiku nëpër kanal do të përshpejtohet sapo anija Ever Given të jetë zhvendosur plotësisht.

Por ata shtojnë se mund të duhen dy deri në tre ditë për kalimin e të gjitha anijeve që janë aktualisht në pritje.

Grupi i transportit Maersk tha se mund të duhen javë ose muaj për të kapërcyer çrregullimet që bllokimi i kanalit shkaktoi në transportin global detar.

Kjo ka sjellë vonesa të kushtueshme për kompanitë, të cilave u duhet të përballojnë edhe kufizimet për shkak të koronavirusit.

Çmimet e transportit për cisternat e produkteve të naftës gati janë dyfishuar pas bllokimit të anijes Ever Given./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat