J&J zotohet të forcojë kontrollin e cilësisë pas problemeve me prodhimin e vaksinës

Bota

J&J zotohet të forcojë kontrollin e cilësisë pas problemeve me prodhimin e vaksinës

Më: 2 prill 2021 Në ora: 15:39
Johnson & Johnson

Emergent BioSolutions, partneri i kompanisë farmaceutike Johnson & Johnson për prodhimin e vaksinave tha të enjten se kishte asgjësuar një sasi përbërësi për vaksinën kundër COVID-19 pasi nuk përmbushte specifikimet. Njoftimi u bë një ditë pasi Johnson & Johnson (J&J) tha se kishte zbuluar probleme në këtë sasi specifike të prodhuar në fabrikën e kompanisë Emergent në Baltimorë të Merilandit.

Johnson & Johnson thotë se sasia e përbërësit nuk u lejua të kalonte në fazën përfundimtare të prodhimit të vaksinës.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha të enjten se Shtëpia e Bardhë ishte në dijeni të problemit:

“Problemi u identifikua në kuadër të masave rigoroze të kontrollit të cilësisë. Departamenti i Shëndetësisë na njoftoi javën e kaluar. Ky problem nuk ndikon tek dozat e vaksinës së Johnson & Johnson që janë hedhur në treg. Kompania e ka bërë të qartë se ka në plan të shpërndajë 24 milionë doza të tjera brenda prillit dhe parashikojnë të përmbushin premtimet për 100 milionë doza deri në fund të majit,” tha zonja Psaki.

Gazeta New York Times njoftoi se rreth 15 milionë doza ishin shkatërruar, pa përmendur burimin e informacionit. Sipas artikullit, disa javë më parë punonjësit kishin përdorur gabimisht përbërës të vaksinës së kompanisë AstraZeneca në vend të atij të vaksinës Johnson & Johnson. Fabrika në fjalë prodhon vaksinat e të dyja kompanive farmaceutike.

Të enjten, kompania Emergent tha: "Shkatërrimi i një sasie të përbërësit, megjithëse zhgënjyes, ndodh nganjëherë në procesin e prodhimit të një vaksine, pasi ky është një process biologjik kompleks dhe me shumë etapa”.

Johnson & Johnson tha se problemi në fabrikën e kompanisë Emergent Biosolutions u identifikua, u adresua dhe shtoi se u informua Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave. J&J thotë se do të shtoheh personeli kontrollor në fabrikë.

Lajmi për këtë problem vjen në një kohë kur administrata e Presidentit Biden po përpiqet të intensifikojnë dërgesat e vaksinave kundër COVID-19 në të gjithë vendin.

Muajin e kaluar, administrata tha se po shqyrton mënyra për të shtuar prodhimin e vaksinës së kompanisë Johnson & Johnson, pasi sasia e prodhuar në fillim nga J&J nuk përmbushi parashikimet.

Johnson & Johnson tha se ka përmbushur zotimin për të prodhuar brenda muajit mars për Shtetet e Bashkuara më shumë se 20 milionë doza të vaksinës së saj që kërkon vetëm një injeksion./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat