Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve / Si lindi dhe u zhvillua 1 Maji

Bota

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve / Si lindi dhe u zhvillua 1 Maji

Më: 1 maj 2021 Në ora: 10:12
Foto ilustruese

1 Maji, ose siç njihet ndryshe, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, është një ditë përkujtimi e luftërave historike të bëra nga punëtorët për të siguruar të drejta, liri, pushim dhe kushte më të mira pune.

Kërkesa më e famshme dhe ajo që, më vonë u njoh ndërkombëtarisht, është ajo e lëvizjeve sociale në Australi më 21 prill 1856, ku punëtorët kërkonin “Tetë orë punë, tetë orë dëfrim, tetë orë gjumë”.

30 vite më vonë, më 1 maj 1886, rreth 350 mijë punëtorë u mblodhën në Çikago për të kërkuar të drejtat e tyre të pushimit dhe tetëorarëshit të punës. Dy ditë më vonë policia hapi zjarr ndaj protestuesve, duke e përshkallëzuar situatën në dhunë dhe rebelime.

Si rezultat i këtyre përplasjeve, punëtorët triumfuan. Ata fituan të drejtën e për pushim, kushte më të mira pune, barazi para sistemit gjyqësor, përfitime sociale dhe media gjithashtu fitoi të drejtën e lirisë së shtypit.

Në përkujtim të protestave të përgjakshme në Çikago, në 1889 –ën, një federatë ndërkombëtare e grupeve socialiste dhe sindikatave caktoi 1 majin si një ditë në mbështetje të punëtorëve.

1 maji në Evropë

Në vitin 1891, Kongresi i tretë i Internacionales në Bruksel e shpalli ditën 1 maj si Festa Ndërkombëtare e Punëtorëve. Në këtë ditë kremtohen liritë, të drejtat dhe fuqia e përbashkët e punëtorëve.

Më vonë, në Bashkimin Sovjetik, udhëheqësit e përqafuan festën e re, duke besuar se kjo do të inkurajonte punëtorët në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të bashkohen kundër kapitalizmit.

Dita u bë një festë e rëndësishme në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e bllokut Lindor, me parada të profilit të lartë.

Në Gjermani, Dita e Punës u bë festë zyrtare në vitin 1933, pas ngritjes së Partisë Naziste.

Si për ironi, Gjermania shfuqizoi sindikatat e lira një ditë pas vendosjes së festës, praktikisht duke shkatërruar lëvizjen gjermane të punës.

Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe rënien e qeverive komuniste në Evropën Lindore edhe festimet e shoqëruara me këngë dhe koncerte u zbehën.

Megjithatë, edhe sot, në dhjetëra vende të botës, 1 Maji është shpallur festë zyrtare dhe duhet të shërbejë si rast për demonstrata dhe tubime në mbështetje të punëtorëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat