Australi: Shqetësime për përhapjen e variantit Delta

Bota

Australi: Shqetësime për përhapjen e variantit Delta

Më: 30 qershor 2021 Në ora: 19:34
Australi

Kryeministrja e shtetit më të populluar të Australisë tha të mërkurën se brenda natës ishin regjistruar 22 raste të reja me koronavirus, por shtoi se frika për një rritje të madhe të infeksioneve nuk ishte materializuar. Lajmi vjen mes shqetësimeve për vaksinën AstraZeneca dhe izolimeve të reja për shkak të variantit Delta.

Kryeministrja e Nju Uellsit Jugor Gladys Berejiklian u tha gazetarëve se rastet kishin mbetur të qëndrueshme dhe se 11 prej tyre ishin në izolim gjatë gjithë periudhës së infektimit.

Po të mërkurën, zyrtarët e shtetit Kuinsland këshilluan të rriturit nën moshën 40 vjeç të mos marrin vaksinën AstraZeneca për COVID-19 për shkak të rrezikut të mpiksjes së rrallë të gjakut, edhe pse qeveria australiane i ka vënë dozat e kësaj vaksine në dispozicion për të gjithë të rriturit.

“Nuk mendoj se është koha të rrezikojnë sigurinë e të rinjve australianë, kur Britania e Madhe nuk lejon ata që janë nën 40 vjeç të marrin vaksinën AstraZeneca," tha kryeministrja e shtetit, Anastacia Palszczuk.

Zyrtarja më e lartë e shëndetësisë e shtetit, Jeannette Young u ka bërë thirrje të rriturve të kësaj grupmoshe të presin që vaksina Pfizer të vihet në dispozicion, duke thënë se raporti mes rrezikut dhe përfitimit është i pafavorshëm.

“Kemi pasur shumë pak vdekje për shkak të COVID-19 në Australi mes njerëzve nën moshën 50 vjeç. A nuk do të ishte e tmerrshme që një 18 vjeçar në Kuinsland të vdiste prej vaksinës?"

Kjo vjen pasi qeveria federale e Australisë të hënën vendosi të vërë në dispozicion AstraZenecan për të gjithë të rriturit dhe të dëmshpërblejë mjekët që e administrojnë atë për ndonjë padi të mundshme, ndërsa rriten shqetësimet rreth rasteve të variantit Delta, i cili mendohet të jetë më ngjitës.

Megjithatë autoritetet australiane thonë se Pfizer është alternativa e preferuar për njerëzit nën 60 vjeç.

Rreth gjysma e popullsisë së Australisë është në izolim në Kuinsland, Nju Uells të Jugut, Australinë Perëndimore dhe Territorin Verior për shkak të rasteve të reja, kryesisht të variantit Delta./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat