Dhjetëra të vrarë nga një sulm në një treg të Bagdadit

Bota

Dhjetëra të vrarë nga një sulm në një treg të Bagdadit

Më: 19 korrik 2021 Në ora: 23:35
Harta e Irakut

Së paku 25 njerëz u vranë dhe dhjetëra u plagosën nga një sulm me bombë në kryeqytetin e Irakut, Bagdad.

Pajisja shpërtheu në një treg të mbushur me njerëz, që përgatiteshin për festën e Bajramit.

Nuk është ende e qartë se kush qëndron prapa sulmit, por dyshimet bien mbi grupin militant Shteti Islamik.

Qeveria e Irakut ka shpallur fitore në luftën e saj kundër grupit xhihadist në fund të vitit 2017.

Por, qeliza të fjetura të tij vazhdojnë të kryejnë sulme të kohëpaskohshme në Irak.

Shteti Islamik ka thënë se ka qenë prapa një sulmi me bombë në Bagdad, në muajin prill, kur kanë mbetur të vrarë katër vetë.

Grupi gjithashtu ka marrë përgjegjësinë për një sulm vetëvrasës në janar, në Sheshin Tajaran të Bagdadit, ku janë vrarë 32 njerëz.

Ky ka qenë sulmi më vdekjeprurës në kryeqytetin irakian në së paku tre vjet.

Të martën, besimtarët myslimanë në të gjithë botën shënojnë Festën e Bajramit./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat