Lideri i Koresë së Veriut Kim Jong-un ka urdhëruar ushtrinë të ndërhyjë për të ndihmuar në zonat e goditura kohët e fundit nga reshjet e mëdha të shiut dhe përmbytjet.
Sipas raporteve të mediave shtetërore mbi një mijë shtëpi janë dëmtuar, duke detyruar rreth 5.000 njerëz të largohen. Kjo u raportua nga agjencia shtetërore Kcna e cituar nga BBC, mes shqetësimeve mbi krizën ekonomike dhe mungesës së ushqimit.
Moti i keq i është shtuar krizës ushqimore që po përkeqësohet nga dita në ditë. Tokat bujqësore janë përmbytur, të mbjellat dhe të korrat po humbasin dhe Kim Jong-un tha se vendi duhej të përballej me një situatë “të tensionuar” ushqimore në qershor.
Ai shtoi se sektori bujqësor kishte dështuar në përmbushjen e objektivave të grurit për shkak të tajfuneve të vitit të kaluar, të cilët shkaktuan përmbytje dhe se shumë do të varet nga të korrat e këtij viti.
Komisioni Qendror Ushtarak i Partisë Punëtore në pushtet mbajti një takim të enjten për të diskutuar mbi situatën. Kim nuk mori pjesë në takim, por zyrtarët e partisë dërguan një mesazh nga ai se ushtria duhet të sigurojë furnizimet e nevojshme në zonat më të prekura.