Feltman: Ushtria e Sudanit tregoi përmbajtje në protestat kundër grushtit të shtetit

Bota

Feltman: Ushtria e Sudanit tregoi përmbajtje në protestat kundër grushtit të shtetit

Më: 2 nëntor 2021 Në ora: 19:50
Jeffrey Feltman

Një zyrtar amerikan tha të martën se ushtria sudaneze tregoi përmbajtje gjatë protestave kundër grushtit të shtetit që u zhvilluan të shtunën, dhe se veprimet e tyre rritën mundësinë e kthimit të vendit në një marrëveshje për ndarjen e pushtetit.

Jeffrey Feltman, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Bririn e Afrikës, i bëri këto komente gjatë një konference telefonike nga Uashingtoni, pavarësisht nga vrasja e tre protestuesve nga ushtria sudaneze.

Ai tha se numri i të vdekurve ishte "shumë i madh", por shtoi se "në përgjithësi... forcat e sigurisë treguan vetëpërmbajtje dhe zbatuan detyrimet e tyre për të respektuar të drejtat e njeriut". Ai vuri në dukje se numri i të vdekurve nuk ishte më i lartë sepse protestuesit nuk iu afruan vendeve të ndjeshme ushtarake.

"Ju patë provat nga sjellja ndaj protestuesve se sudanezët e kuptojnë se duhet të dalin nga kjo krizë", tha Feltman.

"Unë mendoj se kjo tregoi se vetë populli sudanez e kupton që ata duhet të jenë të kujdesshëm dhe të gjejnë një mënyrë për t'u kthyer në partneritetin civilo-ushtarak që kërkon ky tranzicion", tha zoti Feltman.

Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje udhëheqësve ushtarakë të grushtit të shtetit të 25 tetorit në Sudan që të përmbahen nga "çdo lloj dhune" kundër protestuesve paqësorë një ditë përpara protestave "marshimi i miliona njerëzve" në të cilat u bë thirrje për kthimin e pushtetit civil.

Komisioni Qendror i Mjekëve Sudanezë tha se forcat e sigurisë qëlluan për vdekje tre protestues në qytetin e Omdurmanit dhe se 38 persona u plagosën, disa nga të shtënat me armë zjarri.

Shefi ushtarak sudanez, gjenerali Abdel-Fattah al-Burhan tha se rrëzimi nga ushtria i qeverisë kalimtare të vendit ishte i nevojshëm për të shmangur një luftë civile.

Zoti Feltman i kërkoi përsëri gjeneralit të rivendoste qeverinë civile dhe të lirojë kryeministrin Abdalla Hamdok nga arresti shtëpiak, duke thënë se ushtria nuk mund të mbajë pushtetin pa ndihmën e huaj, si ndihma amerikane prej 700 milionë dollarësh që është pezulluar nga Uashingtoni. 

"Unë mendoj se ushtria do ta kuptojë se ata kanë nevojë për llojin e mbështetjes ndërkombëtare që u jepej autoriteteve në tranzicion", tha zoti Feltman.

Marrja e kontrollit nga ushtria ndodhi pas përshkallëzimit disa javor të tensioneve midis udhëheqësve ushtarakë dhe civilë mbi tranzicionin e Sudanit drejt demokracisë. Grushti i shtetit kërcënoi të dëmtonte procesin, i cili kishte përparuar ngadalë që nga rrëzimi i autokratit Omar al-Bashir në një kryengritje popullore në vitin 2019./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat