Kryeministri i Pakistanit humbi në një votim mosbesimi

Bota

Kryeministri i Pakistanit humbi në një votim mosbesimi

Më: 9 prill 2022 Në ora: 23:46
Imran Khan

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, humbi një votëbesim në parlament të dielën, tha kryetari i dhomës së ulët, pas largimit të partnerëve të koalicionit që e fajësojnë atë për situatën e përkeqësuar ekonomike dhe dështimin për të përmbushur premtimet e tij të fushatës.

Shpallja e rezultatit të votimit u bë pak para orës 22 sipas kohës së Evropës Qendrore, pas shtyrjeve të shumta të mbledhjes së parlamentit të shkaktuara nga anëtarët e partisë së zotit Khan, të cilët thanë se kishte një komplot të huaj për të rrëzuar yllin e briketit, të shndërruar në politikan.

Partitë opozitare arritën të sigurojnë 174 vota në dhomën e ultë prej 342 vendesh në mbështetje të mocionit të mosbesimit, tha kryesuesi Ayaz Sadiq. Vetëm disa ligjvënës të partisë në pushtet të zotit Khani ishin të pranishëm në votim.

Votimi u bë pasi shefi i fuqishëm i ushtrisë së vendit, gjenerali Qamar Javed Bajwa u takua me zotin Khan, thanë dy burime, ndërsa kritikat u shtuan për vonesën në procesin parlamentar.

Udhëheqësi i opozitës, Shehbaz Sharif, është kandidati kryesor për të udhëhequr kombin prej 220 milionë banorësh që është fuqi bërthamore. Ushtria ka sunduar gjatë gjysmës së historisë së Pakistanit.

Shehbaz, 70 vjeç, vëllai më i vogël i ish kryeministrit Nawaz Sharif, ka namin e administratori efektiv. Parlamenti pritet të votojë të hënën për kryeministrin e ri të Pakistanit.

Imran Khan, 69 vjeç, mori pushtetin në vitin 2018 me mbështetjen e ushtrisë, por kohët e fundit humbi shumicën e tij parlamentare, kur aleatët u larguan nga qeveria e tij e koalicionit. Analistët thanë se kishte gjithashtu shenja se ai kishte humbur mbështetjen e ushtrisë.

Partitë opozitare thonë se ai dështoi të rimëkëmbë ekonominë e goditur nga COVID-19 ose të përmbushë premtimet për ta bërë Pakistanin një komb pa korrupsion, të begatë dhe të respektuar në skenën botërore.

Rrëzimi i tij i shtohet historisë së paqëndrueshmërisë politike në Pakistan. Asnjë kryeministër nuk e ka përfunduar mandatin e tij të plotë që nga pavarësia e vendit në vitin 1947, ndërsa zoti Khan është i pari që rrëzohet përmes një vote mosbesimi./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat