Bota nderon sekretaren Madeleine Albright/ Clinton: Trashëgimia e Albrightit po vazhdon të nderohet në Kosovë

Bota

Bota nderon sekretaren Madeleine Albright/ Clinton: Trashëgimia e Albrightit po vazhdon të nderohet në Kosovë

Më: 27 prill 2022 Në ora: 13:01
Presidenti Joe Biden nderon ish-sekretaren Madeleine Albright. Uashington, 27 prill 2022.

(E plotësuar 21:48) -Kurti mori pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ish presidenten Atifete Jahjaga, morën pjesë sot në ceremoninë e varrimit të ish-Sekretares së Shtetit të SHBA-së, znj. Madeleine Albright, në ambientin historik të Katedrales Kombëtare në Washington.

Në kuadër të ceremonisë, Kryeministri dhe Presidentja patën rast të takoheshin me Sekretarin e Shtetit, z. Antony Blinken, ish-Presidentin e SHBA-së, z.Bill Clinton dhe bashkëshorten e tij, ish-Sekretaren e Shtetit, znj. Hillary Clinton, ish-Zëvëndëspresidentin e SHBA-së, z. Albert Gore, ish-Sekretarët e Shtetit, znj. Condoleezza Rice dhe z. John Kerry dhe ish-kongresistin Eliot Engel.

Image
Hillary Clinton, Vjosa Osmani, Albin Kurti, Bill Clinton

Vajza e Albright: Sa herë kishim nevojë për të ajo e hapte telefonin dhe vinte shpejt tek ne

Vajza e ish-sekretares Madeleine Albright, ka thënë se nëna e saj ishte aty për të gjithë familjes sa herë që ata kishin nevojë, pa marrë parasysh se çfarë angazhime kishte.

Ajo tha se nëna e saj ksihte energji të pashterrshme.

Vajza e ish-sekretares ka kujtuar disa nga momentet më të bukura që nga vegjëlia.

“Pa marrë parasysh se çfarë barre kishte mbi vete, sa nga bota kishte në pjatën e saj, gjithmonë e dinim se sa herë të kishin nevojë për të, ajo do ta hapte telefonin dhe do të vinte shpesh tek ne. Tek ajo kishte afate, kishte orare, kishte energji të pashterrshme. Ajo e përshkruante vetën si optimiste që brengoset shumë dhe ne jemi dëshmitarë të brengave të saj”.

“Të gjitha nënat kanë ato të metat e veta. Ne motrat e dëgjonim nënën duke folur për ato atomet dhe molekulat. Nëna ngritej shumë më herët, për të punuar në disertacionin e doktoratës, për të na përgatitur mëngjesin dhe çantat”.

“Kur shkonim në kampe verore, ajo gjithmonë na dërgonte letrat për atë që e mendonte, për gjendjen e kopshtit ose të gypave të ujit ose nëse ne mendonim që është mirë që ajo të merrte një pozitë në kryeqytet”.

“Dorëshkrimi i saj ishte shumë i veçantë dhe i palexueshëm. M-jat dukeshin sikur ë-ju. Nënshkrimi i saj dukej sikur Wadeleine Albright”.

***

Trashëgimia e saj po vazhdon të nderohet në Kosovë

"Ajo bëri ndryshimin e rrjedhës së historisë", "trashëgimia e saj po vazhdon të nderohet në Kosovë, Bosnjë dhe vende të tjera", ishin disa prej fjalëve dedikuar nga liderë amerikanë për ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila vdiq më 23 mars.

Të udhëhequr nga presidenti amerikan, Joe Biden, dhe paraardhësit e tij, Barack Obama dhe Bill Clinton, rreth 1,400 veta janë mbledhur më 27 prill në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, për të kujtuar arritjet e saj.

Biden, Clinton nderojnë ish-sekretaren e Shtetit Madeleine Albright

Presidenti Joe Biden, ish-presidenti Bill Clinton dhe ish-sekretarja e Shtetit Hillary Clinton i bënë homazhe sot figurës së ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, gruas së parë që drejtoi Departamentin amerikan të Shtetit, në shërbimin përkujtimor për nder të saj që po mbahet në Uashington.

"Në shekullin e 20 dhe 21 liria nuk kishte kampione (mbështetëse) më të madhe se Madeleine Albright", tha presidenti Biden në homazhet për ish-sekretaren e Shtetit.

“Sot ne nderojmë një amerikane vërtet krenare që na bëri të gjithëve më krenarë që jemi amerikanë. Në vitet 1990, Madeleine punoi ngushtë me presidentin e SHBA-së dhe Senatin në përpjekjet për të ndalur gjenocidin në Ballkan, dhe për të mbështetur demokracitë e reja në Evropën Qendrore dhe Lindore", shtoi ai.

Albright, e cila shërbeu si sekretare e shtetit nga viti 1997 deri në 2001, vdiq muajin e kaluar nga kanceri. Pas vdekjes së saj, ajo u vlerësua nga shumë njerëz si një pioniere në karrierën e saj politike.

Albright dhe familja e saj u larguan nga nazistët në Çekosllovaki, vend i saj i lindjes, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ata u vendosën përfundimisht në Shtetet e Bashkuara, ku Albright u ngrit në postin e një diplomateje të famshme për një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe një koleksion karficash që ajo mbante për të dërguar mesazhe politike.

Shërbimi përkujtimor u mbajt sot në mesditë në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit. Sipas një zëdhënësi të familjes Albright, më shumë se 1.400 njerëz ishin të pranishëm, duke përfshirë ministra të jashtëm, ambasadorë dhe anëtarë të Kongresit. Në ceremoninë mortore morën pjesë edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Presidenti Biden, ish-presidenti Bill Clinton, ish-sekretarja e Shtetit Hillary Clinton dhe tri vajzat e Albright mbajtën fjalime në funeralin për ish-sekretaren Albright. Ish-sekretarja e shtetit Condoleezza Rice lexoi disa vargje nga Bibla.

Ish-presidenti Barack Obama, ish-zonja e parë Michelle Obama dhe ish-nëndëspresidenti Al Gore morën pjesë në këtë ceremoni së bashku me zyrtarë aktualë të administratës, përfshirë sekretarin e Shtetit Antony Blinken.

Albright shërbeu në postin e ambasadores amerikane në Kombet e Bashkuara nga viti 1993-1997 gjatë mandatit të parë të presidentit Clinton përpara se të bëhej sekretare e Shtetit dhe ishte një mbështetëse aktive e fushatave presidenciale të Hillary Clinton.

Albright ishte një nga zërat më të fuqishëm kundër mizorive të diktatorit serb Sllobodan Millosheviq në luftërat e Ballkanit. Ajo mbështeste hapur ndërhyrjen e aleancës së NATO-s në Kosovë, me qëllim që të ndalej vrasja e civilëve shqiptarë nga forcat serbe në luftën e viteve 98-99.

Fushata 78-ditore e bombardimeve të NATO-s kundër Beogradit, solli lirinë e Kosovës.

“E fituam këtë luftë në mënyrë që ju të mund të shkoni në shtëpi dhe të jetoni një jetë normale. Millosheviq dhe serbët humbën kontrollin mbi Kosovë”, u tha Albright refugjatëve shqiptarë gjatë një takimi me ta në kampet e Maqedonisë së Veriut.

Kosovën e lirë dhe të pavarur Albright e vlerësonte si arritjen më të madhe të karrierës së saj.

***

Ka filluar ceremonia e varrimit të ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.

Presidenti Biden vlerësoi lart kontributin e Albrightit.

"Emri i saj është ende sinonim për Amerikën si forcë për të mirë në botë", tha Biden, duke kujtuar se gjatë shërbimit si ambasadore në Kombet e Bashkuara dhe më pas në postin e sekretares së Shtetit, Albright ndihmoi në "ndaljen e gjenocidit në Ballkan".

“Me mirësinë, humanizmin dhe intelektin e saj, ajo bëri ndryshimin e rrjedhës së historisë. Ne sot nderojmë një amerikane krenare, e cila na bëri të gjithë ne që të jemi më krenarë që jemi amerikanë”, tha Biden.

Image
Presidenti amerikan, Joe Biden, gjatë fjalimit të Katedralen Kombëtare të Uashingtonit. 27 pill 2022.

 

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, kujtoi udhëtimin e fundit me Albrightin në Kosovë, në 20-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s.

Ai tha se trashëgimia e Albrightit për kontributin në Kosovë, Bosnjë dhe shtete të tjera, vazhdon të nderohet.

Image
Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton.

"Kaluam një ditë të lumtur së bashku dy vjet më parë në Kosovë, 20 vjet pas konfliktit atje. I çliruam nga rreziku real i gjenocidit. Ecëm dorë për dore në rrugët e Prishtinës, në një ditë me diell të qershorit. Rrugëve kishin dalë çerek milion persona, që është numër i madh njerëzish në një shtet të vogël si Kosova. Dhe arritëm te subjekti i shëtitjes sonë, që ishte një bust i bukur i Madeleine që ishte nderimi i tyre për ndihmën e saj. E shohim nderimin e trashëgimisë së saj për të gjitha gjërat që ka bërë për Kosovën, Bosnjë dhe e shohim në shumë mënyra", tha ai.

"Sot këtu me ne është presidentja, ish-presidentja dhe kryeministri i Kosovës. Po ashtu këtu është edhe ish-ministri i Jashtëm i Bosnjë e Hercegovinës. U desh të ndodhte masakra e Srebrenicës që të kishim mblidheshin mjaftueshëm njerëz që të bëhej ajo që sot po bëhet në një mënyrë tjetër në tentim për ta shpëtuar Ukrainën", shtoi Clinton.

***

Udhëheqës botërorë nderojnë sot (27 prill) ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila vdiq më 23 mars.

Të udhëhequr nga presidenti amerikan, Joe Biden, dhe paraardhësit e tij, Barack Obama dhe Bill Clinton, rreth 1,400 veta do të mblidhen në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, për të kujtuar arritjet e saj.

Albright, e zgjedhur nga Clinton, ka qenë gruaja e parë amerikane në pozitën e sekretares së Shtetit.

Image
Takimi ndërmjet ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright në Departamentin amerikan të Shtetit. 30 maj 1998.

Ajo ka vdekur nga kanceri në moshën 84-vjeçare.

Image
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, duke dhënë dëshmi para një nënkomiteti të Senatit amerikan më 16 qershor 1998. Albright deklaroi para këtij trupi se ishte bërë pak përparim në Kosovë në bisedimet midis presidentit të atëhershëm rus, Boris Yeltsin, dhe liderët të asaj kohe të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq.

Në ceremoninë përkujtimore, Biden, Clinton dhe ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, pritet të mbajnë fjalime, ndërsa sekretari aktual i Shtetit, Antony Blinken, dhe paraardhësit e tij, Condoleezza Rice dhe John Kerry, do të jenë të pranishëm.

Image
Ish-sekretarja amerikan e Shtetit, Madeleine Albright, duke folur gjatë një konference për media në Bruksel më 8 tetor 1998. Ajo kishte deklaruar se i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin, Richard Holbrooke, ishte nisur në Beograd për një përpjekje të re për ta bindur presidentin e atëhershëm jugosllav, Sllobodan Millosheviq, që t'i jepte fund dhunës në Kosovë.

Zyrtarët e tjerë të lartë, që pritet të jenë të pranishëm, përfshijnë: sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, drejtorin e CIA-s, Bill Burns, dhe këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.

Nga autoritetet e huaja do të jenë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, si dhe zyrtarë të lartë nga Bosnje e Hercegovina, Republika Çeke dhe Kolumbia.

Albright ka lindur në Çekosllovakinë e atëhershme, por familja e saj është larguar dy herë - fillimisht nga nazistët dhe më pas nga sundimi sovjetik.

Image
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, gjatë një takimi me ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova më 10 dhjetor 1998. Ky takim u mbajt në Francë, ku Albright ishte takuar ehde me presidentin e atëhershëm të Francës, Jacques Chirac, me të cilin kishte biseduar për përpjekjet e udhëhequra nga NATO për arritjen e paqes në Kosovë.

Ata kanë përfunduar në Shtetet e Bashkuara, ku Albright ka studiuar në Kolegjin Wellesley. Gjatë viteve, ajo është ngjitur në qarqet e politikës së jashtme të Partisë Demokratike, për t’u bërë fillimisht ambasadore në Kombet e Bashkuara.

Clinton e ka zgjedhur sekretare të Shtetit në vitin 1996, për mandatin e tij të dytë presidencial.

Edhe pse nuk ka qenë kurrë në radhë për presidente, për shkak të lindjes në një vend të huaj, Albright është admiruar pothuajse nga të gjithë, përfshirë edhe kundërshtarët e saj politikë.

Si një refugjate çeke që ka parë tmerret e Gjermanisë naziste dhe të Perdes së Hekurt, ajo nuk ka qenë e butë.

Si sekretare e Shtetit, ajo ka luajtur një rol kyç për të bindur administratën Clinton, që të luftojë udhëheqësin jugosllav, Sllobodan Millosheviq, për trajtimin që u ka bërë shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë është cilësuar si “Lufta e Madeleinet”.

Si ambasadore e OKB-së, ajo ka udhëhequr një politikë të ashpër të SHBA-së, sidomos kundër Millosheviqit, për shkak të luftës së tij në Bosnje, në vitet ’90.

Ajo ka mbajtur qëndrim të ashpër edhe ndaj Kubës. Në një fjalim në Kombet e Bashkuara, ajo ka thënë se rrëzimi i një aeroplani civil, më 1996, nga Kuba, nuk ka qenë akt “i guximshëm”, por “frikacak”.

Në vitin 2012, Obama i ka dhënë Albrightit Medaljen Presidenciale të Lirisë - që është nderimi më i lartë civil i vendit - duke thënë se jeta e saj ka qenë frymëzuese për të gjithë amerikanët.

E lindur si Marie Jana Korbel në Pragë, më 15 maj, 1937, ajo ka qenë vajza e diplomatit Joseph Korbel.

Familja ka qenë hebreje, por është konvertuar në katolicizmin romak, kur ajo ka qenë 5 vjeçe. Tre nga gjyshërit e saj hebrenj kanë vdekur në kampe të përqendrimit.

Këndvështrimi i Albrightit thuhet se është formuar pjesërisht nga prejardhja e saj. Familja e saj është larguar nga Çekosllovakia në vitin 1939, pasi nazistët kanë pushtuar këtë vend. Vitet e luftës, ajo i ka kaluar në Londër.

Pas luftës, kur Bashkimi Sovjetik ka pushtuar pjesë të mëdha të Evropës Lindore, familja e saj ka migruar në Shtetet e Bashkuara.

Ata janë vendosur në Denver, ku babai i saj ka ligjëruar në Universitetin e Denverit. Një nga studentët më të mirë të Korbelit ka qenë Condoleezza Rice, e cila më vonë do ta pasonte vajzën e tij si sekretare e Shtetit.

Albright ka diplomuar në Kolegjin Wellesley në vitin 1959.

Ajo ka punuar si gazetare dhe më vonë ka studiuar marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin e Kolumbias. Pasi ka marrë diplomën master në vitin 1968 dhe doktoraturën në vitin 1976, ajo ka hyrë në politikë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat