Ukraina e shqetësuar se një luftë e gjatë mund të bëjë që Perëndimi të humbasë interesin

Bota

Ukraina e shqetësuar se një luftë e gjatë mund të bëjë që Perëndimi të humbasë interesin

Më: 10 qershor 2022 Në ora: 20:09
Foto ilustrim

 Ndërsa sulmi i Rusisë në Ukrainë është në muajin e katërt, zyrtarët në Kiev kanë shprehur shqetësimin se fantazma e "lodhjes nga lufta" mund të dobësojë vendosmërinë e Perëndimit për të ndihmuar vendin të zmbrapsë agresionin e Moskës. 

SHBA dhe aleatët e saj i kanë dhënë Ukrainës miliarda dollarë armatime. Evropa ka pranuar miliona vetë të zhvendosur nga lufta. Dhe ka pasur unitet të paprecedentë në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore në vendosjen e sanksioneve ndaj Presidentit Vladimir Putin dhe vendit të tij. 

Por ndërsa zbehet tronditja e sulmit të 24 shkurtit, analistët thonë se Kremlini mund të shfrytëzojë një konflikt të zvarritur, dhe rënien e mundshme të interesit mes fuqive perëndimore që mund të sjellë presion ndaj Ukrainës për të arritur një marrëveshje. 

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tashmë ka kundërshtuar sugjerimet e Perëndimit se ai duhet të pranojë një lloj kompromisi. Ukraina, tha ai, do të vendosë vetë kushtet e saj për paqe. 

“Lodhja po rritet, njerëzit duan një lloj rezultati që është i dobishëm për ta, dhe ne duam një tjetër rezultat për veten tonë", tha ai. 

Një propozim italian për paqe u hodh poshtë ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron u përball me një reagim të zemëruar pasi ai u citua të thoshte se megjithëse sulmi i Putinit ishte një "gabim historik", fuqitë botërore nuk duhet "ta poshtërojnë Rusinë, në mënyrë që kur të ndalojnë luftimet, të gjendet një rrugëdalje diplomatike.” Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha se një retorikë e tillë "vetëm mund të poshtërojë Francën dhe çdo vend tjetër që mendon kështu". 

Edhe një koment i ish-Sekretarit amerikan të Shtetit të Henry Kissinger, se Ukraina duhet të shqyrtojë mundësinë e lëshimeve territoriale, solli një kundërpërgjigje nga zoti Zelenskyy i cili tha se një gjë e tillë do të ishte njësoj sikur fuqitë evropiane në vitin 1938 të lejonin Gjermaninë naziste të pretendonte pjesë të Çekosllovakisë për të frenuar agresionin e Adolf Hitlerit. 

Kievi dëshiron të largojë Rusinë nga zonat e pushtuara rishtazi në Ukrainën lindore dhe jugore, si dhe të rimarrë Krimenë, të cilën Moska e aneksoi në vitin 2014, dhe pjesë të Donbasit nën kontrollin e separatistëve të mbështetur nga Kremlini për tetë vitet e fundit. 

Çdo muaj i luftës i kushton Ukrainës 5 miliardë dollarë, tha Volodymyr Fesenko, analist politik në qendrën Penta Center, dhe kjo "e bën Kievin të varur nga pozicioni i konsoliduar i vendeve perëndimore". 

Ukraina do të ketë nevojë për armë edhe më të avancuara për të siguruar fitoren, së bashku me vendosmërinë perëndimore për të vazhduar dhimbjen ekonomike ndaj Rusisë për të dobësuar Moskën. 

“Është e qartë se Rusia është e vendosur ta lodhë Perëndimin dhe tani po ndërton strategjinë e saj me supozimin se vendet perëndimore gradualisht do të fillojnë të ndryshojnë retorikën e tyre militante në një retorikë më akomoduese,” tha analisti Fesenko në një intervistë për agjencinë Associated Press. 

Lufta ka ende një pasqyrim të gjerë si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në Evropë, të cilat janë tmerruar nga imazhet e vdekjeve të civilëve ukrainas në luftimet më të mëdha në kontinent që nga Lufta e Dytë Botërore. 

SHBA-ja vazhdon të ndihmojë Ukrainën. Presidenti Joe Biden tha javën e kaluar se Uashingtoni do t'i sigurojë asaj sisteme të avancuara raketash dhe municionesh që do t'i mundësojnë Kievit të godasë objektivat kryesore në fushën e betejës. 

Në një ese në gazetën New York Times më 31 maj, presidenti Biden tha: "Nuk do t'i bëj presion qeverisë ukrainase - privatisht ose publikisht - për të bërë ndonjë lëshim territorial". 

Gjermania, e cila ishte përballur me kritika nga Kievi dhe të tjerë për hezitim, ka premtuar sistemet e saj më moderne të mbrojtjes ajrore deri më tani. 

"Nuk ka pasur asgjë të tillë, madje edhe në Luftën e Ftohtë kur Bashkimi Sovjetik u shfaq më kërcënues," tha Nigel Gould-Davies, bashkëpunëtor i lartë për Rusinë dhe Euroazinë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike. 

Ndërsa ai nuk sheh një erozion të dukshëm në "mbështetjen për Ukrainën", Gould-Davies thotë se "ka aludime për tensione të ndryshme mbi ato që duhet të jenë qëllimet e Perëndimit, qëllime që ende nuk janë përcaktuar qartë”.

Shqetësimet e brendshme të Evropës po bëhen pjesë e diskutimeve, veçanërisht kur flitet për çmimin e energjisë dhe mungesën e lëndëve të para të cilat fillojnë të dëmtojnë ekonomikisht njerëzit e zakonshëm, që përballen me faturat më të larta të energjisë elektrike, kostot e karburantit dhe çmimet e ushqimeve. 

Ndërsa udhëheqësit evropianë përshëndetën si "një sukses të plotë", vendimin për të bllokuar 90% të eksporteve ruse të naftës deri në fund të vitit, u deshën katër javë negociata që përfshijnë një lëshim ndaj Hungarisë, e parë gjerësisht si aleati më i afërt i Kremlinit në BE, që të vazhdojnë importet. 

“Kjo tregon se uniteti në Evropë po bie pak pas pushtimit rus,” tha Matteo Villa, një analist me grupin e ekspertëve ISPI në Milano. "Ka një lloj lodhjeje midis vendeve anëtare për gjetjen e mënyrave të reja për të sanksionuar Rusinë, dhe qartësisht brenda Bashkimit Evropian, ka disa vende që janë gjithnjë e më pak të gatshme të vazhdojnë me sanksione". 

I kujdesshëm ndaj ndikimit ekonomik të sanksioneve të mëtejshme të energjisë, Komisioni Evropian ka sinjalizuar se nuk do të nxitojë të propozojë masa të reja kufizuese që synojnë gazin rus. Ligjvënësit e BE-së po bëjnë gjithashtu apel për ndihmë financiare për qytetarët e goditur nga rritja e çmimit të ngrohjes dhe karburantit për të siguruar që mbështetja publike për Ukrainën të mos zbehet. 

Udhëheqësi i krahut të djathtë të Italisë, Matteo Salvini, i cili është parë si i afërt me Moskën, u tha gazetarëve të huaj këtë javë se italianët janë gati të bëjnë sakrifica dhe se Liga e tij mbështet sanksionet kundër Rusisë. 

Por ai shtoi se mbështetja nuk është e pakufizuar, mes treguesve se bilanci tregtar është zhvendosur në favor të Moskës, duke dëmtuar pronarët e bizneseve të vogla në Italinë veriore që janë pjesë e bazës së tij mbështetëse. 

“Italianët janë shumë të gatshëm për të bërë sakrifica ekonomike personale për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës dhe për të arritur në një armëpushim”, tha zoti Salvini. 

“Ajo që nuk do të doja është të na gjej përsëri këtu në shtator, pas tre muajsh me konfliktin ende në vazhdim. Nëse është kështu, do të jetë një fatkeqësi për Italinë. Përtej vdekjeve dhe shpëtimit të jetëve, që është prioriteti ekonomik, për Italinë, nëse lufta vazhdon, do të jetë një fatkeqësi”, tha ai./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat