Aleati i Putinit mund të përballet me revoltën e oficerëve të tij kundër luftës në Ukrainë

Bota

Aleati i Putinit mund të përballet me revoltën e oficerëve të tij kundër luftës në Ukrainë

Më: 10 korrik 2022 Në ora: 19:42
Alexander Lukashenko, Putin

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, mund të përballet me një revoltë nga oficerët e tij ushtarakë, pasi ata së fundmi shprehën kundërshtimin e tyre ndaj luftës ruse në Ukrainë.

Sipas Newsweek, oficerët e lartë të brigadës së pestë të Forcave Speciale i paralajmëruan në një letër të hapur Lukashenkos, i cili është aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, kundër dërgimit të trupave për të luftuar në Ukrainë, duke përshkruar se një vendim i tillë është “vetëvrasje e pastër”.

“Duke hyrë në luftë kundër Ukrainës, Bjellorusia do të dëbohet nga komuniteti i shteteve të qytetëruara dhe do të jetë një i dëbuar ndërkombëtar për shumë vite në vijim”, shkruan oficerët ushtarakë.

Bjellorusia e ka lejuar Rusinë të stacionojë trupat e saj dhe të kryejë stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë në vend që nga fillimi i luftës, e cila filloi në fund të shkurtit.

Ndërkohë në maj, Bjellorusia nisi stërvitje në shkallë të gjerë të forcave të saj ushtarake për të testuar gatishmërinë luftarake të ushtrisë së saj, sipas ministrisë bjelloruse të mbrojtjes.

Megjithatë, disa anëtarë të ushtrisë bjelloruse ende denoncuan luftën dhe thanë në letrën drejtuar Lukashenkos: “Okupimi i Rusisë i territorit të njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës, e cila është [një] mik i shtetit tonë, dhe përpjekja e saj për ta tërhequr Bjellorusinë në një luftë krejtësisht të paprovokuar kundër një shteti sovran mund të shihet vetëm si shkatërrim i sovranitetit të Bjellorusisë”.

Siç bëhet e ditur më tej, bjellorusët gjithashtu nuk e mbështesin luftën në Ukrainë, sipas një sondazhi të ri të publikuar nga Chatham House.

Sondazhi zbuloi se në qershor vetëm 23 për qind e njerëzve mbështetën Rusinë, krahasuar me 28 për qind në mars.

Ndërkohë, vetëm 5 për qind e popullsisë mendojnë se ushtarët bjellorusë duhet t’i bashkohen Rusisë për të shkuar në luftë, sipas Rygor Astapenya, i cili është drejtor i Iniciativës Bjelloruse të Chatham House. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat