Fotoja e 6-vjeçarit bëhet simbol i agresionit rus në Ukrainë

Bota

Fotoja e 6-vjeçarit bëhet simbol i agresionit rus në Ukrainë

Më: 11 korrik 2022 Në ora: 17:04
Foto ilustrim

Një fotografi e 6-vjeçarit Vlad duke qëndruar pranë varrit të nënës së tij, në oborrin e shtëpisë në Buça të Ukrainës tronditi botën. Buça përjetoi disa nga skenat më të kobshme të agresionit rus. Nëna e Vladit, Marina Naumetz, vdiq kur familja u detyrua të strehohej në bodrum gjatë agresionit rus. Korrespondentët e Zërit të Amerikës, biseduan këto ditë me të jatin e Vladit, Ivan Drahun, i cili ndodhet ende në Kiev dhe përshkruan në vazhdim tmerret që përjetoi familja e tij. 

Fotografia e djalit që qëndron pranë varrit të nënës së tij në Buça është shpërndarë në mbarë botën, si simbol i agresionit të Rusisë në Ukrainë. 

Nëna e Vladit, Marina Naumetz, kujdesej për fëmijët. Kur filloi lufta, familja u fsheh në bodrumin e kompleksit të apartamentit të tyre në Buça. 

Bashkëshorti i Marinës, Ivan Drahun, kujton se si familja e tij rrallë dilte nga bodrumi. 

“Ishte e vështirë sepse ishte shumë ftohtë; ishte e vështirë të merrje frymë. Rrinim ulur atje, në errësirë. Nuk mund të dilnim jashtë; përdornim një kovë për të shkuar në banjë”. 

Ivani thotë se bombardimet ishin shumë tronditëse për gruan e tij. Një natë, ajo shkoi të flinte dhe nuk u zgjua më kurrë. 

“Marina ishte gjithmonë e stresuar. Ajo ndjente zemrën e saj t’i rrihte shpejt herë pas here. // Kishte dhimbje koke; merrte shumë ilaçe për zemrën”. 

Fqinjët e ndihmuan Ivanin të varroste gruan e tij në oborr. Arkivoli u bë nga një dollap i vjetër. 

Marina kishte dy fëmijë të tjerë nga martesa e saj e parë, Sofia 13-vjeçare dhe Vladimiri 10-vjeçar. 

“Vladimiri dhe Sofia e kuptuan, por Vladi nuk e konceptonte dot vdekjen e së ëmës. I thoshim se mami ka ikur për të punuar. Por më pas, ngadalë ai e kuptoi se çfarë kishte ndodhur. Ishte natë dhe më zgjoi e më pyeti: ‘Babi, a vdiq mami?’ Çfarë të bëja? I thashë: 'Po, bir, mami vdiq. Por ajo është me ne, ajo na sheh, ajo na mbron”. 

Një javë pas vdekjes së Marinës, Buça u çlirua. Ivani zhvarrosi trupin e Marinës për ekzaminim mjeko-ligjor dhe më pas e rivarrosi në varreza. Ekzaminuesi tha se ajo kishte vdekur nga zemra. 

Ivani donte të largohej nga vendi që i kujton vdekjen e gruas së tij, por familja nuk kishte para të mjaftueshme për të lëvizur. 

Ndihma erdhi nga e gjithë bota. Një banor i Odesës, sipërmarrësi Igor Kyrylenko, që jeton në Virxhinia, pa foton e Vladit dhe donte të ndihmonte. 

“Kur pashë atë foto të Vladit duke qëndruar pranë varrit të nënës së tij… dukej shumë i trishtuar dhe nuk mund të qëndroja pa ndihmuar. Vladi është sa djali im, gjashtë vjeç… Vendosa të kontaktoj familjen e tij”. 

Igori dhe Ivani u bënë miq. Ai hapi një llogari “GoFundMe” për Ivanin që tashmë ka grumbulluar mbi 8,000 dollarë 

“Ai është një njeri shumë i mirë. I jam jashtëzakonisht mirënjohës”. 

Sot, familja po qëndron në një konvikt pranë Kievit dhe po planifikon të shpërngulet. Një mundësi është Portugalia. 

Miqtë e fotografit të agjencisë Associated Press, Rodrigo Abd, i cili bëri fotografinë e famshme të Vladit, kanë ofruar ndihmë. 

Ndërkohë, megjithë tmerrin e humbjes së nënës së tij, Vladi po e kalon verën me biçikletën e tij - ashtu si shumë fëmijë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat