Si mund të mbijetojmë në një të ardhme të nxehtësisë ekstreme

Bota

Si mund të mbijetojmë në një të ardhme të nxehtësisë ekstreme

Kristie E. Ebi Nga Kristie E. Ebi Më 22 korrik 2022 Në ora: 23:17
Foto ilustrim

Edhe pse gati të gjitha vdekjet e lidhura me të nxehtin janë të parandalueshme, valët e të nxehtit po vrasin mijëra njerëz në mbarë botën çdo vit. Pikërisht në këtë moment, një valë ekstreme e të nxehtit në Indi dhe Pakistan, që ka prekur rreth 1 miliard njerëz, po “teston kufijtë e mbijetesës njerëzore”, paralajmëron Çandni Sing, një nga autorët kryesorë të Raportit të Gjashtë të Vlerësimit të Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike. 

Në prill, temperatura mesatare maksimale në Indinë Veriperëndimore dhe Qendrore ishte më e larta në 122 vjet. Por ky nuk është vetëm një problem i Azisë Jugore. Vitet e fundit, kushte të ngjashme klimatike ekstreme janë vënë re në Shtetet e Bashkuara, Australi, Evropë, Skandinavi dhe Japoni, duke shkaktuar mijëra shtrime në spital dhe vdekje shtesë. 

Nxehtësia ekstreme, lidhet gjithashtu me shtimin e lindjeve të parakohshme, lindjene foshnjave me peshë më të ulët se normalja, apo lindjes së foshnjave të vdekura; rënie të produktivitetit të punëtorëve; norma më të larta të sëmundjeve kronike të veshkave me origjinë të panjohur; si dhe rritje të numrit të vetëvrasjeve.

Po ashtu, temperaturat ekstreme janë një problem “i gjithë shoqërisë”. Kushte të tilla dëmtojnë jo vetëm shëndetin e njeriut; por kanë nga ana tjetër kanë efekte të dëmshme në infrastrukturë, në rendimentet e kulturave bujqësore, si dhe në vdekshmërinë e shpendëve, duke e kërcënuar jetesën dhe minuar sigurinë tonë ushqimore. 

Një shembull është vala e të nxehtit ekstrem që përfshiu në vitin 2021 Paqësorin Veriperëndimor dhe Kanadanë Perëndimore. Ajo ishte një ngjarje që do të ishte praktikisht e pamundur pa ndryshimet klimatike. Ekstremet e temperaturës ishin rreth 5 gradë Celsius mbi të dhënat e mëparshme, duke shkaktuar rreth 1000 vdekje shtesë dhe rritje me 69 herë të shtrimeve në spital të lidhura me vapën e madhe. 

Rendimentet nga të korrat e grurit dhe të qershisë ranë ndjeshëm, dhe miliona midhje, molusqe dhe goca deti zien në habitatet e tyre oqeanike, duke kërcënuar sigurinë ushqimore dhe jetesën për popujt indigjenë dhe në komunitetet me të ardhura të ulëta.

Tashmë, gati 40 për qind e vdekjeve të lidhura me të nxehtin ekstrem, i atribuohen ndryshimeve klimatike. Dhe për shkak se ndryshimet klimatike pritet që të rrisin frekuencën, intensitetin dhe kohëzgjatjen e valëve të të nxehtit, nevoja për masa shtesë për të mbrojtur njerëzit, do të bëhet akoma më emergjente. 

Pa investime të menjëhershme dhe të rëndësishme për të rritur qëndrueshmërinë e komunitetit dhe sistemit shëndetësor,  do të shtohen vdekjet që lidhen me ekspozimin ndaj nxehtësisë. Janë të nevojshme plane veprimi të mirë-komunikuara dhe të bazuara në prova, që njerëzit të qëndrojnë të freskuar  për të reduktuar shtrimet në spital dhe vdekjet. 

Përveç sistemeve të paralajmërimit të hershëm dhe reagimit, nevojitet edhe një planifikim afatgjatë për jetën në një planet më të ngrohtë. Kjo nënkupton ofrimine më shumë hapësirave blu dhe jeshile, ndryshimine materialeve të ndërtimit, dhe fokusimin tek mënyrat sesi njerëzit të qëndrojnë të freskuar.

Sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe reagimit, kërkojnë më shumë se sa vetëm një prag të vetëm për përcaktimin e fillimit të një valë të të nxehtit. Sistemet efektive duhet të përfshijnë gjithashtu procese bashkëpunuese, për të siguruar që ndërhyrjet të marrin parasysh kapacitetet dhe kufizimet lokale. 

Ministritë e Shëndetësisë duhet të punojnë ngushtë me shërbimet hidrometeorologjike, departamentet e policisë dhe zjarrfikësve, shërbimet e urgjencës, agjencitë përgjegjëse për kujdesin e të moshuarve dhe zërat e besueshëm për popullatat e cenueshme (siç janë të rriturit mbi 65 vjeç) dhe komunitetet e margjinalizuara.

Burimet nuk duhet të jenë një pengesë. Sisteme efektive të paralajmërimit të hershëm ekzistojnë tashmë në mbarë botën, duke përfshirë edhe vende me burime të pakta si Ahmedabad në Indi. Për më tepër, organizata si Rrjeti Global i Informacionit Shëndetësor mbi të Nxehtin po mbledhin dhe ndajnë të dhëna mbi përvojat dhe praktikat më të mira lokale dhe kombëtare. 

Kërkesa për udhëzime shtesë po shtohet me shpejtësi, së bashku me frekuencën dhe ashpërsinë në rritje të valëve të të nxehtit. Por shumica e sistemeve të sotme të paralajmërimit të hershëm, nuk i marrin parasysh si duhet rreziqet e ndryshimit të klimës. Për të qenë më përshtatës, planifikuesit duhet të përcaktojnë afate kohore për rishikimin e ndryshimeve në fillim dhe në fund të sezonit të verës, duke pasur bashkëpunime rajonale për të siguruar mesazhe të qëndrueshme. 

Po ashtu do të kenë një rol më të madh sistemet e paralajmërimit të hershëm me nivele, që përbëhen nga disa nivele, siç janë njoftimet mbi temperaturën, të kombinuara me njohuritë lokale të popullatave veçanërisht të cenueshme. Për shembull, paralajmërimet fillestare mund të jepen disa ditë përpara kulmit të valës së të nxehtit, për të paralajmëruar grupet në rrezik si të moshuarit, fëmijët e vegjël dhe gratë shtatzëna. 

Një valë e dytë paralajmërimesh, mund të jepet më pas kur temperaturat janë shumë të larta për punëtorët që punojnë jashtë, apo për njerëzit e përfshirë në sporte ose aktivitete të ngjashme, i pasuar nga një grupim i tretë paralajmërimesh për publikun e gjerë në prag të valës së re të tënxehtit. 

Këto paralajmërime duhet të shoqërohen me komunikime efektive, në mënyrë që njerëzit të motivohen siç duhet për të marrë masat e duhura, dhe të qëndrojnë të freskuar. Edhe pas këtyre përmirësimeve në komunikim, sistemet e paralajmërimit të hershëm duhet të testohen vazhdimisht  për të përcaktuar qëndrueshmërinë e tyre ndaj të nxehtit të papredecentë. 

Kjo mund të bëhet nëpërmjet ushtrimeve midis ekspertëve me situata hipotetike, për të identifikuar dobësitë. Testet duhet të përfshijnë jo vetëm valët e të nxehtit, por edhe rreziqe të ndërlikuara si ngjarjet e njëpasnjëshme:një valë e të nxehtit, e kombinuar me një valë zjarresh të mëdha; apo një valë të nxehti që përkon me një pandemi, siç e përjetoi Paqësori Veriperëndimor në vitin 2021. 

Përpilimi i një harte të cenueshmërisë, mund të jetë një mjet efektiv për t’i ndihmuar vendimmarrësit të përcaktojnë se ku nevojiten më shumë ndërhyrje për të mbrojtur shëndetin dhe mirëqenien e njeriut. Një e ardhme shumë më e ngrohtë, kërkon investime urgjente dhe të menjëhershme, të cilat duhet të bazohet tek praktikat më të mira dhe leksionet e nxjerra nga planet ekzistuese të përshtatjes ndaj të nxehtit ekstrem. 

Modelet e provuara, duhet të zgjerohen më tej për të rritur qëndrueshmërinë. Ne mund t’u mbijetojmë edhe temperaturave jashtëzakonisht të larta, por jo nëse nuk përgatitemi për to.

Shënim: Kristie L.Ebi, profesoreshë e Shëndetit Global dhe Shkencave të Shëndetit Mjedisor dhe Profesional në Universitetin e Uashingtonit, SHBA. / “Project Syndicate”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat