Shpërthimet tronditin portin ukrainas disa orë pas marrëveshjes për eksportin e grurit

Bota

Shpërthimet tronditin portin ukrainas disa orë pas marrëveshjes për eksportin e grurit

Më: 23 korrik 2022 Në ora: 15:36
Foto ilustrim

Shpërthimet kanë tronditur një port kyç të Ukrainës vetëm një ditë pasi Kievi dhe Moska arritën një marrëveshje historike për të lejuar rifillimin e eksporteve të grurit.

Dy raketa goditën qytetin e Odesës në orët e para të mëngjesit të së shtunës, tha ushtria e Ukrainës.

Sipas kushteve të marrëveshjes së të premtes, Rusia ra dakord që nuk do sulmonte portet ndërsa dërgesat e grurit do bëhen me tranzit.

Shefi për Çështjet e Jashtme në BE, Josep Borrell tha se sulmi tregoi “mospërfilljen totale” të Rusisë për ligjin ndërkombëtar.

“Goditja e një objektivi vendimtar për eksportin e grurit një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjeve në Stamboll është i dënueshëm,” shkroi ai në Twitter, duke shtuar se BE “e dënon fuqishëm” sulmin.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres dënoi po ashtu sulmin, duke thënë se zbatimi i plotë i marrëveshjes së grurit midis Rusisë, Ukrainës dhe Turqisë ishte imperativ.

“Këto produkte nevojiten dëshpërimisht për të trajtuar krizën globale të ushqimit dhe për të lehtësuar vuajtjet e miliona njerëzve në nevojë në mbarë globin”, shtoi një zëdhënës i OKB-së.

Teksa fajësoi Moskën për sulmin, shefi i forcave ajrore të Ukrainës tha se magazinat e drithërave në port ishin shënjestruar qëllimisht.

Në një postim në mediat sociale, qendra e komandës jugore të ushtrisë ukrainase tha se dy raketa Kalibr kishin goditur portin, ndërsa dy të tjera ishin rrëzuar nga sistemet e mbrojtjes ajrore.

Oleksiy Honcharenko, një deputet, shkroi në Telegram se porti i qytetit kishte marrë flakë.

“Këta të poshtër nënshkruajnë kontrata me njërën dorë dhe me tjetrën drejtojnë raketa”, shkroi Honcharenko.

Nuk dihet nëse ka viktima apo sa janë dëmet e shkaktuara materiale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat