​Pas Porto Rikos, uragani Fiona arriti në Republikën Domenikane

Bota

​Pas Porto Rikos, uragani Fiona arriti në Republikën Domenikane

Më: 19 shtator 2022 Në ora: 23:17
Foto ilustrim

Uragani Fiona arriti sot në Republikën Domenikane dhe Porto Riko po përgatitet për një ditë tjetër të përmbytjeve të rrezikshme nga reshjet e dendura, tha një agjenci qeveritare amerikane një ditë pasi pothuajse i gjithë ishulli amerikan humbi energjinë.

Republika Domenikane u godit nga reshje jashtëzakonisht të mëdha shiu dhe erëra me shpejtësi rreth 140 kilometra në orë, tha Eric Blake i Qendrës Kombëtare të Uraganeve të SHBA-së (NHC), ndërsa stuhia në Porto Riko ka filluar të zbehet.

Uragani Fiona arriti në Porto Riko dje pasdite, pesë vjet pasi territori i Karaibeve të SHBA u shkatërrua nga uragani Maria.

Pothuajse 90 për qind e Porto Rikos ishte pa energji sot, thanë zyrtarët, duke paralajmëruar se do të duheshin ditë për të rilidhur të gjithë ishullin prej 3.3 milionë banorësh.

Rrjeti energjetik i Porto Rikos mbeti i brishtë pasi uragani Maria në shtator 2017 shkaktoi ndërprerjen më të madhe në historinë e SHBA-së.

Në stuhinë e atëhershme të kategorisë 5 kishin humbur jetën mbi 3.000 njerëz, ndërsa mijëra portorikanë jetojnë ende nën çatitë e improvizuara me pëlhurë gome.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden miratoi dje shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Porto Riko, duke autorizuar Agjencinë Federale të Menaxhimit të Emergjencave të koordinojë ndihmën ndaj fatkeqësive dhe të sigurojë masa mbrojtëse emergjente.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat