​G7: Referendumet e Rusisë të pavlera, do të rrisim sanksionet

Bota

​G7: Referendumet e Rusisë të pavlera, do të rrisim sanksionet

Më: 24 shtator 2022 Në ora: 09:48
Foto ilustrim

Fuqitë e G7 dënuan referendumet “e rreme” të Rusisë që filluan të premten në zonat e Ukrainës të pushtuara nga forcat e Moskës dhe paralajmëruan se janë gati të impononin kosto të mëtejshme ekonomike për këtë veprim armiqësor.

Grupi i demokracive të mëdha të industrializuara thekson se referendumet e orkestruara nga Kremlini nëse do të bashkohen me Rusinë “nuk kanë efekt ligjor apo legjitimitet dhe nuk respektojnë në asnjë mënyrë normat demokratike”.

”Votat në lindje dhe jug të vendit në asnjë mënyrë nuk përfaqësojnë një shprehje legjitime të vullnetit të popullit ukrainas i cili i ka rezistuar vazhdimisht përpjekjeve ruse për të ndryshuar kufijtë me forcë”, deklaruan vendet e G7.

Ato u bëjnë thirrje të gjitha vendeve që “të refuzojnë pa mëdyshje” votat si përpjekje e Rusisë për të siguruar mbulesë të rreme për shkeljet e saj të ligjit ndërkombëtar”.

Në zonat e kontrolluara nga Rusia të rajoneve Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhya dhe Kherson, referendumi për shkëputjen filloi të premten dhe do të mbahet për pesë ditë.

Udhëheqësi separatist Denis Pushilin në Republikën Popullore të Donetskut, i njohur në Rusi, foli për një ditë historike. “Ky referendum është vendimtar, është pikë kthese në një realitet të ri”, tha ai në një video.

Votimi zhvillohet pa pëlqimin e Ukrainës dhe mbahet sipas ligjit ushtarak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat