Historia e gjatë e ndikimit të Vladimir Putinit për të destabilizuar Perëndimin

Bota

Historia e gjatë e ndikimit të Vladimir Putinit për të destabilizuar Perëndimin

Më: 13 tetor 2022 Në ora: 16:38
Vladimir Putin

Rusia e Putinit përdor fondet. Por instrumentet e saj të ndikimit janë mbi të gjitha të tjerat.

I njëjti zyrtar i lartë i administratës së Xho Bajden, që në një video-konferencë raportoi se inteligjenca amerikane ka zbuluar të paktën 300 milionë dollarë transferta sekrete për partitë politike, drejtuesit dhe politikanët e huaj në 24 vende që nga viti 2014, shtoi se Shtetet e Bashkuara, presin një përdorim në rritje të mjeteve të ndikimit të fshehtë nga rusët gjatë muajve të ardhshëm.

Kjo fushatë synon të sabotojë sanksionet ndërkombëtare për shkak të luftës në Ukrainë, si dhe për të ruajtur ndikimin e Rusisë në botë. Kur flitet mbi operacionet, për të cilat Kremliniështë akuzuar në të kaluarën për ndikim në politikën e jashtme, si për shembull me Brexit, zgjedhjen e Donald Trump president, protestat e separatistëve në rajonin e Katalonjës në Spanjë, humbjen e referendumit të Mateo Rencit në Itali, propagandës kundër vaksinave apo presion ndaj presidentit italian Serxho Matarela për të inkurajuar formimin e një qeverie më pro-ruse, referenca është në thelb për një punë të kryer në platformat e rrjeteve sociale.

Sidomos përmes një Agjencie të Kërkimeve në Internet me seli në Shën Petersburg, e cila ka fituar pseudonimin “fabrika e trolleve”, dhe financuesi i së cilës është Jevgeni Prigozhin.

I ashtuquajturi “Kuzhinieri i Putinit” ka krijuar edhe kompaninë private të mercenarëve “Vagner” që synon të përforcojë ndikimin e Rusisë në vende të ndryshme të botës.

Departamenti i Shtetit, ka deklaruar se ka dërguar dokumentacionin përkatës në ambasadat dhe konsullatat në vendet në fjalë. Por sipas shërbimeve amerikane, kjo shumë do të ishte vetëm maja e ajsbergut. Pra 300 milionë dollarët, janë vetëm një shumë minimale, dhe Moska ndoshta ka preferuar të transferojë fonde të tjera më në fshehtësi.

Në të nuk përmenden emra apo vende, por Departamenti i Shtetit thotë se mund t’i bëjë publike së shpejti. Është e paqartë nëse ka ndonjë problem me hetimin apo deshifrimin, apo nëse emrat lihen qëllimisht pezull për të mbajtur dikë nën presion. Por fakti që financimi nuk është mjeti kryesor i ndikimit të Putinit, u përmend që në vitin 2017 gjatë një aktiviteti në Romë nga politologu ukrainas Anton Shekovcov.

Një nga ekspertët kryesorë në marrëdhëniet midis Putinit dhe lëvizjeve populiste të së djathtës dhe të majtës, dhe autor i një libri mbi historinë e tërheqjes reciproke midis Rusisë sovjetike dhe post-sovjetike dhe fashizmit dhe radikalizmit krahu i djathtë, Shekovcov deklaroi në atë kohë se “provat më të forta për financimin real nga Rusia kanë të bëjnë vetëm me një grupim të vogël të ekstremit të djathtë në Poloni, që nuk ka shumë ndikim”.

Në fakt, ishin edhe 9 milionë eurot që mori hua në vitin 2017 partia e Marin Lë Pen nga “First Czech Russian Bank”. E themeluar në vitin 1996, me kapital në Pragë dhe Moskë, e blerë në vitin 2002 nga “StroyTransGaz”, kompania ruse që ndërton gazsjellësit për  “Gazprom”.

Më 20 prill, presidenti francez Emanuel Makron e sulmoi Lë Pen gjatë një debati elektoral dhe ajo u përgjigj: “Nëse u detyrova të shkoja jashtë vendit për një kredi, kjo ka ndodhur sepse asnjë bankë franceze nuk ka pranuar të ma japë atë. Unë jam një grua absolutisht e lirë”.

Por sipas hetimeve të mëvonshme nga “Le Monde” dhe “Mediapart”, Lë Pen u kishte kërkuar bankave ruse 40 milionë euro kredi. Më pas, në shkurt 2019, u zbulua historia e takimit të zhvilluar më 18 tetor 2018 në hotelin Metropol në Moskë, midis 3 italianëve dhe disa rusëve të paidentifikuar.

Ndër italianët ishte Xhanluka Savoini, një drejtues i LEGA, partia e së djathtës ekstreme, president i shoqatës Rusi-Lombardi, ish-zëdhënës i Mateo Salvinit, dhe një lobist i fortë i marrëdhënieve midis Rusisë dhe kësaj partie. Flitet se në atë takim pati negociata për shitjen e naftës.

Marrëveshja parashikonte një financim të fshehtë të fushatës elektorale të LEGA në kuadër të zgjedhjeve për në Parlamentin Evropian. Tre milionë tonë naftë do të bliheshin nga “ENI” për 1.5 miliardë dollarë, ndërsa 65 milionë dollarë nga kjo shumë do të kalonin në arkën e LEGA-s.

Një ditë më herët, më 17 tetor, po në Moskë, Ministri i Brendshëm i atëhershëm Mateo Salvini kishte marrë pjesë në një takim të organizuar nga Confindustria në hotelin “Lotte”, ku mori pjesë edhe Savoini. Në fakt, shumë analistë thanë menjëherë se ishin të sigurt se takimi ishte mbikëqyrur nga shërbimet ruse, pasi hoteli Metropol është dukshëm nën kontrollin e rreptë të FSB-së.

Në realitet, një marrëdhënie organike midis LEGA-s dhe regjimit të Putinit, ekziston në formën e një pakti bashkëpunimi me partinë Putiniane Rusia e Bashkuar. I nënshkruar në Moskë më 6 mars 2017, ai skadoi më 6 mars të këtij viti, por në mungesë të komunikimit u rinovua automatikisht deri më 6 mars 2027.

Siç kujtonte gjithmonë Shevkocov, në atë kohë LEGA votoi sistematikisht pozicionet pro Putinit në Evropë. Në Parlamentin Evrpian kjo parti u inkuadrua brenda një grupi në të cilin ai është pjesë e një bërthame të fortë pro-Kremlinit, së bashku me partinë e Marin Le Pen dhe Partinë e Lirisë (FPÖ) nga Austria.

Nga kjo e fundit mund të kujtojmë sesi më 18 maj 2019 Hajnc –Kristian Strahe dha dorëheqjen si kreu i partisë, si zëvendëskancelar dhe Ministër i Shërbimit Civil dhe Sportit, pas publikimit nga gazetat “Suddeutsche Zeitung” dhe “Der Spiegel”, të një videoje të xhiruar në vitin 2017 në Ibiza, ku ai pranonte oferta ryshfeti nga e vetëquajtura mbesa e një oligarku rus, që ishte në fakt një gazetare investigative.

Tek kjo aleancë përfshihet “Alternativën für Deutschland” (Afd). Një investigim i përbashkët i vitit 2019 nga “Spiegel”, “ZDF” dhe “BBC” mbi përpjekjet e Kremlinit për të ndikuar tek parlamentet e vendeve të BE-së në vitin 2017, u publikua një dokument mbi deputetin e AfdMarkus Fronmaher.

Sipas një raporti të inteligjencës së BE-së, ai u kishte kërkuar rusëve ndihmë për zgjedhjet parlamentare në Gjermani në vitin 2017, në këmbim të besnikërisë në politikën e jashtme. Po ashtu gjatë asaj fushate, 3 anëtarë të Afd shkuan në Moskë me bileta të paguara nga rusët.

Në fakt, muajt e fundit Afd-ja ka bërë një fushatë shumë të ashpër kundër sanksioneve, madje deri në atë pikë saqë kancelari Sholc e ka etiketuar atë si një “parti të Rusisë”. Pra ka dyshime për financime si dhe dëshmi për mbështetje. Në Itali, kjo ka të bëjnë jo vetëm me LEGA-n, por edhe me partinë Pesë Yjet dhe Forza Italia.

Në të kaluarën në listë ishin edhe Fratelli D’Italia të Xhorxhia Melonit, por tani duket se kjo parti e ka ndryshuar radikalisht linjën e saj. Gjithsesi të tria partitë e qendrës së djathtë u akuzuan gjatë një interviste nga ish-ambasadorin amerikan në NATO, Kurt Volker. “Simpatitë e LEGA-s dhe Berluskonit për Rusinë ishin të njohura. Por tani mendohet se edhe Vëllezërit Italianë mund të kenë marrë para nga rusët. “Ne e dimë prej vitesh që rusët shpenzojnë për të ndikuar në zgjedhjet në të gjithë Perëndimin. Ata kërkojnë të nxisin ndarjen në shoqëritë tona dhe midis vendeve tona. 300 milionë nuk është ndonjë shumë e madhe. Por ajo ka përmirësuar perspektivat e disa partive, si ajo e Lë Pen në Francë dhe Fratelli D’Italianë Italia”- tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat