LIVE: Lëshimi i “bombës së pistë” - NATO dhe SHBA paralajmërojnë Putinin në rast të përshkallëzimit të konfliktit

Bota

LIVE: Lëshimi i “bombës së pistë” - NATO dhe SHBA paralajmërojnë Putinin në rast të përshkallëzimit të konfliktit

Nga: H.O. Më: 24 tetor 2022 Në ora: 07:51 Përditësuar në ora: 23:39 më 24.10.2022
Vladimir Putin, foto ilustrim

SHBA: Rusia do të përballet me pasoja për përdorimin e ‘bombës së pistë’ ose armës bërthamore

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Ned Price thotë se do të ketë pasoja për Rusinë nëse ajo përdor një të ashtuquajtur "bombë të pistë" ose një armë bërthamore konvencionale, përcjell Bota sot.

Uashingtoni dhe vende të tjera perëndimore kanë akuzuar Rusinë për komplot për të përdorur një kërcënim të një pajisjeje të lidhur me materiale bërthamore si një pretekst për përshkallëzimin në Ukrainë.

I pyetur nëse Uashingtoni do ta trajtonte përdorimin e një "bombë të pistë" njësoj si çdo bombë tjetër bërthamore, Price tha se "do të kishte pasoja" për Rusinë në çdo rast.

“Nëse përdor një ‘bombë të pistë’ ose një bombë bërthamore. Ne kemi qenë shumë të qartë për këtë, "u tha Price gazetarëve.

NATO paralajmëron Rusinë: Mos përdorni “bombën e pistë” si pretekst për përshkallëzim konflikti

NATO ka thënë se Rusia nuk duhet të përshkallëzojë konfliktin në Ukrainë me pretendime të rreme se Kievi po planifikon të lëshojë një të ashtuquajtur “bombë të pistë”.

Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, tha pas akuzave të përsëritura të Moskës se Ukraina mund të vendoste një armë të tillë, duke shkaktuar frikë se Rusia mund ta përdorte një dhe të fajësonte Kievin.

“Aleatët e NATO-s e kundërshtojnë këtë pretendim. Rusia nuk duhet ta përdorë atë si pretekst për përshkallëzim. Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për Ukrainën”, shkroi ai në Twitter.

Kremlini ka pretenduar se Ukraina është në “fazat përfundimtare” të zhvillimit të një bombe të pistë, një pretendim i hedhur poshtë fuqishëm nga Kievi. 

Pelosi për dronët iranian: Është një teknologji e rrezikshme që duhet të ndalet

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndihmojnë Ukrainën, pavarësisht rezultateve që do të dalin nga zgjedhjet e ardhshme në SHBA, ka bërë të ditur kryetarja e Senatit amerikan Nancy Pelosi.

Më 8 nëntor, amerikanët do të votojnë për Kongresin, gjë që mund të ndryshojë ekuilibrin e pushtetit në Dhomën e Përfaqësuese dhe Senatin.

Nëse Republikanët marrin kontrollin, analistët besojnë se Uashingtoni mund të ndalojë ose reduktojë ndihmën për Ukrainën.

“Mbështetja jonë nuk do të ndalet”, tha Pelosi në një konferencë për shtyp në Zagreb të Kroacisë së bashku me kryeministrin Andrej Plenkoviq.

Liderja e demokratëve në Senat, tha se Kievi ka mbështetjen e të dyja partive dhe të dy dhomave të Kongresit dhe se kjo mbështetje fillon në Shtëpinë e Bardhë.

Pelosi theksoi se mbështetja e SHBA-ve për Ukrainën nuk është një “çek i bardhë”, sepse ai vend ka treguar integritet dhe transparencë në marrjen e ndihmës.

“Kjo është një marrëdhënie me integritet të madh, për demokracinë dhe lirin në botë”, shtoi Pelosi.

Duke folur për dronët e Iranit që po i përdor Rusia, Pelosi tha se Teherani po bën gabim të madh dhe se marrëdhënia Rusi-Iran, është një mesazh për ato vende që abstenojnë nga votimi në organet globale që dënojnë veprimet e Moskës të “mendojnë përsëri”.

Pelosi këmbënguli se Ukraina po arrtin “suksese të caktuara” kundër dronëve.

“Është një teknologji e rrezikshme që duhet ndalur”, tha për fund Pelosi.

Zelensky thirrje Izraelit: Ka ardhur koha të zgjidhni me kë jeni

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i ka kërkuar Izraelit që t’i bashkohet luftës kundër Rusisë dhe ka përsëritur një apel për sistemet izraelite të mbrojtjes ajrore.

“A nuk ka ardhur koha që shteti juaj të zgjedhë edhe me kë jeni? A është me botën demokratike, e cila po lufton krah për krah kundër kërcënimit ekzistencial të saj? Ose me ata që mbyllin sytë para terrorit rus, edhe kur kostoja e terrorit të vazhdueshëm është shkatërrimi i plotë i sigurisë globale”, tha ai për gazetën izraelite Haaretz.

Izraeli ka refuzuar t’i shesë Kievit armë të mbrojtjes ajrore, i kujdesshëm për tensionimin e marrëdhënieve me Moskën, pavarësisht raporteve se Irani po ofron mbështetje për pilotët rusë që fluturojnë me drone të prodhuar nga Irani për të bombarduar objektivat civilë në Ukrainë.

Moska ka mohuar përdorimin e saj të dronëve iranianë kundër qyteteve ukrainase, por zyrtarët e Teheranit e kanë konfirmuar atë dhe kanë thënë se do të furnizojnë gjithashtu raketa balistike për të ndihmuar në rimbushjen e armatimeve pakësuara të Rusisë.

Izraeli e ka dënuar pushtimin e Rusisë dhe e ka kufizuar ndihmën e tij në dërgimin e ndihmave humanitare dhe pajisjeve mbrojtëse. Së fundmi ajo ofroi të ndihmonte ukrainasit të zhvillonin alarme për sulmet ajrore për civilët.

Duke folur sot, presidenti Zelensky tha se kjo nuk ishte e mjaftueshme dhe kërkoi që liderët izraelitë të rishqyrtojnë dërgimin e mbrojtjes ajrore gjithashtu. 

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, bisedon me homologun britanik dhe atë amerikan

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valeriy Gerasimov, ka biseduar sot me shefin e Shtabit të Mbrojtjes britanike, Tony Radakin dhe me kreun e Shtabit të ushtrisë amerikane, Mark Milley.

Ministria ruse e Mbrojtjes, ka njoftuar se Radakin dhe kolegu i tij britanik kanë diskutuar për pretendimet se Ukraina po prodhon bombën e pistë, transmeton Telegrafi.

Radakin ka hedhur poshtë pretendimet e Rusisë se Ukraina planifikon aksione ushtarake për eskalim të luftës, thuhet në kumtesën e ministrisë britanike të Mbrojtjes.

Zëdhënësi i kësaj ministrie britanike, ka theksuar se shefat e ushtrisë janë pajtuar se është e rëndësishme të mbajnë kontakte.

“Krerët e ushtrive u pajtuan për rëndësinë e mbajtjes së kanaleve të hapura të komunikimit mes Mbretërisë së Bashkuara dhe Rusisë”, thuhet ndër tjera në kumtesë.

Kjo bisedë pasoi pas një bisede tjetër të realizuar dje mes ministrit rus të Mbrojtjes me ministrat e Jashtëm të Francës, Mbretërisë së Bashkuara dhe SHBA-ve.

Një bisedë të ngjashme Radakin pati me ushtarakun amerikan Mark Milley, me të cilin diskutuan për situatën aktuale në Ukrainë. 

Rusisë po i mbarohen pajisjet luftarake? Medvedev: Mos shpresoni kot, prodhimi është rritur

Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev është shprehur të hënën se prodhimi i armëve dhe pajisjeve të tjera luftarake në vend po rritet. Deklaratën, Medvedev e ka bërë në kanalin e tij në Telegram.

Medvedev, një aleat i vendosur i presidentit rus Vladimir Putin, e bëri deklaratën si reagim ndaj raportimeve të fundit nga analistë perëndimorë të mbrojtjes, sipas të cilëve, Rusisë po i mbarojn raketat dhe automjetet e blinduara që i nevojiten për të vazhduar pushtimin në Ukrainë.

“Duke lexuar ato që thotë armiku, kam hasur vazhdimisht në deklarata se pajisjet ushtarake dhe armët në Rusi së shpejti do të mbarojnë. Sikur gjithçka është përdorur tashmë”, tha Medvedev.

“Mos shpresoni! Prodhimi i armëve dhe pajisjeve speciale po rritet nga tanket dhe armët tek raketat dhe dronët me precizion të lartë. Vetem prisni!” tha ai.

Medvedev shtoi se të hënën, pas udhëzimeve të dhëna nga Putin, ka pasur një kontroll të prodhimit të tankeve në korporatën Uralvagonzavod në Nizhny Tagil, e cila është prodhuesi më i madh rus i automjeteve të blinduara.

Edhe këtë e bëjnë rusët, vetëm pse i përket besimit islam – ushtarët e Putinit rrahin brutalisht kolegun e tyre

Një video amatore që po qarkullon në rrjetet sociale, shfaq disa burra të veshur me rroba ushtarake dhe me flamurin rus në kraharor, e cila ka nxitur reagime të ashpra.

Raportohet se disa ushtarë rusë rrahin kolegun e tyre – arsyeja është krejt bizare, pasi që viktima i përkiste besimit islam.

Madje në video dëgjohet duke e sharë dhe vazhdimisht duke ia bërë me dije, se po e rrahin vetëm pse është mysliman.

Mjaftoi postimi i kësaj videoje, që të shpërfaq realitetin e ushtrisë së Vladimir Putinit.

Ata përveç se nuk po arrijnë të realizojnë qëllimet në Ukrainë, por kanë filluar të sulmojnë kolegët – pra ushtarët e tjerë rusë por që i përkasin besimit islam. 

Ukraina: Vonesat e dërgesave të grurit janë të motivuara politikisht

Ukraina ka deklaruar se vonesat e dërgesave të grurit përmes Detit të Zi ishin “të motivuara politikisht”, sipas mediave të huaja.

“Ne kemi arsye të besojmë se vonesat në dërgesat e grurit janë të motivuara politikisht,” tha ministria e jashtme në një deklaratë.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se zhbllokimi i dërgesave nga portet e Detit të Zi do të varet nga informacioni i OKB-së se në cilat vende po dërgohet gruri.

Izraeli i dha Ukrainës informata për të rrëzuar dronët e prodhuar nga Irani?

Ukraina ka rrëzuar dronët iranianë me të cilët është furnizua Rusia – dhe këtë po e bën me ndihmën e inteligjencës izraelite, sipas një raporti në New York Times.

Megjithatë, siç shkruan Sky News, mediumi amerikan nuk specifikoi se çfarë informacioni iu ofrua autoriteteve ukrainase.

Pas një sulmi me dron në Kiev, ministri i jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba thuhet se i bëri thirrje Izraelit për armë të mbrojtjes ajrore.

Megjithëse ministri i mbrojtjes i Izraelit, Benny Gantz refuzoi të ofrojë armë – kryesisht për shkak se Izraeli varet nga bashkëpunimi rus për forcat e tij ajrore për të kryer “bastisje” në Siri – ai tha se do të siguronte sisteme paralajmërimi të hershëm.

Ndërkohë inteligjenca britanike sugjeron se Rusia po përdor ende dronët iranianë në të gjithë territorin e Ukrainës.

Rusia ka të ngjarë të përdorë UAV-të iraniane Shahed-136 për të depërtuar në mbrojtjen ajrore ukrainase dhe si një zëvendësim për raketat e saj precize me rreze të gjatë veprimi, tha Ministria Britanike e Mbrojtjes.

Ajo shtoi se përpjekjet e Ukrainës për të “kontrolluar” dronët kanë qenë të suksesshme.

Rusia dyshohet se është kthyer në përdorimin e dronëve iranianë “kamikaze” – të quajtur kështu sepse bien dhe shpërthejnë në objektiva – pasi asaj kanë filluar t’i mbarojnë armët e saj precize me rreze të gjatë veprimi.

Javën e kaluar, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania i bënë thirrje Kombeve të Bashkuara të hetojnë akuzat që Rusia po përdorte dronët e prodhuar nga Irani në Ukrainë.

Por Irani ka mohuar fuqishëm se i ka shitur armë të tilla Moskës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat