Monitorimi i Kombeve të Bashkuara: Si Rusia edhe Ukraina torturuan të burgosurit

Bota

Monitorimi i Kombeve të Bashkuara: Si Rusia edhe Ukraina torturuan të burgosurit

Më: 15 nëntor 2022 Në ora: 22:54
Foto ilustrim

Sipas një monitorimi të Kombeve të Bashkuara, Rusia dhe Ukraina kanë torturuar të burgosur të luftës. 

Përfundimi bazohet në intervistat me mbi 159 të burgosur në Rusi dhe 175 të burgosur në Ukrainë. 

Hetuesit raportojnë se vetëm Ukraina u ka dhënë atyre mundësi të intervistojnë të burgosurit rusë të luftës në vendet e internimit. Ata thonë se Rusia nuk u dha atyre akses të ngjashëm, ndaj intervistat me të burgosurit ukrainas të luftës janë bërë pas lirimit të tyre. 

Duke folur nga Kievi, Matilda Bogner, udhëheqëse e misionit monitorues të Kombeve te Bashkuara në Ukrainë, tha se të burgosurit ukrainas që janë intervistuar kanë raportuar se janë torturuar sapo janë kapur. 

Ajo përmendi se kur kishin arritur në qendrat e internimit në Rusi, të burgosurit ishin kërcënuar, ishin sulmuar nga qentë, kishin pësuar goditje me rrymë elektrike dhe dhunë seksuale. 

Zonja Bogner raportoi se ishte kishte marrë informacion se 9 të burgosur kishin vdekur nga këto të ashtuquajtura “procedura pranimi” që nga mesi i muajit prill. Ajo tha se ekipi i saj po punon për konfirmimin e vdekjeve të raportuara. 

"Shumica dërrmuese e atyre që intervistuam na thanë se gjatë internimit ishin torturuar dhe keqtrajtuar," tha ajo. “Tortura dhe keqtrajtimi u përdor për të detyruar të burgosurit e luftës të jepnin informacion ushtarak. Ata intervistoheshin çdo ditë për t'i frikësuar dhe për t'i poshtëruar.” 

Zonja Bogner tha se misioni i Kombeve të Bashkuara ka dokumentuar se të burgosurit rusë janë torturuar dhe keqtrajtuar nga anëtarë të Forcave të Armatosura të Ukrainës. Sipas saj, disa burra kanë deklaruar se janë goditur me grushte e shkelma pasi janë marrë në pyetje. Të tjerë kanë raportuar se kishin pësuar goditje me rrymë elektrike. 

Zonja Bogner tha se ajo dhe ekipi i saj monitorues nuk kanë shkuar ende në Kherson, qytet i cili është tashmë në kontrollin e ukrainasve, por se monitorimi ishte kryer në fshatrat përreth, të braktisur nga forcat ruse në javët e shkuara. 

Ajo tha se ata kanë "dokumentuar 70 - 80 raste arrestimi dhe burgimi të jashtëligjshëm, në këto zona”. 

Zonja Bogner tha se misioni do të hetojë krimet e dyshuara të luftës dhe shkeljet e të drejtave të njeriut dhe të ligjit ndërkombëtar humanitar që mund të jenë kryer nga forcat ruse në Kherson./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat