​Euro u forcua kundrejt dollarit dhe jenit, bitcoin ra me 0.4 për qind

Bota

​Euro u forcua kundrejt dollarit dhe jenit, bitcoin ra me 0.4 për qind

Më: 27 dhjetor 2022 Në ora: 12:43
Ilustrim

Dollari ra sot kundrejt monedhave kryesore në botë, përfshirë euron, pasi Kina njoftoi heqjen e karantinës për udhëtarët që vijnë, gjë që nxiti oreksin e investitorëve për monedha më të rrezikshme.

Duke filluar nga 8 janari, Kina do të heqë kërkesën që udhëtarët që mbërrijnë në vend të kalojnë në karantinë edhe pse numri i rasteve me Covid rritet, tha të hënën Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë.

Në të njëjtën kohë, Pekini lehtësoi rregullat për menaxhimin e infeksionit Covid, duke i ulur ato në kategorinë B nga kategoria më e lartë A.

Euro u rrit 0.2 për qind kundrejt dollarit amerikan në 1.06545 dollarë dhe u forcua kundrejt jenit në 141.89 jen.

Analistët thonë se heqja graduale e politikës së Kinës për zero-Covid mund të sigurojë një nxitje shtesë për euron, e cila është në rritje falë Bankës Qendrore Evropiane që mban një qëndrim shumë më të ashpër ndaj inflacionit nga sa prisnin investitorët.

"Një heqje më e shpejtë e kufizimeve të Covid-it do të mbështeste ekonominë kineze dhe do të përfitonte eurozonën dhe euron," vlerësojnë strategët e Danske Bank.

Me tregjet e kapitalit në Mbretërinë e Bashkuar të mbyllura për një festë publike, tregtimi në funte ishte i heshtur sot me monedhën britanike që mbahej e qëndrueshme në rreth 1,2071 dollarë.

Indeksi i dollarit amerikan, i cili mat vlerën e monedhës së gjelbër kundrejt një shporte prej gjashtë konkurrentësh kryesorë, u dobësua me 0.1 për qind në 104.04 pikë.

Jeni japonez ra 0.2 për qind kundrejt dollarit në 133.07 jen.

Guvernatori i BOJ-së, Haruhiko Kuroda të hënën përjashtoi çdo shans për një dalje nga politika monetare ultra e lirshme në të ardhmen e afërt, mes spekulimeve në tregje dhe midis politikë-bërësve se mandati i Kuroda përfundon në prill 2023.

Juani u rrit 0.1 për qind në 6.9686 për dollar në tregjet jashtë Kinës kontinentale.

Sa i përket kriptomonedhave, sipas të dhënave më të fundit, bitcoin u dobësua me 0.4 për qind në 16.858 dollarë, ndërsa eteri ra me 0.8 për qind në 1,217,90 dollarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat