Ja si e zbuluan vendndodhjen e tyre, trupat ruse që u goditën

Bota

Ja si e zbuluan vendndodhjen e tyre, trupat ruse që u goditën

Më: 6 janar 2023 Në ora: 16:09
Foto ilustrim

Trupat ruse mund të kenë zbuluar vendndodhjen e tyre në një sulm vdekjeprurës në Ukrainën lindore duke përdorur telefonat e tyre celularë për të telefonuar familjet, për Vitin e Ri, sugjerojnë disa analistë.

Moska ka fajësuar përdorimin e paautorizuar të telefonave celularë nga ushtarët e saj për goditjen e drejtpërdrejtë në Makiivka, e cila vrau të paktën 89 ushtarë rusë në natën e Vitit të Ri.

Emily Ferris, një studiuese për Rusinë dhe Euroazinë në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (Rusi) në Londër, tha se ishte “shumë e vështirë për të verifikuar” nëse sinjalizimi i telefonit celular dhe gjeolokimi ishin fajtorë, dhe vuri në dukje se fajësimi i vetë ushtarëve ishte një “rrëfim i dobishëm” për Moskën.

Por disa ekspertë besojnë se mund të ketë ndihmuar Ukrainën në organizimin e sulmit të tyre.

William Alberque, drejtor i strategjisë, teknologjisë dhe kontrollit të armëve në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, tha: “Ka shumë mjete që mund t’ju ndihmojnë të identifikoni vendndodhjen e një numri të madh njerëzish që përdorin të njëjtat sinale celulare, duke trekëndëshuar pozicionin e tyre.

“Në fushën e betejës, ka edhe më shumë mjete për të ndihmuar në mbledhjen e sinjaleve elektronike dhe gjetjen e tyre.

“Do të kishte kuptim që shumë ushtarë rusë, të njohur për keqdisiplinimin dhe sigurinë e dobët të operacioneve, po telefononin në shtëpi për Vitin e Ri, dhe kështu u zbuluan dhe u shënjestruan.”

Alberque tha se kjo nuk do të ishte hera e parë që ushtria ukrainase kishte përdorur këtë teknikë për të sulmuar forcat ruse. “Kjo është e njëjta metodologji që Ukraina ka përdorur për të targetuar një sërë objektivash me vlerë të lartë,” tha ai.

“Shumë nga sulmet që vranë oficerët rusë në fillim të konfliktit u ndihmuan nga një rritje e madhe e sinjaleve elektronike”.

Profesor David Lewis, ekspert ushtarak, tha se shënjestrimi i artilerisë në bazë të sinjaleve të telefonit celular është një teknikë e besueshme.

Por ai gjithashtu theksoi rolin e mundshëm që luan popullsia vendase. Ai përmendi shembullin e Khersonit në Ukrainën jugore, ku vendasit u jepnin informacion forcave ukrainase ndërsa qyteti ishte i pushtuar nga trupat ruse.

“Ukraina ka treguar se ka inteligjencë mjaft të mirë për vendndodhjet e trupave ruse dhe ka qenë aktive në përdorimin e saj”, shtoi ai.

Vendimi i Rusisë për të fajësuar përdorimin e telefonave të ushtarëve, ishte, siaps tij, “një përpjekje për të larguar vëmendjen nga dështimi më i madh” dhe Kremlini nuk kishte marrë mësime që nga fillimi i konfliktit. Ai shtoi se shumë nga forcat e sapomobilizuara ishin të trajnuara dobët dhe nuk i dinin realisht qëllimet e luftës.

Gjeneral-Lejtnanti rus Sergei Sevryukov tha se sinjalet telefonike lejuan forcat e Kievit të “përcaktojnë koordinatat e personelit ushtarak” dhe u zotua të ndëshkojë zyrtarët përgjegjës. Ushtria ruse po merrte masa për të “parandaluar incidente të ngjashme tragjike në të ardhmen”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat