Brazilianët kërkojnë vënien para drejtësisë të autorëve të trazirave

Bota

Brazilianët kërkojnë vënien para drejtësisë të autorëve të trazirave

Më: 10 janar 2023 Në ora: 17:13
Foto ilustrim

Mijëra brazilianë mbushën rrugët e qyteteve më të mëdha të vendit, duke kërkuar dënimin e mbështetësve të ish-presidentit Jair Bolsonaro që sulmuan institucionet qeveritare të dielën. Rreth katër mijë mbështetës të zotit Bolsonaro, të cilët nuk i pranojnë rezultatet e zgjedhjeve të tetorit, kryen akte vandale ndaj ndërtesave qeveritare të vendit mes tyre Kongresit, Gjykatës së Lartë dhe pallatit presidencial në kryeqytetin e vendit, Brazilia.

Në Brazil, mijëra demonstrues pro-demokracisë dolën në rrugët e Sao Paulos të hënën, një ditë pasi mbështetësit e ish-presidentit Jair Bolsanaro sulmuan institucionet kryesore të vendit. Demonstruesit mbanin pankarta me thirrjet që autorët e trazirave të së dielës të vendosen para drejtësisë.

“Ata që dhanë urdhërat (për sulmet) dhe bashkëpunëtorët e tyre duhet të ndëshkohen. Ata që e financuan këtë duhet të dënohen. Ata nuk e përfaqësojnë Brazilin, ne e përfaqësojmë Brazilin”, thotë protestuesja 61-vjeçare Bety Amin.

Një javë pas inaugurimit të presidentit të ri të vendit, Luiz Inácio Lula da Silva, i njëti bulevard u bë skenë e një përpjekje për grusht shteti. Rreth katër mijë mbështetës të ish-presidentit Jair Bolsonaro sulmuan ndërtesën e Kongresit, Gjykatën e Lartë dhe pallatin presidencial.

Turma e njerëzve dëbuan policët, thyen xhama, shkatërruan mobilje dhe u futën me dhunë në ndërtesat historike. Ata filmuan skenat vandale ndërsa sulmuan rezidencën e presidentit, Senatin, duke shkatërruar vepra arti e duke u vënë zjarrin. Hyrja kryesore e ndërtesës së Gjykatës së Lartë të Brazilit u shkatërrua.

Qindra protestues u arrestuan, por vetëm pasi Presidenti Lula nënshkroi një dekret për ndërhyrjen e forcave federale. Një video tregon policinë që nuk vepron pasi një turmë e madhe protestuesish hyn në ndërtesat qeveritare. Në videot e postuara në mediat sociale shihen punonjësit e rendit tek ecin në këmbë dhe me makina përgjatë demonstruesve që marshojnë drejt ndërtesave qeveritare.

Presidenti Lula, i cili nuk ishte në Brazilia gjatë trazirave, formoi një komision për krizën dhe tha se do të hetojë dhe arrestojë personat e përfshirë.

“Ata janë fashistë, që përfaqësojnë çdo gjë të neveritshme. Ata janë vandalë të vërtetë, që shkatërruan gjithçka që u doli përpara. Të gjithë do të kapen dhe do të ndëshkohen. Demokracia garanton të drejtën e lirisë, por gjithashtu kërkon që njerëzit të respektojnë institucionet”, tha Presidenti Lula.

Zoti Bolsonaro, i cili ndodhet në Florida që pas largimit nga pushteti, u distancua nga sulmet.

“Demonstratat paqësore, në bazë të ligjit, janë pjesë e demokracisë. Megjithatë, sulmet dhe futja me dhunë në ndërtesa publike siç ndodhi sot, si dhe ato të nxituara nga e majta në 2013 dhe 2017, bien ndesh me sundimin e ligjit”, shkruante zoti Bolsonaro në rrjetin Twitter.

Ai tha se qeveria e ka lidhur atë me trazirat pa patur prova. Komentuesit thonë se ish-presidenti mund të hetohet. Zëri i Amerikës bisedoi me analistin politik Vinicius Vieira.

“Bolsonaro është një prej përgjegjësve për këtë sulm. Ai shihet si një këshilltar i saj, sepse dhjetëra herë ka sugjeruar këto lloj veprimesh gjatë mandatit të tij. Ai ka heshtur pas zgjedhjeve për të mos pranuar humbjen. Kjo ushqeu tek mbështetësit ndjenjën se grushti i shtetit ishte i mundur”.

Deri në fund të muajit siguria në kryeqytetin e vendit, Brazilia, do të garantohet nga policia dhe ushtria braziliane./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat