LIVE: Ushtria ukrainase përgjon bisedën e ushtarit rus, ja çfarë zbulohet - Berlusconi kritikon ashpër presidentin ukrainas!

Bota

LIVE: Ushtria ukrainase përgjon bisedën e ushtarit rus, ja çfarë zbulohet - Berlusconi kritikon ashpër presidentin ukrainas!

Nga: Bota sot Më: 13 shkurt 2023 Në ora: 07:52 Përditësuar në ora: 16:29 më 13.02.2023
Foto ilustrim

Kundërzbulimi i ushtrisë ukrainase përgjon bisedën e ushtarit rus: Shkurti do të jetë vendimtar

Kundërzbulimi i ushtrisë ukrainase ka publikuar një bisedë të përgjuar mes një ushtari rus dhe gruas së tij, në të cilën ai ankohet se mund të shkojë me pushime pas gjashtë muajsh ose ndoshta vetëm pas një viti, duke shtuar se muaji shkurt do të jetë muaji vendimtar.

“Ata thonë se shkurti do të jetë muaji vendimtar sepse ata po mbledhin trupa. Ne kemi mbledhur trupat tona dhe pajisjet e reja ushtarake, kanë sjellë gjithashtu pajisje. Ky muaj ndoshta do të jetë përcaktues. Ose do të fitojmë ose do të prishim punë dhe lufta do të vazhdojë”, dëgjohet të thotë një ushtar rus në videon e publikuar.

Ushtari i mobilizuar rus, ankohet gjithashtu se komanda i detyron vëllezërit e tij të nënshkruajnë kontratën, raporton Ukrainian Pravda.

“Na thanë se ndoshta ushtarët e mobilizuar do t’i lënë me pushime për gjysmë viti apo një vit, por në përgjithësi ne do të qëndrojmë këtu deri në fund të operacionit ushtarak. Ata as nuk duan të lënë personelin joushtarak. Dëshironi të dini të vërtetën? Ka vetëm një mënyrë për të shkuar në shtëpi. Në fakt, ka dy mënyra: rruga e parë është në arkivol, dhe mënyra e dytë është në fund të kësaj lufte. Kur gjithçka të ketë mbaruar, atëherë ndoshta do të kthehem”, i thotë ushtari gruas së tij.

Kjo nuk është hera e parë që regjistrohen bisedat e ushtarëve rusë me familjarët e tyre, ku ankohen për kushte çnjerëzore dhe sjellje të vrazhda të eprorëve të tyre.

Ish-kryeministri i Italisë kritikon ashpër presidentin ukrainas: Kurrë nuk do të bisedoja me Zelenskyn

Ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi, partia e të cilit është pjesë e koalicionit qeverisës të kryeministres Giorgia Meloni, ka kritikuar sot ashpër presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

I pyetur për takimin Meloni-Zelensky që u mbajt javën e kaluar në Bruksel, Berlusconi tha se kurrë nuk do të bisedonte me presidentin e Ukrainës.

“Unë të flasë me Zelenskyn? Po të isha në krye të qeverisë italiane, kurrë nuk do të shkoja atje”, tha Berlusconi.

Sipas tij, Zelensky nuk do të duhej të sulmonte rajonet në lindje të Ukrainës që janë nën kontrollin e separatistëve pro-rusë, pasi që kurrë nuk do të ndodhte asgjë.

“Ka mjaftuar që Zelensky të mos i sulmojë dy republikat autonome të Donbasit dhe e gjitha kjo nuk do të ndodhte. Për këtë vlerësoj negativisht këtë person”, shtoi ish-kryeministri italian i cili sot votoi në zgjedhjet rajonale në Lombardi.

86-vjeçari njihet si mik i mirë i presidentit rus Vladimir Putin me të cilin takohej shpesh sa ishte në pushtet, e kjo nuk është hera e parë që ai jep deklarata kontroverse për luftën në Ukrainë.

Shtetet e Bashkuara u thonë qytetarëve të largohen menjëherë nga Rusia

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë thirrje shtetasve të tyre që të largohen menjëherë nga Rusia për shkak të luftës në Ukrainë dhe rrezikut të arrestimit arbitrar ose ngacmimit nga agjencitë ruse të zbatimit të ligjit.

“Qytetarët amerikanë që banojnë ose udhëtojnë në Rusi duhet të largohen menjëherë”, tha ambasada e SHBA-së në Moskë. "Tregoni kujdes të shtuar për shkak të rrezikut të ndalimeve të gabuara".

“Mos udhëtoni në Rusi”, tha ambasada.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar vazhdimisht qytetarët e tyre që të largohen nga Rusia.

Thirrja e fundit e tillë publike ishte në shtator, pasi presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi një mobilizim të pjesshëm.

“Shërbimet ruse të sigurisë kanë arrestuar shtetas amerikanë me akuza të rreme, kanë veçuar shtetasit amerikanë në Rusi, u kanë mohuar atyre trajtim të drejtë dhe transparent dhe i kanë dënuar në gjyqe sekrete ose pa paraqitur prova të besueshme”, tha ambasada.

“Autoritetet ruse zbatojnë në mënyrë arbitrare ligjet lokale kundër punonjësve fetarë, shtetas amerikanë, dhe kanë hapur hetime të dyshimta penale kundër qytetarëve amerikanë të përfshirë në veprimtari fetare”, thuhet në njoftim.

Rusia ka hapur një çështje penale kundër një shtetasi të Shteteve të Bashkuara për “dyshimin për spiunazh”, tha Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) në janar./REL

Do të amnistojë Putini së shpejti mijëra të burgosur?

Rusia rekruton edhe në burgje persona për t'i dërguar në luftime në Ukrainë dhe u premton lirimin e parakohshëm nga burgu. Por a janë vërtet të lirë ata pas misionit në Ukrainë?

Raportimet e para për rekrutimet e të burgosurve nga burgjet ruse për të shkuar në luftë në Ukrainë kanë qenë që në korrik të vitit 2022. Në shtator praktikisht ishte shumë e njohur, se rekrutimet bëheshin nga punonjës të grupit "Wagner" të Jegvenij Prigoshin. Kjo firmë konsiderohet si "ushtria në hije" e Vladimir Putinit. Si shpërblim për 6 muaj shërbim të burgosurve u premtohej lirimi. Nga parlamenti rus, Duma nuk është shpallur asnjëherë një amnisti e tillë. Sipas juristëve, vetëm dekrete presidenciale të kreut të Kremlinit janë mundësia e vetme për të amnistuar të burgosurit që marrin pjesë në luftë. Numri i lirimeve të parakoshme që nga marrja e pushtetit të Putinit në vitin 1999 ka rënë ndjeshëm. Nëse do të bëhej sipas Prigoshin, atëherë do duhej që kreu i Kremlinit brenda pak muajsh të amnistonte mijëra të burgosur.

Sa vetë janë rekrutuar?

Kremlini vetë nuk jep informacione. "Për këtë nuk mund të them asgjë", tha në fund të janarit zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov para gazetarëve. "E dini, se ka dekrete të hapura dhe nga ato me shkallë të ndryshme sekreti. Për të fundit nuk mund të them asgjë." Sipas Peskov të gjitha amnestitë do të kryhen sipas ligjit rus.

Pse janë kaq të rëndësishëm tanket Leopard për Ukrainën?

"Mediazona", një gazetë online që punon nga ekzili në Vilnius dhe Tiflis ka kontrolluar të dhënat e autoriteteve ruse të burgjeve dhe ka konstatuar, se numri i të burgosurve rusë nga shtatori deri në tetor 2022 me sa duket për shkak të rekrutimit është ulur në 23.000 vetë. Olga Romanova, themeluese e organizatës "Rusia pas hekurave" përmend shifra të përafërta. Sipas të dhënave të shërbimeve sekrete amerikane në dhjetor 2022 kanë marrë pjesë 40.000 të burgosur si luftëtarë të grupit Wagner në luftën e Ukrainës. Por sipas "Mediazona" nga tetori 2022 numri i të burgosurve nuk është ulur më tej. Edhe Ministria e Mbrojtjes në Britaninë e Madhe arrin në përfundimin, se përmasat e rekrutimit të të burgosurve kanë rënë ndjeshëm./DW

Lexo lajmin e plotë KËTU.

Ukrainasit shkatërrojnë automjete të blinduara – tanket ruse po shkelnin njerëzit e tyre

Disa pamje të publikuara thuhet se tregojnë se Rusia ka pësuar humbje katastrofike ushtarake pasi automjetet e saj të blinduara u zunë në pritë në Vuhledar.

Sipas mediave të huaja, dhjetëra tanke u shkatërruan dhe u dëmtuan, me shumë trupa të vrarë në një poshtërim të madh për forcat e Vladimir Putinit.

Trupat ruse shihen në pamjet ajrore duke ikur nën bombardimet e vazhdueshme ajrore nga ukrainasit.

Në kaos, tanket ruse madje po shkelnin njerëzit e tyre.

Madje një vlerësim rus ishte se forcat e Vladimir Putinit kishin humbur 31 automjete të blinduara në masakrën në Vuhledar, e njohur për rusët si Ugledar.

Kështu kanalet ruse të luftës kanë denoncuar anën e tyre për fillimin e ofensivës së re të Kremlinit me ‘paaftësinë ushtarake’, mes një morie akuzash për largimin nga kolona si ‘kokë ulur’.

Siç vënë në pah mediat, është e qartë se shumë trupa të Putinit u vranë aty, me shumë të plagosur, megjithëse ende nuk ka shifra – dhe me të tjerë që raportohet se janë kapur nga ukrainasit.

“Njësitë tona elitare u bënë një objektiv i lehtë”, citohet të jetë thënë në një llogari ruse.

“Të paktën 30 pjesë të pajisjeve të humbura [me] tanke që digjen”,raportuan mediat e Zonës Gri.

Analisti i luftës Igor Strelkov postoi: “Humbjet rezultuan të njëanshme, ukrainasit qëlluan sulmuesit tanë. Ky ishte fundi i ofensivës së lajmëruar gjerësisht të ushtrisë ruse në të gjithë frontin e Donetskut”.

E Alexander Sladkov, një korrespodent luftarak i televizionit shtetëror, denoncoi ‘komandantët kriminelë’ nga pala ruse

Luftëtarët e Wagner rrëfejnë tmerret e betejave në Ukrainë: Ata qanë dhe u habitën që unë isha gjallë!

Dy ish-luftëtarë të kompanisë ushtarake private ruse Wagner kanë treguar përvojat e tyre të tmerrshme në fushën e betejës në Ukrainën lindore dhe sesi kushdo që “tregon lëkundje” u qëllua menjëherë nga komandantët e tyre.

Dy luftëtarët – identiteti i të cilëve nuk është zbuluar nga CNN, për shkak të sigurisë së tyre – u kapën nga forcat ukrainase në fund të vitit të kaluar.

Sipas mediumit në fjalë, bëhet fjalë për dy burra që janë të martuar dhe kanë fëmijë – dhe që janë rekrutuar në burg.

Njëri po vuante një dënim 20-vjeçar për vrasje nga pakujdesia.

CNN thotë se u tha luftëtarëve se ata mund ta përfundonin intervistën në çdo kohë që dëshironin. Por ata folën në detaje për më shumë se një orë.

Kështu, dy luftëtarët treguan për humbje të tmerrshme në sulmet e “valës së parë” që të kujtojnë Luftën e Parë Botërore.

“Ishim 90 veta. Gjashtëdhjetë vdiqën në atë sulm të parë, të vrarë nga zjarri i mortajave. Një numër i vogël mbetën të plagosur”, ka treguar njëri, duke kujtuar sulmin e tij të parë pranë fshatit Bilohorivka. “Nëse një grup ishte i pasuksesshëm, një tjetër dërgohej menjëherë. Nëse i dyti ishte i pasuksesshëm, ata dërgonin një grup tjetër”.

Luftëtari tjetër u përfshi në një sulm që zgjati pesë ditë, përmes një pylli pranë qytetit të Lysychansk në kufirin Luhansk-Donetsk në Ukrainën lindore.

“Hapat e parë në pyll ishin të vështirë për shkak të minave tokësore të përhapura. Nga 10 djem, shtatë u vranë menjëherë”, citohet të ketë thënë ai.

Lexo lajmin e plotë KËTU.

Shkalla e vdekjeve të ushtarëve rusë, më e larta që nga java e parë e agresionit në Ukrainë

Ushtarët rusë po vdesin në numër më të madh në Ukrainë këtë muaj se në çdo kohë që nga java e parë e fillimit të agresionit, sipas të dhënave ukrainase.

Siç shkruan BBC, të dhënat ukrainase tregojnë 824 ushtarë rusë që vdesin çdo ditë në shkurt.

Shifrat u theksuan nga Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.

Ato nuk mund të verifikohen – por Britania e Madhe thotë se tendencat janë “me gjasë të sakta”.

Dhe rritja vjen pasi zyrtarët ukrainas thonë se Rusia ka nisur një “ofensivë të madhe”.

Megjithatë, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës (NSDC), Oleksiy Danilov, tha gjithashtu se Rusia po përjeton “probleme të mëdha”.

“Trupat tona po e zmbrapsin [ofensivën] shumë fuqishëm”, citohet të ketë thënë Danilov. "Ofensiva që ata planifikuan tashmë po ndodh, gradualisht, por nuk është ofensiva që ata imagjinuan”.

Javën e kaluar, ministri në largim i mbrojtjes i Ukrainës, Oleksiy Reznikov, tha se ata po prisnin një ofensivë të re ruse rreth 24 shkurtit – përvjetorin e pushtimit në shkallë të plotë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat