Realiteti i hidhur i gazetareve afgane nën pushtetin taleban

Bota

Realiteti i hidhur i gazetareve afgane nën pushtetin taleban

Më: 12 mars 2023 Në ora: 17:19
Gazetare afgane

Pasi talebanët morën pushtetin në Afganistan në vitin 2021, Azita Nazimi ishte një prej atyre gazetareve afgane që u detyruan të largohen nga vendi. Ajo rrëfen për Zërin e Amerikës brengat e shqetësimet që lidhen me pamundësinë për të raportuar mbi çështje që prekin gratë në vendin e saj.

Si një gazetare që mbulonte çështje të shëndetit e të tjera problematika që lidhen me gratë dhe si nënë, që po rrit tashmë katër fëmijë në mërgim, në Pakistan, Azita Nazimi e di se çfarë lajmesh janë të rëndësishme për gratë afgane.

Për 15 vjet ajo punoi për stacione si ‘TOLO TV’, ‘Yak TV’ (1TV) dhe radio ‘Begum’.

Por kur talebanët hynë në Kabul në gusht të vitit 2021, Azitës dhe kolegeve të saj gra, iu tha të shkonin në shtëpi. Ajo kujton atë çka humbi kur talebanët morën pushtetin.

Të gjitha ëndrrat dhe shpresat tona. Arritjet që kanë shënuar gratë në 20 vitet e fundit dhe arritjet kryesore të vendit si republikë, liria e fjalës dhe e shtypit”, thotë gazetarja afgane Azita Nazimi.

Rreth gjashtë javë pas rënies së Kabulit, Azita Nazimi iu bashkua një grupi që protestonte kundër rregullave të vendosura ndaj grave.

Ne donim të ngrinim zërin për të fituar liritë tona. Por askush nuk na dëgjoi. Zërat tanë u heshtën. Kjo ishte arsyeja pse u larguam nga Afganistani”, thotë ajo.

Ardhja në pushtet e talebanëve u shoqërua me pasoja të rënda për median afgane thotë Rebecca Vincent, përfaqësuese e një prej organizatave ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e shtypit, Reporterë pa Kufij.

Numri i gazetarëve që punojnë është ulur në mënyrë drastike për të dyja gjinitë, por më shumë ka prekur gratë”.

Prej këtij viti (2023), në 11 prej 34 provincave në Afganistan, nuk ka fare gazetare gra. Dhe nga 2700 gra gazetare, që numëroheshin përpara se pushtetin ta merrnin talebanët, rreth 600 prej tyre vazhdojnë ende punën thotë zonja Vincent.

Aktualisht gratë mungojnë në masë të madhe, jo vetëm në rolin e gazetareve, por edhe si subjekte të vetë kronikave. Kemi vënë re kufizime në rritje nga talebanët, jo vetëm për atë se kush duhet t'i prezantojë lajmet e në çfarë mënyre, por kë duhet të intervistojnë, dhe kush duhet të jetë i pranishëm në transmetime televizive".

Zvogëlimi i hapësirës për gazetaret gra, pasqyron realitetin e grave afgane në përgjithësi. Nën sundimin taleban, grave u është mohuar e drejta për arsim si dhe shpesh që të punojnë. Po kështu u ndalohet të udhëtojnë nëse nuk shoqërohen nga një i afërm mashkull. Në javët e fundit mediat lokale njoftuan se farmacitë ishin urdhëruar të ndalonin qasjen tek kontraceptivët, një pretendim që talebanët e hodhën poshtë.

Si një gazetare që ka mbuluar çështje që lidhen me shëndetin e grave, Azita Nazimi ndihet e shqetësuar.

Nëse do të mundja ose do të më lejohej, do të përqendrohesha tek çështjet e grave, veçanërisht tek shëndeti dhe fuqizimi i tyre, në çështje që lidhen me sektorin social dhe ekonomik. Fatkeqësisht, asnjë gazetar nuk lejohet të punojë për çështje të tilla”, thotë ajo.

Në Afganistan ka ende media, por sikurse thotë përfaqësuesja e Reporterëve pa Kufij, mundësitë e gazetarëve të pavarur për të vazhduar punën, po përkeqësohen./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat