Në fabrikën që prodhon predha artilerie për Ukrainën

Bota

Në fabrikën që prodhon predha artilerie për Ukrainën

Më: 12 mars 2023 Në ora: 19:38
Foto nga vendi i ngjarjes

Përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të furnizuar me armatim Ukrainën fillojnë në fabrikën e municioneve të ushtrisë në Scranton të Pensilvanisë. Fabrika prodhon predha të kalibrit 155 milimetra që janë jetike për mbrojtjen e Ukrainës nga sulmi rus.

Predhat që prodhohen këtu janë të tipit 795, me kalibër 155 milimetra. Fabrika shtrihet në një sipërfaqe prej 46 mijë metra katrorë dhe pjesa më e madhe shfrytëzohet për prodhimin e këtyre predhave. Pra, të gjithë që punojnë sot këtu janë për të mbështetur këtë linjë prodhimi”, thotë Richard Hansen, përfaqësues i komandantit në Scranton.

Çeliku mbërrin këtu në shufra me gjatësi gjashtë metra. Ato prihen në tre pjesë dhe futen në furrnaltë. Pjesa më e madhe e punës bëhet nga njerëzit, por në këtë repart funksionojnë edhe robotët.

Është një teknologji shumë e re dhe në një mjedis të tillë është mirë të mos ketë ndërveprim me njerëzit. Ata nuk mund të punojnë këtu gjithë ditën”, thotë zoti Hansen.

Nga këtu, pjesët dërgohen në një tjetër repart ku do të ftohen për katër orë. Zoti Hansen paralajmëron se nëse dikush do të prekte aksidentalisht çelikun e nxehtë, atij do t’i digjej dora deri në kockë.

Në vazhdim, paisje të posaçme u japin predhave shkëlqimin dhe majën e prerë. Çdo predhë inspektohet nga punonjësit për t’u siguruar që plotëson të gjitha kushtet teknike.

Cilësia është aspekti numër një dhe çdo pjesë duhet të plotësojë standarde cilësie shumë të rrepta. Dhe ne punojmë me diferenca prej milimetrash. Pra, duhet të sigurohemi që është produkti i duhur”, thotë zoti Hansen.

Në repartin e fundit, tubat prej çeliku marrin vërtet formën që i ngjason municioneve. Por, ato janë bosh dhe do të dërgohen në një tjetër fabrikë në Ajova për t’u mbushur me lëndë plasëse.

Kjo fabrikë ka prodhuar predha artilerie që nga viti 1950, por hera e fundit që ka furnizuar municion me kaq intensitet ka qenë gjatë Luftës së Koresë. Artileria luajti një rol më pak të rëndësishëm në luftërat e fundit në Irak dhe Afganistan, por betejat që po zhvillohen sot në Ukrainë e kanë shtuar kërkesën.

Sipas vlerësimeve të NATO-s, Ukraina përdor 6 deri në 7 mijë predha në ditë. Vetëm kjo fabrikë prodhon 11 mijë predha në muaj, nëse funksionon me kapacitetin maksimal.

Fabrika e municioneve të ushtrisë në Scranton është një nga pesë ndërmarrjet që prodhon municion për të përmbushur nevojat e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve aleate. Sot, fabrika po modernizohet për të përmbushur nevojat e ushtrisë ukrainase./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat