Presidenti kinez Xi vazhdon vizitën në Moskë

Bota

Presidenti kinez Xi vazhdon vizitën në Moskë

Më: 21 mars 2023 Në ora: 14:59
Xi Jinping dhe Vladimir Putin

Presidenti kinez Xi Jinping filloi të hënën një vizitë tre-ditore në Moskë me qëllim për të treguar lidhjet e tij të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin. Siç njofton Byroja e Zërit të Amerikës në Moskë, si Rusia ashtu edhe Kina janë të etur për të bashkëpunuar pasi secili vend përballet me pasoja nga konfrontimi me Perëndimin.

Pika qendrore e vizitës së kësaj jave të presidentit kinez është mbështetja e Pekinit për Moskën në luftën e saj kundër Ukrainës dhe propozimi i paqes që Kina u ka paraqitur të dyja palëve.

Të hënën, presidenti rus Vladimir Putin tha se e shikonte me respekt propozimin e Pekinit.

Ne kemi studiuar me kujdes propozimin tuaj për zgjidhjen e krizës së rëndë në Ukrainë. Ne e dimë se ju udhëhiqeni nga parimet e drejtësisë dhe respektimi i bazave të së drejtës ndërkombëtare. Ju jeni gjithashtu të vetëdijshëm se ne jemi gjithmonë të hapur për procesin e negociatave”, tha presidenti Putin gjatë takimit me presidentin kinez.

Por plani ka pak shanse për t'u miratuar siç propozohet sepse nuk plotëson kërkesën kryesore të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy dhe perëndimit, largimin e trupave ruse nga i gjithë territori, përfshirë gadishullin ukrainas të Krimesë.

“Armëpushimi që nuk përfshin largimin e forcave ruse nga territori ukrainas do të ishte efektivisht mbështetje për ratifikimin e pushtimit rus. Ai do të njihte përpjekjet e Rusisë për të marrë territorin e fqinjit sovran me forcë. Kjo do t'i mundësonte Rusisë të forconte më tej pozicionet në Ukrainë”, tha ndër të tjera Sekretari amerikan i Shtetit, Blinken.

Vizita tre-ditore e presidenti Xi në Moskë gjithashtu u jep të dy udhëheqësve mundësinë e shfaqjes publike të partneritetit duke e kundërshtuar atë që udhëheqësit kinez dhe rus e shohin si dominim amerikan mbi çështjet globale.

Ne shpresojmë që partneriteti strategjik midis Kinës dhe Rusisë nga njëra anë do të mbështesë një sistem të drejtë ndërkombëtar dhe nga ana tjetër të nxisë begatinë dhe zhvillimin e vendeve tona”, tha presidenti kinez, Xi Jinping në Moskë.

Pekini dhe Moska janë përqëndruar në javët e fundit në heqjen e sanksioneve kundër Rusisë si një kërkesë për të arritur paqen në Ukrainë, diçka që tregon se sanksionet po tregojnë efekt.

Ekspertët besojnë se Kina ka nevojë të dalë nga situata aktuale po aq sa edhe Rusia.

“Si Rusia po ashtu dhe Kina janë nën presionin e sanksioneve nga Perëndimi. Rusia mund të ndikohet nga ky presion më shumë se Kina, por, megjithatë, kjo përbën problem edhe për Kinën”, tha Andrey Kortunov, Drejtor i Këshillit të Çështjeve Ndërkombëtare Ruse, organizatë joqeveritare e Moskës.  

Në tryezë do të jetë edhe konfrontimi gjeopolitik i Kinës dhe Rusisë kundër Perëndimit dhe mbështetja që Pekini mund t'i japë Moskës, veçanërisht tani që Shtetet e Bashkuara besojnë se Kina mund të furnizojë Rusinë me armë, ndonëse zoti Kortunov nuk beson se kjo gjë mund të ndodhë.

“Nuk mendoj se Rusia do t'i drejtohet Kinës me kërkesa të tilla pasi nuk besoj se ka një mungesë serioze të armëve që nuk mund të plotësohet nga burimet e brendshme”, tha zoti Kortunov.

Por marrëdhëniet midis Moskës dhe Pekinit nuk janë perfekte, ndonëse siç thotë profesori Alexey Maslov nga Universiteti Shtetëror i Moskës, të kesh një armik të përbashkët peshon më shumë.

"Sigurisht që ka çështje problematike mes të dy vendeve: marrëdhëniet në rajonin e Azisë Qendrore si dhe çështja që ka të bëjë me burimet nëntokësore të Lindjes së Largët. Por si Rusia ashtu edhe Kina mësuan se si t'i harrojnë ato pasi ka objektiva më domethënës”, tha profesori Alexey Maslov, ekspert i marrëdhënieve ruso-kineze.

Kjo vizitë e udhëheqësit kinez do të shërbejë si një masë se sa peshojnë vërtet këto çështje në krahasim me izolimin dhe goditjen ekonomike që të dy vendet po marrin si rezultat i agresionit rus në Ukrainë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat