LIVE: Bota shpëtoi “për një fije” nga “Lufta e Tretë Botërore”, zbulohet incidenti mes avionëve rusë e britanikë në Krime

Bota

LIVE: Bota shpëtoi “për një fije” nga “Lufta e Tretë Botërore”, zbulohet incidenti mes avionëve rusë e britanikë në Krime

Nga: BOTA SOT Më: 11 prill 2023 Në ora: 07:11 Përditësuar në ora: 13:23 më 11.04.2023
Foto ilustrim

Sulme ajrore dhe zjarr artilerie, ushtria ruse agresion të rëndë në disa qytete ukrainase

Forcat ruse goditën disa qytete në Ukrainën lindore me sulme ajrore dhe zjarr artilerie. Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë së Ukrainës tha se disa qytete dhe qyteza në rajonin e Donjeckut u bombarduan rëndë.

Forcat ukrainase zmbrapsën disa sulme, tha Shtabi, derisa ushtria ruse vazhdoi përpjekjet e saj për të marrë kontrollin e Bahmutit. Një komandant i lartë ukrainas akuzoi Moskën se përdor taktikat e “tokës së djegur”. “Armiku kaloi në të ashtuquajturat taktika të tokës së djegur, që datojnë nga lufta e Sirisë. Ai po shkatërron ndërtesa dhe pozicione me sulme ajrore dhe zjarr artilerie”, tha gjeneralkoloneli Oleksandr Syrskyi, komandant i forcave tokësore të Ukrainës, duke folur për Bahmutin.

Ai tha se Moska po dërgon forca speciale dhe njësi ajrore për të ndihmuar ofensivën në këtë qytet, pasi anëtarët e grupit mercenar rus, Wagner, të cilët kanë udhëhequr sulmin atje, janë të lodhur. Beteja për qytetin e vogël dhe tani gati krejtësisht të rrënuar të Bahmutit ka qenë më e përgjakshmja prej se Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës, në shkurt të vitit të kaluar. Të dyja palët kanë pësuar numër të madh viktimash nga luftimet në Bahmut, ndërsa Syrskyi tha se “situata është e vështirë, por e kontrollueshme”.

Kreu i pjesës së Donjeckut që kontrollohet nga Moska, Denis Pushilin, tha se forcat ruse tani mbajnë 75% të qytetit, por shtoi se është herët për të folur për rënien e Bahmutit. Kontrolli i Bahmutit do t’i mundësonte Rusisë t’i sulmonte direkt linjat mbrojtëse të Ukrainës në Çasiv Jar dhe t’u hapte rrugë forcave të saj për të avancuar në dy qytete më të mëdha në rajonin e Donjeckut – Kramatorsk dhe Slloviansk. Javën e kaluar, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se trupat e tij mund të tërhiqen nëse rrezikojnë të rrethohen.

Ushtria ukrainase tha se rusët, në 24 orët e fundit, sulmuan rëndë edhe qytetin Avdivka. “Rusët e kanë kthyer Avdivkën në një gërmadhë totale”, tha Pavlo Kyrylenko, guvernator rajonal i Donjeckut, teksa përshkroi një sulm ajror që shkatërroi një ndërtesë shumëkatëshe. “Në total, rreth 1.800 njerëz mbeten në Avdivka dhe ata rrezikojnë çdo ditë jetën e tyre”, tha ai.

Në Çasiv Jar, qytetin e parë të madh në perëndim të Bahmutit, pak ndërtesa mbeten të paprekura, po ashtu. Teksa betejat vazhdojnë, transmetuesi amerikan CNN tha se Ukraina është detyruar t’i ndryshojë disa plane ushtarake, për shkak të rrjedhjes së dhjetëra dokumenteve sekrete në SHBA.

Dokumentet duket se përfshijnë, mes tjerash, informacione të ndjeshme në lidhje me luftën në Ukrainë. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se po përpiqen të gjurmojnë burimin e rrjedhjes së tyre. Disa ekspertë të sigurisë kombëtare dhe zyrtarë në SHBA kanë thënë se dyshojnë se zbuluesi mund të jetë amerikan, por nuk e kanë përjashtuar mundësinë e përfshirjes së aktorëve pro-rusë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nuk ka pranuar ta komentojë rrjedhjen e informacioneve, por ka thënë se “ekziston një tendencë për ta fajësuar gjithmonë Rusinë për gjithçka”. “Në përgjithësi, kjo është një sëmundje”, ka thënë Peskov./rel

Ukraina nxjerr shifrat: 500 rusë të vrarë në 24 orët e fundit në luftime

500 trupa të tjera ruse thuhet se janë vrarë në 24 orët e fundit, sipas vlerësimeve të fundit nga ushtria ukrainase.

Vlerësimi i përgjithshëm i vendit për humbjet ruse është afërsisht 180,000, thotë Ukraina.

Duke pretenduar se 179,320 janë vrarë që nga shpërthimi i luftës në shkurt 2022.

Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se vlerësimet e Ukrainës janë zakonisht shumë më të larta se ato të raportuara nga Rusia, e cila rrallë ndan përditësime për humbjet.           

Rusia: Kemi marrë nën kontroll 75% të Bakhmutit

Rusia pretendon se ka nën kontroll 75% të qytetit të Bakhmutit në Ukrainë.

Tani mund të them patjetër se më shumë se 75% e qytetit është nën kontrollin e njësive tona,” tha guvernatori i republikës së vetëshpallur pro-ruse të Donetskut, Denis Pushilin, duke folur për kontrollin e qytetit të diskutueshëm të Bakhmut.

Lajmi është bërë i ditur nga agjencia Tass.

Lexo edhe Ndodh befasia: Rusia mund të kërkojë armëpushim - Pentagoni vihet në alarm: Cënohet siguria kombëtare, kjo është arsyeja

Pushilin shtoi se është herët të flitet për çlirimin e plotë të Bakhmutit, ka ende beteja të ashpra në pjesën perëndimore të qytetit.

Bakhmuti ka qenë një nga qytetet më kryesore të Ukarinës, të cilën Putin e kërkon patjetër që ta zotërojë për shkak të strategjisë gjeografike dhe pasurive që mbart.

Rusia sulmon një spital në Khreson, plagosen dy punonjës shëndetësorë

Të paktën dy punonjës të shëndetësorë janë plagosur nga granatimet ruse në një spital në Kherson.

Organizata e Kombeve të Bashkuara tha se objektivi i radhës së Rusisë ishte një spital në qytetin e Khersonit.

Zëdhënësi i rajonit, Stéphane Dujarric tha se “ne edhe një herë theksojmë se punonjësit shëndetësorë dhe objektet duhet të mbrohen sipas ligjit ndërkombëtar humanitar. Ne jemi të alarmuar nga ndikimi i armiqësive te spitalet dhe punonjësit e shëndetësisë, mes bombardimeve të zonave përgjatë vijës së frontit”.

Ai po ashtu foli për “alarmin” e organizatës për ndikimin e luftës në objektet shëndetësore dhe punëtorët, me 70% të të gjitha sulmeve ndaj tyre në Ukrainë vitin e kaluar.

Danimarka do t’i dhurojë Ukrainës 100 tanke Leopard

Ukraina do të fillojë të marrë tanke Leopard 1 nga Danimarka para verës.

Ministri i Mbrojtjes në detyrë i Danimarkës Troels Lund Poulsen tha këtë në një konferencë me ministrin ukrainas të mbrojtjes Oleksii Reznikov në Qendrën Mediale Ukraina.

“Ne do të fillojmë dërgimin e tankeve Leopard 1 në Ukrainë para verës. Dhe më pas, shpresojmë, duke parë një gjysmë viti përpara, do të jetë e mundur për ne të dhurojmë rreth 100 tanke Leopard 1, dhe kjo, do të them, do të ishte thelbësore për ushtrinë e Ukrainës”, tha Poulsen.

Ai gjithashtu vuri në dukje se muajin e ardhshëm Ukraina mund të marrë pjesë artilerie të Cezarit, mbi të cilat ushtria ukrainase tashmë po stërvitet në objektet e trajnimit në Danimarkë.

“Në të ardhmen e afërt do të dëgjojmë “Leopardët” që zhurmojnë me theksin danez,” tha Reznikov.

Dokumentet e klasifikuara amerikane, Pentagoni: Rrjedhja e tyre është një rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA-ve

Rrjedhja e dokumenteve të klasifikuara të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së është një rrezik “shumë serioz” për sigurinë kombëtare, ka deklaruar Pentagoni.

Dyshohet se dokumentet përfshijnë informacione të ndjeshme në lidhje me luftën në Ukrainë, si dhe për Kinën dhe aleatët e SHBA-së. Zyrtarët thonë se dosjet janë në një format të ngjashëm me dokumentet e lëshuara për drejtuesit e lartë. Në lidhje me këtë çështje është hapur një hetim për të përcaktuar kështu burimin e rrjedhjes. Fillimisht dokumentet u shfaqën në platformat Twitter, 4chan dhe Telegram.

Përveç se informacioneve të detajuara në lidhje me luftën në Ukrainë, disa nga dokumentet zbulojnë të dhëna për disa nga aleatët e SHBA-ve. Ato fokusohen në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë në Lindjen e Mesme, si dhe në rajonin Indo-Paqësor.

Duke folur me gazetarët të hënën, një zyrtar i lartë i Pentagonit tha se dokumentet ishin “një rrezik shumë serioz për sigurinë kombëtare dhe kanë potencial për të përhapur dezinformata”.

Ne jemi ende duke hetuar se si ndodhi kjo, si dhe shtrirja e çështjes,” tha Chris Meagher, ndihmësi i sekretarit të mbrojtjes për çështjet publike.

Gjermania i dorëzon një tjetër paketë ndihme ushtarake Ukrainës

Qeveria gjermane i dorëzoi Ukrainës një grup tjetër ndihme ushtarake, duke përfshirë sistemet e antenave, dronët dhe municionet.

Lista e përditësuar është publikuar në faqen e internetit të qeverisë federale, transmeton Ukrinform.

Paketa e re përfshin një automjet inxhinierik të blinduar DACHS (gjithsej katër janë dhënë tashmë), 8 kamionë Zetros (më parë ishin siguruar 52), 8 sisteme antenash celulare (gjithsej 34 janë siguruar tashmë), 8 dronë zbulimi ( më parë ishin siguruar 26), 23.520 fishekë municion 40 mm (gjithsej 83.520 tashmë janë siguruar).

Ndihma ushtarake e transferuar vjen drejtpërdrejt nga industria gjermane.

Siç raportohet, Gjermania është furnizuesi më i madh i ndihmës ushtarake për Ukrainën në Evropën kontinentale. Në veçanti, Gjermania transferoi 18 tanke Leopard 2A6 në Ukrainë.

7 milionë njerëz të zhvendosur brenda në Ukrainë për shkak të konfliktit

Rreth 7 milionë ukrainas janë zhvendosur brenda vendit për shkak të konfliktit Rusi-Ukrainë, njoftoi të agjencia e lajmeve Interfax-Ukraine.

Prej tyre, rreth 4.8 milionë njerëz u regjistruan zyrtarisht brenda agjencive qeveritare si persona të zhvendosur brenda vendit (PZHBV), tha zëvendëskryeministrja ukrainase Iryna Vereshchuk.

Rreth 1 milion fëmijë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre për shkak të konfliktit, por po banojnë brenda Ukrainës, vuri në dukje Vereshchuk.

Sipas vlerësimeve të fundit të OKB-së, më shumë se 8.1 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina për në vendet evropiane pas fillimit të konfliktit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat