Tronditje e thellë pas dhunës e gjakderdhjes në Sudan

Bota

Tronditje e thellë pas dhunës e gjakderdhjes në Sudan

Më: 17 prill 2023 Në ora: 11:56
Luftime në Sudan

Dy gjeneralë luftojnë pamëshirshëm për pushtet në Sudan, Afrikën verilindore. Gjendja tragjike e paqartë vë në lëvizje bashkësinë ndërkombëtare. Këshilli i Sigurimit të OKB-së trajton gjendjen në Sudan të hënën.

Në Sudan tensionet e shtuara prej disa javësh mes presidentit de-facto, Abdel Fatah Al-Burhan dhe zëvendësit të tij, Mohamad Hamdan Daglo po shkarkohen me dhunë e gjakderdhje. Në luftimet e ashpra në fundjavë sipas të dhënave të mjekëve janë vrarë dhjetëra vetë, qindra kanë pësuar lëndime. Spitalet në kryeqytetin Khartum dhe zonat përreth janë tejet të mbingarkuara, bën të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH.

Luftimet kanë vazhduar edhe të hënën herët. Banorët në Khartum raportojnë për shkëmbime të vazhdueshme zjarri dhe shpërthime. Eskpertët paralajmërojnë, se Sudani ndodhet para një lufte të gjatë civile. Alan Boswell, ekspert për Afrikën në International Crisis Group ka paralajmëruar se gjendja mund të bëhet "shumë shpejt, shumë e shëmtuar". "Ne gjendemi ndërkohë në një situatë të luftës civile", është shprehur Boswell për televizionin gjerman, ZDF. Kjo nuk është një luftë, ku njëra palë mund të fitojë, por do të vriten shumë njerëz, ka theksuar Boswell.

Al Burhan është komandanti i forcave të armatosura të ushtrisë sudaneze, Daglo është kreu i një trupe paramilitariste, "Rapid Support Forces", RSF. Në kuadër të një tranzicioni drejt një qeverie civile, i cili është shtyrë, trupat RSF do duhej të integroheshin në forcat e rregullta të armatosura. Kjo çështje çoi në ndarjen mes Al-Burhan dhe Daglo.

Gjendja në Sudan - debat në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Luftimet filluan fillimisht në Khartum, të dielën ato u zgjeruan në disa pjesë të vendit- Të dyja palët në konflikt bënë fjalë për suksese ushtarake kundërthënëse. Gjendja në Sudan është tërësisht e paqartë. Kombet e Bashkuara dhe disa vende të tjera kërkojnë të dyja palët t'i japin fund gjakderdhjes dhe të fillojnë bisedime për dhënien fund të krizës. Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të konsultohet të hënën për situatën në Sudan. Presidenti i Unionit Afrikën, Mousa Faki Mahamat bëri të ditur, se do të udhëtojë "pa vonesë" në Sudan për të "lëvizur palët drejt një armëpushimi". Presidenti egjiptian, Abdel Fatah al-Sisi u ofrua si ndërmjetëses.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock shkroit në twitter, se është "e shokuar për viktimat e shumta". Ministria e Jashtme në Berlin po ndjek me vëmendje situatën për qytetarët gjermanë në Sudan. Të shtunën ministria lëshoi një paralajmërim udhëtimi dhe iu lut qytetarëve gjermanë që ndodhen në vend të mos lëvizin aktualisht brenda territorit të vendit./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat