Hungaria mbështetet tek prodhimi i baterive dhe tek Kina

Bota

Hungaria mbështetet tek prodhimi i baterive dhe tek Kina

Më: 17 prill 2023 Në ora: 11:59
Foto ilustrim

Hungaria synon të bëhet superfuqi për prodhimin e baterive për makinat elektrike. Qeveria po i josh investitorët me subvencione të mëdha, mes të tjerash edhe një fabrikë gjigande kineze. Ky hap po kritikohet shumë.

Me zhurmë të madhe, goditje dhe fishkëllima janë duke punuar eskavatorët dhe rimorkiot në një sipërfaqe të madhe toke në lindje të Hungarisë, jo larg kufirit me Rumaninë. Këtu, në një tokë deri tani djerrë në periferi të Debrecenit, duken dimensionet e ambicieve të Hungarisë për t'u bërë pjesë e kthesës së madhe në fushën e mobilitetit: brenda këtij dhjetëvjeçari këtu pritet të ndërtohet një nga fabrikat më të mëdha të Europës për prodhimin e baterive për makinat elektrike. Impianti i sipërmarrjes kineze, Contemporary Amperex Technology Co. Limited (CATL) do të ketë zënë pas fazës së ndërtimit një sipërfaqe më të madhe se 280 fusha futbolli dhe do të prodhojë bateri me kapacitet vjetor prej 100 gigavat orësh.

Këto bateri jo vetëm që do të mjaftojnë për një milionë makina elektrike, por ato do ta kthejnë Hungarinë edhe në një nga prodhuesit më të mëdhenj të Europës, pikërisht siç kërkon qeveria që do që ta fusë vendin në territor "fuqish të mëdha”.

Kjo strategji ndjek prirjet e industrisë së prodhimit të makinave, një nga sektorët më jetikë të Hungarisë, që dha në vitin 2021 rreth pesë përqind të prodhimit të brendshëm bruto të vendit. Hungaria kërkon ta përgatisë ekonominë e vendit për një të ardhme pa motorët që djegin karburant.

Banorët kanë frikë nga thatësira 

Një kilometër në jug të kantierit të ndërtimit ndodhet një rradhë shtëpish përgjatë një rruge të shtruar aty këtu me kalldrëm. Albertné Lovas dhe i shoqi kanë 30 vjet që prodhojnë këtu lakra, të cilat i shesin në qytet. Tani ata druhen se fabrika e re mund të jetë me rrezik për bimët dhe banorët e rajonit, megjithëse politika ka premtuar se do të vëzhgojë me kujdes emetimin e lëndëve të dëmshme.

Lovas është shumë e shqetësuar për konsumin industrial të ujit, i cili mund të rëndojë edhe me shumë rajonin që vuan nga thatësira. "Ka pesë vjet që ne nuk jemi më në gjendje të ujisim më me ujin e lumit, sepse ai është tharë fare,” thotë ajo për Deutsche Wellen. Shumë banorë të tjerë shqetësohen po ashtu për të njëjtën gjë. Prodhimi i baterive është një proces që kërkon shumë ujë dhe vitet e kaluara Hungaria ka pasur gjithnjë e më shumë periudha thatësirash.

Gjendje jo transparente informimi  

E paqartë është sa ujë duhet vërtet për fabrikën e baterive. Kjo ka të bëjë edhe me faktin që është e vështirë të marrësh informacione të besueshme për projektin dhe informacionet publikohen vetëm pjesë pjesë, ankohet Marton Völgyesi. Ai është kuzhinjer dhe një nga organizatorët e nismës lokale "Debrecenasit kundër fabrikës së baterive".

"Kur të hapen shishet e shampanjës, fabrika do ketë sipërfaqe prej 220 hektarësh. Kur bëhet fjalë për lejen, sheh papritur se ke të bësh me 65 hektarë,” thotë Völgyesi. Pjesët e veçanta të fabrikës marrin licencën veças, pjesë pjesë. "Ne duam informacione për kapacitetin e gjithë investimit, jo vetëm të pjesëve të caktuara,” thotë ai.

Komunikimi jo transparent ka mërzitur shumë banorë, të cilët ndihen të anashkaluar në marrjen e vendimit për këtë projekt të madh. Sipas një sondazhi rreth dy të tretat e banorëve të Debrecenes e kritikojnë ndërtimin e fabrikës së baterive.

Shumë prej tyre e nxjerrin zemërimin duke demostruar në rrugë dhe kërkojnë ndalimin e ndërtimit ose të paktën organizimin e një referendumi për projektin. "Synimi është një votim popullor me të cilin ne të jemi në gjendje të bllokojmë zgjerimin e mëtejshëm të fabrikës,” thotë Völgyesi. Nisma e tij ka i dërguar një peticion administratës së qytetit dhe tani pritet përgjigja.

I pyetur nga Deutsche Welle, kryetari i Bashkisë nuk foli. Një zëdhënës i CATL bëri të ditur se protestat ndiqen me vëmendje, por nuk dha komente të tjera. Sidoqoftë, ato bazohen pjesën më të madhe në keqkuptime dhe informacione të gabuara, tha zëdhënësi.

Varësi nga lëndët djegëse me bazë fosile dhe nga shtetet autoritare 

Banorët dhe ekspertët shqetësohen edhe për sasinë e madhe të energjisë që konsumon një fabrikë e madhe. Vërtet që CATL pretendon se është duke investuar në energjitë e renovueshme dhe synon të arrijë neutralitet në emëtimin e dioksidit të karbonit. Por me përzierjen aktuale të energjive që bën Hungaria, arritja e këtij synimi është ende larg. Vetëm pak kohë më parë u aprovuan tre centrale të reja gazi, për të mbuluar nevojat për energji të industrisë. Këto centrale mund të mbahen në punë me gazin rus deri në vitin 2050.

Përveç varësisë nga importet ruse, me ndërtimin e fabrikës Hungaria lidhet edhe më shumë me Kinën. Ky projekt e kthen Kinën në investitorin e dytë më të madh të vendit, pas Gjermanisë që ze vendin e parë. Kritikët tremben se Pekini mund ta shfrytëzojë peshën ekonomike të tij për të marrë ndikim politik.

Qeveria e kryeministrit Viktor Orbán bën sidoqoftë të pamundurën për të joshur sipërmarrjet kineze: vetëm për CATL janë planifikuar të bëhen lëshime në pagimin e taksave dhe joshje infrastrukturore në vlerë prej 800 milionë eurosh, një shifër që kap dhjetë përqind të volumit të investimit të përgjithshëm.

"Këto para nevojiten në fusha të tjera, sidomos për shpenzimet klasike të shtetit si në fushën e arsimit, sistemit të shëndetësisë ose mirëqënies sociale, thotë Dora Györffy, ekonomiste në Universitetin Corvinus në Budapest.

Në një dokument strategjik qeveria e quan "mjedisin mbështetës politik" avantazh të rëndësishëm për lokalitetin duke kontribuar për boomin ekonomik. Direkt ngjitur me fabrikën e CATL, është duke ngritur një fabrikë të re prodhuesi kinez i baterive, CEMCORP, në anën tjetër të qytetit BMW është duke ndërtuar një uzinë të re për makinat elektrike.

Punonjës kinezë ndihmojnë për fillimin e punës së CATL 

Të gjitha këto firma kanë nevojë për fuqi punëtore, vetëm CATL kërkon të marrë në punë 9000 punëtorë. Por: "Një nga problemet e mëdha është të gjendet fuqia punëtore,” thotë Marton Czirfusz, i cili është marrë deri para pak kohësh me industrinë hungareze të baterive. Për shumë lloje punësh në këto fabrika nuk nevojitet specializim i veçantë, shpjegon ai. Kështu ekziston rreziku që ata ta marrin fuqinë punëtore nga firmat lokale. Por as kjo nuk mund mjaftojë, po të kesh parasysh mungesën e krahut të punës edhe në Hungari. "Unë mendoj se në këto fabrika do të punojnë shumë punonjës të huaj,” thotë Czirfusz. Vetë CATL thotë se punonjës kinezë do të nevojiten kryesisht në dy vitet e para, për të vënë punët e fabrikës në vijë.

Qeveria e Hungarisë e ka kuptuar gjendjen e vështirë dhe ka lehtësuar kushtet e futjes në vend për punonjësit nga vendet e treta, sidomos vendet aziatike. Kjo gjë është në kontradiktë të madhe me retorikën kundër të huajve, me të cilën flet shpesh Budapesti dhe që mund t'i kthehet tani qeverisë në pengesë: Shumë banorë janë kundër fabrikës edhe sepse nuk duan të vijnë në qytet punonjës të huaj.

Rezistencë nga të gjitha kampet politike 

Duke pasur parasysh skepticizmin e madh kundër fabrikës janë deklaruar tani edhe partitë opozitare duke filluar që nga Të gjelbërit deri tek e djathta ekstreme. Aktivisti Marton Völgyesi preferon t'i mbajë partitë politike larg lëvizjes së protestës: "Unë mendoj se është më mirë që kjo gjë të mbetet në duart e shoqërisë civile të Debrecenes. Dhe kush do që ta mbështesë këtë, mund ta mbështesë."

Deri tani projekti ka ecur përpara pavarësisht rezistencës lokale. Prodhuesja e lakrës, Lovas e përkrah lëvizjen e protestës, megjithatë nuk ka shpresë se kjo do të sjellë ndonjë gjë. Ajo e ka të qartë se për qeverinë përfitimet ekonomike kanë prioritet më të madh se interesat e popullit: "Ata e kanë shitur vendin tek kinezët", thotë ajo./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat