LIVE: Lëvizja e papritur e NATO-s, parashikohen pasoja të rënda për Rusinë - SHBA paralajmëron sërish

Bota

LIVE: Lëvizja e papritur e NATO-s, parashikohen pasoja të rënda për Rusinë - SHBA paralajmëron sërish

Nga: Bota sot Më: 20 prill 2023 Në ora: 06:27 Përditësuar në ora: 21:43 më 20.04.2023
Foto nga vendi i ngjarjes

Lufta në Ukrainë, media opozitare ruse kërcënohet nga sanksionet e Perëndimit: Mund të falimentojmë

Sanksionet perëndimore po kërcënojnë qëndrueshmërinë e TV Rain, kanali kryesor privat i opozitës që transmeton në Rusi.

Njëra nga bashkëthemelueset, Vera Krichevskaya tha se kanali po humbte midis 1 milion dhe 1.5 milion dollarë në vit të ardhura të mundshme nga platforma e tij YouTube, sepse sanksionet nënkuptonin se ai nuk mund të fitonte para nga reklamat e shikuara nga audienca e tij ruse. Mungesa e të ardhurave nga reklamat e lë mediumin shumë të varur nga donatorët e jashtëm për të mbijetuar.

“Mund të falimentojmë. Duhet të shpëtojmë pavarësinë tonë si organizatë, s’kemi të ardhura”, tha Krichevskaya.

TV Rain transmeton lajme në Rusi deri në pesë orë në ditë dhe njihet gjerësisht si sfida më efektive ndaj tregimit të Vladimir Putin për luftën kundër Ukrainës në televizionin rus.

SHBA paralajmëron sërish: Partneriteti i Kinës me Rusinë, shqetësues. Sanksione nëse ndihmojnë Moskën

Partneriteti “pa kufi” i Kinës me Rusinë është “një tregues shqetësues se nuk është serioz” për t’i dhënë fund luftës së Moskës kundër Ukrainës, tha sekretarja amerikane e thesarit.

Duke folur në Universitetin Johns Hopkins, Janet Yellen tha:

“Është thelbësore që Kina dhe vendet e tjera të mos i ofrojnë Rusisë mbështetje materiale ose ndihmë për shmangien e sanksioneve.”

Ajo paralajmëroi se pasojat e çdo shkeljeje do të ishin “të rënda” për çdo shtet.

 

Agresioni rus, Zelensky: NATO duhet ta pranojë Ukrainën në aleancë në konferencën e korrikut

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se NATO duhet ta pranojë Ukrainën në aleancë në konferencën e korrikut.

Në një konferencë të përbashkët shtypi në Kiev me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg, Zelensky tha se aleanca duhet të ftojë Ukrainën dhe t’i japë asaj një afat kohor për anëtarësim.

“Unë jam mirënjohës për ftesën për të vizituar samitin, por është gjithashtu e rëndësishme që Ukraina të marrë ftesën përkatëse.

Nuk ka asnjë pengesë të vetme objektive për vendimin politik për të ftuar Ukrainën në aleancë dhe tani, kur shumica e njerëzve në vendet e NATO-s dhe shumica e ukrainasve mbështesin anëtarësimin në NATO, është koha për vendimet përkatëse”, tha Zelensky.

 

Kremlini: Synimi i operacionit ushtarak në Ukrainë, parandalimi i anëtarësimit të tyre në NATO

Parandalimi i pranimit të Ukrainës në NATO mbetet një nga qëllimet e operacionit special ushtarak të Rusisë, u tha gazetarëve të enjten zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

“Sigurisht, sepse, në të kundërt, kjo do të përbëjë një kërcënim serioz, domethënës për sigurinë e vendit tonë”, tha Peskov.

Duke komentuar vizitën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Kiev, Peskov tha se Kremlini nuk ka vlerësime për perspektivat e anëtarësimit të Ukrainës në aleancën ushtarake.

Sipas TASS, vizita e Stoltenberg në Kiev është elementi përfundimtar i përgatitjes për takimin e grupit të kontaktit për Ukrainën në bazën ajrore Ramstein të Gjermanisë më 21 prill.

Lukashenko: Rusia dhe Bjellorusia do u rezistojnë përpjekjeve të forcave shkatërruese

Bjellorusia dhe Rusia së bashku do të qëndrojnë të patundura kundër çdo përpjekjeje të “nazistëve të ditëve moderne” ose forcave të tjera shkatërruese që duan t’i tërheqin  në një skenar të Luftës së Tretë Botërore përmes konfliktit në Ukrainë, ka deklaruar presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko.

“Ne mund të shohim se forcat naziste, fashiste dhe të tjera shkatërruese po bëjnë përpjekje për të rishkruar historinë dhe për të justifikuar veprimet e tyre kriminale, si të asaj periudhe ashtu edhe sot,” i tha Lukashenko guvernatorit të Shën Petersburgut, Aleksandër Beglov.

“Ata po përpiqen të na tërheqin në një luftë të tretë botërore përmes konfliktit në Ukrainë.

Por unë jam i bindur për një gjë, ata dështuan të shkatërrojnë kombet tona atëherë, dhe nuk do të kenë sukses as sot,” u shpreh presidenti bjellorus.

Stoltenberg: Ukraina do ta ketë një ditë vendin e saj në aleancë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi të enjten nga Kievi, se Ukraina e meriton të anëtarësohet në NATO dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme për këtë vend.

“Vendi i duhur i Ukrainës është në familjen euro-atlantike... Vendi i duhur i Ukrainës është në NATO”, tha zoti Stoltenberg gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Kiev me presidentin ukrainas Zelenskiy.

Kjo është vizita e parë në Ukrainë e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s që nga fillimi i sulmit të Rusisë mbi një vit më parë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha të enjten se ka ardhur koha që NATO të marrë vendimin politik për ta ftuar Ukrainën të anëtarësohet në aleancë, dhe se Kievi do të donte të dinte se kur mund të ndodhë anëtarësimi.

Udhëheqësi ukrainas tha gjatë një konference të përbashkët për shtyp gjatë vizitës në Kiev të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, se takimi i ardhshëm i aleancës në Vilnius mund të shndërrohet në një takim historik, nëse jepet ftesa për Ukrainën.

“Nuk ekziston asnjë pengesë objektive për ta ftuar Ukrainën në aleancë, dhe tashmë që pjesa më e madhe e popullsisë të vendeve të NATO-s dhe shumica e ukrainasve mbështesin anëtarësimin në NATO, ky është momenti i duhur për të marrë vendimet përkatëse”, tha zoti Zelenskiy.

Vizita e kreut të NATO-s ka një simbolikë të veçantë, pasi u bë vetëm dy ditë pasi Presidenti rus Vladimir Putin vizitoi rajonet e pushtuara të Ukrainës.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se parandalimi i anëtarësimit të Ukrainës në NATO mbetet një nga objektivat e “operacionit të posaçëm ushtarak”, siç e quan Moska sulmin në Ukrainë. Duke folur me gazetarët nëpërmjet telefonit, zoti Peskov tha se anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të krijonte “një kërcënim serioz dhe domethënës për vendin tonë, për sigurinë e vendit tonë”.

Më herët këtë muaj, aleancës iu bashkua Finlanda, duke lënë mënjanë dekada neutraliteti dhe duke bërë kështu një ndryshim historik të kuadrit të sigurisë evropiane të periudhës së pas Luftës së Ftohtë. Megjithëse NATO thotë se kjo nuk përbën një kërcënim për Rusinë, anëtarësimi i këtij vendi nordik është një goditje e rëndësishme politike për Presidentin rus Putin dhe dyfishoi kufirin tokësor të Rusisë me aleancën më të madhe ushtarake në botë. Për më tepër, vendi fqinj Suedia pritet të anëtarësohet në NATO gjatë muajve në vazhdim./VOA

Stoltenberg në Kiev: Ukraina e ka vendin në NATO

Shefi i Organizatës së Traktit të Atlantikut Verior(NATO), Jens Stoltenberg, ka vizituar Kievin, për herë të parë prej fillimisht të pushtimit rus në Ukrainë.

Aty ai ka theksuar mbështetjen e aleancës ushtarake. “NATO qëndron me ju sot, nesër dhe për aq kohë sa duhet”, ka thënë Stoltenberg.

Ai ka vendosur kurorë në nderim të ushtarëve ukrainas të cilët janë vrarë gjatë luftimeve në lindje të vendit.

Stoltenberg gjithashtu ka vizituar vendin ku ndodhen automjetet e blinduara ruse të cilat janë shkatërruar nga forcat ukrainase.

Në një konferencë për shtyp, të mbajtur me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, Stoltenberg ka thënë se aleatët e NATO-s i kanë dhënë më shumë se 150 miliardë euro mbështetje Ukrainës që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkurt të vitit 2022.

“E ardhmja e Ukrainës është në familjen euroatlantike. E ardhmja e merituar e Ukrainës është në NATO”, ka thënë ai.

Vizita e shefit të NATO-s në Ukrainë është bërë e ditur nga Aleanca, në faqen e saj zyrtare. 

Kievi zbardh prapaskenat e vizitës së presidentit rus në Kherson dhe Lugansk: Ishte sozia e Putinit

Kievi të mërkurën kundërshtoi njoftimin se presidenti rus Vladimir Putin së fundmi vizitoi sërish zonat e luftës në Ukrainë, duke pretenduar se ai nuk shkoi vetë, por ishte një sozi e tij. “Ky nuk ishte Putini i vërtetë,” tha sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare Oleksii Danilov për televizionin ukrainas, pa dhënë asnjë provë. “Për të folur me Putinin e vërtetë, duhet të jesh në izolim për 10 deri në 14 ditë”, vazhdoi ai.

Sipas një njoftimi për shtyp të Kremlinit të lëshuar të martën, presidenti rus së fundi udhëtoi në zonën e luftës në Ukrainë, u takua me ushtarakët rusë që luftonin në vijën e frontit në rajonet Kherson dhe Lugansk dhe u konsultua me oficerë të lartë.

Kjo është vizita e dytë e shpallur nga zoti Putin në territorin ukrainas pasi urdhëroi ushtrinë ruse të pushtonte vendin fqinj më 24 shkurt 2022. Data e saktë e vizitës së presidentit rus nuk u specifikua. Kremlini publikoi një video të shkurtër që tregon Vladimir Putinin duke dalë nga një helikopter dhe duke shtrënguar duart me ushtarët me uniformë.

Sipas z. Danilov, personi që shkoi në Kherson ishte “spiuni” i zotit Putin: “janë mjaft, siç e dimë ,” shtoi ai.

Zyrtari ukrainas pohoi gjithashtu se presidenti i Rusisë është “i frikësuar” dhe për këtë arsye është e pamundur që ai të vendosë të vizitojë ushtarët në vijën e frontit. Sipas zotit Danilov, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është një rast “diametralisht i kundërt “, pasi ai ka vizituar vazhdimisht frontet, ndërsa Vladimir Putin, sipas tij, “një gjysh i fshehur në bodrum” së shpejti “do të ketë frikë edhe nga zosia e vet”.

Në Rusi po përgatitet një grusht shteti, shtohet lista e armiqve të presidentit rus brenda Moskës

Në dukje është e vështirë të gjesh armiq më “të flaktë” se Yevgeny Prigozhin, themeluesi i ushtrisë mercenare ruse Wagner, dhe Igor Girkin, i njohur si “Strelkov”, një ultranacionalist që luajti një rol të rëndësishëm në fazën e parë të pushtimit rus të Ukrainës në 2014. Të dy shkëmbyen ofendime, madje edhe kërcënime të hapura, që e bënë të pamundur pajtimin e tyre. Megjithatë, siç thekson Leonid Beršidski në Bloomberg, në të njëjtën kohë, të dy kanë ndjenjën e frikës dhe shpresës për të ardhmen e Rusisë pas përfundimit të sundimit të presidentit rus Vladimir Putin. Rusia e Putinit nuk ka zhdukur çdo lloj lirie të shprehjes. Ata që mbështesin pushtimin e Ukrainës, gëzojnë lirinë e plotë të fjalës dhe sjelljes në kritikimin e komandantëve të lartë të 'operacionit special ushtarak', në disa raste edhe vetë udhëheqësit rus. Ky grup përfshin "patriotët e zemëruar", grupin rreth “Strelkov”, besnikët e Putinit si Prigozhin dhe të gjithë ata në mes, personazhe që mbeten mister.

Grusht shteti në Rusi

Për ta, Putini është një tradhtar i mundshëm i radikalëve, fatkeqësisht zemërbutë ndaj besnikëve agresivë. Kohët e fundit, Prigozhin dhe Strelkov shprehën frikën e tyre se lufta në Ukrainë mund të përfundojë me një marrëveshje të parakohshme politike. "Ka nga ata në pushtet dhe biznese të mëdha që kanë transferuar kapitalin e tyre dhe besnikërinë e tyre në Perëndim. Ata janë të gatshëm të na sabotojnë dhe të bëhen palë me armikun, domethënë të tradhtojnë Putin. Nuk përjashtohet mundësia që mund të përgatiten një grusht shteti properëndimor, kapitullim dhe, rrjedhimisht, copëtimin e Rusisë”, shkruan Strelkov në kanalin e tij Telegram.

Dobësimi i Rusisë pas luftës

Themeluesi i grupit Wagner, i cili thuhet se ka ambicie politike, botoi një artikull të gjatë duke sugjeruar se si Kremlini ashtu edhe shumica e rusëve mund të tundohen për t'i dhënë fund luftës pikërisht tani, nëse Rusia mund të mbajë territorin që ka pushtuar tashmë. Kjo, pohoi ai, është arsyeja pse ushtria ukrainase nuk po nis një kundërsulm. Sipas Prigozhin, SHBA po i pengon ukrainasit në mënyrë që Rusia të mos fitojë e as të humbasë. Rezultati do të ishte një shtet i dobësuar, në të cilin "shteti i thellë" i tij jopatriotik, properëndimor, përfundimisht do të ndihmonte strategët politikë amerikanë të thyejnë vendin, gjë që ata nuk mund ta arrinin me mjete ushtarake.

Rrëzimi i elitës

Megjithatë, armiqtë e betuar nuk bien dakord për disa çështje të tjera. Sipas Strelkov, një disfatë ushtarake në Ukrainë mund të shkaktojë "shpërbërjen" e Rusisë, por Prigozhin argumenton se një kolaps i tillë nuk do të ishte një dënim me vdekje sepse vetë thelbi i Rusisë është ende i mbrojtur mirë. Prigozhin dhe Strelkov shpresojnë që lufta e vazhdueshme do të ringjallë Rusinë dhe do të rrëzojë elitën e saj, e cila ka qeverisur vendin gjatë pothuajse një çerek shekulli të sundimit të Putinit, për t'u zëvendësuar nga një grup më patriotik. As Strelkov dhe as Prigozhin nuk do ta pranonin tjetrin si pjesë të kësaj elite të re, por kjo është normale për forcat e opozitës ruse, qofshin ato liberale apo ultra-nacionaliste, ata kurrë nuk arritën të bien dakord se si mund ta ndajnë pushtetin nëse do të binte ndonjëherë në duart e tyre.

Heshtja e Putinit

Një nga arsyet e dukshme pse regjimi i Putinit nuk është marrë ende me Strelkovin apo Prigozhinin, pavarësisht nga ambiciet e tyre politike gjithnjë e më të theksuara, është mosbesimi dhe përbuzja e tyre për elitën jetëgjatë dhe të rrënjosur të regjimit. Ashtu si shumë herë më parë, opozita nacionaliste shërben si “karburant” për propagandën. Është koha, beson gazetari rus Beršidski, që "patriotët e zemëruar" dhe admiruesit e modelit të Prigozhin të shqetësohen për një lloj kompromisi të pabesë nga ana e Putinit nëse ai përpiqet t'i heshtë ata. Investimi i Putinit në "pikën e kthesës civilizuese" të Rusisë është diçka shumë më e madhe se "investimet" e Prigozhin ose Strelkov, ai ka investuar gjithçka në të. Vetëm një disfatë e madhe ushtarake, teorikisht, mund ta ndryshojë këtë, përfundon Leonid Beršidski komentin e tij.

Për herë të parë që nga fillimi i luftës, shefi i NATO-s viziton papritur Kievin, çfarë pritet

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg bëri të enjten vizitën e tij të parë në Kiev që nga fillimi i luftës, në shenjë mbështetjeje për Ukrainën ndërsa ajo përgatitet të nisë një kundërofensivë.

Stoltenberg bëri nderimet e tij për ushtarët ukrainas që janë vrarë duke luftuar në luftë dhe shqyrtoi pajisjet e dëmtuara ushtarake ruse të ekspozuara në një shesh qendror në Kiev, tha një fotograf i Reuters.

Vizita e tij vjen në mes të zgjerimit të fundit të aleancës, e cila ka mirëpritur së fundmi Finlandën dhe pret që Suedia të bashkohet në të ardhmen e afërt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat