Shtëpia e Bardhë: Nuk ka plane evakuimi për të gjithë amerikanët në Sudan

Bota

Shtëpia e Bardhë: Nuk ka plane evakuimi për të gjithë amerikanët në Sudan

Më: 22 prill 2023 Në ora: 00:24
Foto ilustrim

Pentagoni po dislokon trupa dhe po përgatit opsione për të ndihmuar në evakuimin e mundshëm të personelit të ambasadës amerikane nga Sudani. Por Shtëpia e Bardhë tha të premten, se për momentin, nuk ka plane për një evakuim më të gjerë të mijëra amerikanëve që ndodhen në këtë vend, ku fraksionet ndërluftuese janë përfshirë në një konflikt të dhunshëm.

Lëvizjet e trupave nga ushtria amerikane kanë për qëllim "të sigurojnë që ne të ofrojmë sa më shumë opsione të jetë e mundur, nëse do të na kërkohet një gjë e tillë", tha Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin në një konferencë shtypi në Gjermani. Zoti Austin dhe gjenerali i ushtrisë amerikane Mark Milley, Shef i Shtabit të Përbashkët, zhvilluan takime me zyrtarë të mbrojtjes nga vende të tjera, për të diskutuar lidhur me mbështetjen shtesë për Ukrainën.

Rreth 16,000 shtetas amerikanë kanë njoftuar Ambasadën amerikane në Kartum të Sudanit, se ndodhen në këtë vend. Por Departamenti i Shtetit ka paralajmëruar se kjo shifër është ndoshta e pasaktë, sepse regjistrimi pranë ambasadës është vullnetar dhe nga ana tjetër, nuk ka njoftime nëse ndonjë prej tyre, mund të jetë larguar tashmë.

“Është absolutisht e domosdoshme që qytetarët amerikanë në Sudan të bëjnë përpjekje për të garantuar sigurinë e tyre në këto rrethana të vështira”, tha në Uashington zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby.

Ai shtoi se për momentin "shtetasit amerikanë nuk duhet të kenë asnjë pritshmëri për një evakuim të koordinuar nga qeveria amerikane. Dhe nuk pritet ndonjë ndryshim në këtë drejtim", shtoi ai.

Ndërkohë sipas një zyrtari amerikan, një numër i vogël trupash kanë filluar të mbërrijnë në Xhibuti, të Bririt të Afrikës, ku SHBA-të po pozicionojnë trupa dhe pajisje për të ndihmuar në një evakuim të mundshëm të personelit të ambasadës.

Trupat amerikane po zhvendosen në kampin 'Lemonnier' të Xhibutit. Planet për evakuim nisën të trajtohen me seriozitet të hënën, pasi një autokolonë e ambasadës amerikane u sulmua në kryeqytetin e vendit Kartum.

Konflikti mes ushtrisë së Sudanit dhe një force rivale paraushtarake po përkeqësohet. Ushtria ka përjashtuar negociatat duke shtuar rrezikun për ripërtëritje të akteve të dhunës gati njëjavore që është bërë shkak për vdekjen e qindra vetëve.

Zyrtari amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti tha se gjenerali Milley diskutoi situatën me zyrtarë të mbrojtjes nga Gjermania, Italia dhe Kanadaja.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha të premten se një shtetas amerikan kishte vdekur në Sudan, por nuk dha detaje të mëtejshme./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat