Kriset marrëdhënia mes Vladimir Putin dhe Xi Jinping, ja si Kina po i prish në fshehtësi të plotë planet e Rusisë

Bota

Kriset marrëdhënia mes Vladimir Putin dhe Xi Jinping, ja si Kina po i prish në fshehtësi të plotë planet e Rusisë

Më: 22 prill 2023 Në ora: 11:24
Vladimir Putin dhe Xi Jinping

Vizita të shpeshta, dhurata të çmuara, dreka e darka pa fund…Gjithçka duket perfekte në marrëdhënien e presidentit kinez Xi Jinping dhe homologut rus Vladimir Putin, si dhe vendeve që ata drejtojnë. Po ashtu edhe nga deklaratat e fundit zyrtare nga Moska dhe Pekini, krijohet përshtypja e një forcimi të vazhdueshëm dhe të mëtejshëm të partneritetit kino-rus. Por, në realitet ka disa çështje që i frikësojnë rusët dhe kinezët dhe të cilat, në planin afatmesëm dhe afatgjatë, mund të shpërthejnë duke shkaktuar incidente dhe përplasje të papritura. Ka disa “çështje të nxehta”, në të cilat pikëpamjet e Kinës dhe Rusisë ndryshojnë dukshëm. Kjo tregon dy gjëra: se lidhja që bashkon dy vendet është partneritet, jo aleancë dhe se mbi të gjitha, boshti Moskë-Pekin do të vazhdojë të ekzistojë dhe të konsolidohet për aq kohë sa asnjëri partner nuk bëhet shumë barrë për tjetrin.

Dërgimi i armëve

Çështja e parë përfshin armët, ose më saktë ndihmën ushtarake për konfliktin ukrainas, të cilën Kina, të paktën deri tani, nuk duket se është e gatshme t'ia sigurojë Rusisë. Qëndrimi i “Dragoit” nuk ka ndryshuar, të paktën zyrtarisht: për Rusinë, nuk ka armë kineze. Por dosjet e Pentagonit tregojnë se Pekini ka miratuar furnizimin me ndihma vdekjeprurëse për Moskën, megjithatë duke kërkuar që çdo dërgesë të mbetet sekrete. Sipas “New York Times”, që nga fillimi i luftës, Kina ka dërguar më shumë se 12 milionë dollarë drone dhe pjesë këmbimi në Moskë. Natyrisht, njerëzve të Putinit do t'u duhej shumë më tepër se kaq në luftën kundër Ukrainës, kur luftimet të përhapen edhe në territorin rus.

Rindërtimi i Afganistanit

Edhe pse bisedimet për rindërtimin e vendit janë shumëpalëshe, loja reale për të ardhmen afgane vë në pikëpyetje lidhjen Moskë-Pekin. Pas daljes së SHBA nga skena, kinezët janë gati të marrin pasurinë e madhe minerale të Kabulit. Në provincën e Logarit, dy orë me makinë LARG nga kryeqyteti, ndodhet një rezervat më të mëdha të bakrit të pashfrytëzuara në botë. Ndaj, sipas “Wall Street Journal”, Kina po negocion me autoritetet talebane për të filluar punën me miniera në vendin e quajtur Mes Aynak, dhe është gjithashtu në bisedime për të filluar kërkimin për rezervat e naftës dhe gazit në veri të vendit. Ndaj, ka të ngjarë të mbetet pak liri veprimi për Rusinë dhe kjo që nuk i pëlqen aspak Kremlinit, që nuk i pëlqen as ekspansioni progresiv dhe i heshtur kinez në Azinë Qendrore.

Siberia, Arktiku dhe Lindja e Largët

Që kur Rusia ndërpreu lidhjet me Evropën, duke e zhvendosur qendrën e saj të gravitetit drejt Lindjes, Moska në mënyrë të pashmangshme ka synuar Lindjen e Largët. Brenda pak vitesh, pyjet dhe kullotat siberiane në fakt mund të jenë gati për parcela me grurë, misër dhe sojë. Dhe kjo është arsyeja pse qeveria kineze, sipas analistëve të ndryshëm, synon të zgjerohet në Siberi. Nuk është rastësi që ka nga ata që flasin për "ekspansionizëm paqësor" nga ana e Pekinit, në kuptimin që “Dragoi” po përpiqet në çdo mënyrë të hedhë rrënjë në periferinë ruse duke shfrytëzuar dy karta: profilin demografik dhe ekonomik.

Lufta në Ukrainë

Ndërhyrjet e shumta ushtarake të Rusisë, theksoi grupi i ekspertëve China Poëer, kanë nxitur reagim jo politik dhe ekonomik nga Kina. Lufta në Ukrainë ka dobësuar Moskën, duke zvogëluar dobinë e saj strategjike në sytë e Pekinit, duke marrë parasysh edhe konfliktin edhe me Shtetet e Bashkuara, duke zgjeruar më tej hendekun midis Xi dhe Putin. Forca brutale e përdorur nga Kremlini e ka vënë Kinën gjithashtu në situata të vështira politikisht, edhe sepse udhëheqja e Partisë Komuniste të Kinës e ka përshkruar prej kohësh integritetin territorial dhe mosndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të tjera si gurët e themelit të politikës së jashtme të Kinës. Zyrtarët kinezë shpesh theksojnë faktin se vendi i tyre kurrë nuk ka pushtuar apo keqtrajtuar kombe të tjera. Megjithatë, pushtimet e përsëritura ruse janë në kundërshtim të qartë me këto parime. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, konflikti ukrainas rrezikoi të distancojë Kinën nga Evropa që është ende një treg themelor për ekonominë e “Dragoit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat