Khodorkovsky: Nëse Ukraina fiton, Putini do të rrëzohet

Bota

Khodorkovsky: Nëse Ukraina fiton, Putini do të rrëzohet

Nga: Sherif Ramabaja Më: 23 prill 2023 Në ora: 20:41
Mikhail Khodorkovsky

Për shefin e Kremlinit Putin, lufta në Ukrainë nuk do të thotë asgjë më pak se mbajtja e pushtetit të tij. Ish-oligarku Mikhail Khodorkovsky është i sigurt se nëse ushtria ruse nuk arrin të fitojë luftën, Putini do të rrëzohet me forcë. Tashmë ka kandidatë për pasardhësin e tij.

Ish-oligarku dhe kritiku i Putinit Mikhail Khodorkovsky parashikon fundin e epokës së Putinit, nëse Ukraina arrin një fitore ushtarake. Më pas “Putini do të rrëzohet”, thotë ai në një intervistë për gazetat e grupit mediatik Funke. Presidenti 70-vjeçar tashmë nuk mund të mbështetet më në besnikërinë e plotë të aparatit shtetëror. “Fuqia personale e Putinit ka filluar të shkërmoqet”, tha ish-CEO i kompanisë së naftës Yukos. "Po të ishte shefi tashmë 60 vjeç, do të ishte ende një garant për këtë aparat. Kurse me moshë 75 vjeç, ai nuk do të arrinte tutje të garantojë më stabilitetin e këtij aparati. Më pas sistemi i tij fillon pastaj të kërkojë një person tjetër, që do të mund ta trashëgonte."

Khodorkovsky pretendon se emrat e parë për pasardhësin e mundshëm të Putinit tashmë po qarkullojnë. "Mund të jetë kryeministri Mikhail Mishustin. Përmendet edhe kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin. Në këtë grup bën pjesë edhe guvernatori i rajonit Tula, Alexei Dyumin."

"Shumë lehtë mund të vijë edhe deri te shpërbërja e Rusisë"

Vetë Putini me sa duket ka frikë nga humbja e pushtetit. "Ajo që Putini ka më shumë frikë është tradhtia nga radhët e tij," tha Khodorkovsky për T-Online. Prandaj ai ka frikë nga tentativat për grusht shteti nga rrethi i tij i afërt. Sipas figurës së opozitës ruse, i cili tani jeton në Londër, Putin përdor mundësitë e "likuidimit" për ata që vijnë brenda strukturës së tij. "Po të donte ai të ma shqiptonte një dënim me vdekje, atëherë nuk do të kishte siguri për mua. Atëherë do të duhet të jetoja me të dhe kaq."

Prandaj, Khodorkovsky beson se ndryshimi i regjimit në Rusi mund të ndodhë vetëm me forcë, ose nën kërcënimin e forcës. “Sigurisht që është e mundur që në Rusi të ketë një qeveri tjetër autoritare”, vazhdoi për “t-online” Khodorkovsky. "Kjo gjithashtu mund të çojë në një shpërbërje të Rusisë."

Përmbysja e dhunshme mund të ndodhte, nëse ushtria do të fajësohej për humbjen e Rusisë në luftën me Ukrainën. Khodorkovsky beson se seksioni kombëtar-patriotik i ushtrisë mund të ndërmarrë veprime vendimtare. I ashtuquajturi siloviki mund t'i thoshte regjimit aktual: "Ose largohu tani, ose do të vdesësh". Megjithatë, skenarë të tillë grusht shteti janë realistë, vetëm në rast të një fitoreje ushtarake të Ukrainës: "Nëse Ukraina nuk fiton, një pyetje e tillë nuk parashtrohet më".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat