Sudan, amerikanët e mbetur në pritje të një evakuimi të ri

Bota

Sudan, amerikanët e mbetur në pritje të një evakuimi të ri

Më: 24 prill 2023 Në ora: 15:24
Foto nga vendi i ngjarjes

Ndërsa shtetet evakuojnë diplomatët e tyre nga Sudani, qytetarëve amerikanë që janë ende të bllokuar në vendin afrikan u kërkohet të vazhdojnë të mos dalin nga shtëpitë dhe të ndjekin me kujdes komunikimet zyrtare të SHBA-së. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, i hedh një vështrim alternativave që po shqyrtohen për të ndihmuar ata që janë bllokuar në këtë vend për shkak të luftimeve të vazhdueshme midis forcave të armatosura të Sudanit dhe një grupi paraushtarak.

Disa orë pasi diplomatët amerikanë dhe të vendeve të tjera u evakuuan, një video nga Sudani tregonte grupin paraushtarak, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë dhe udhëheqësin e tyre, Mohamed Hamdan Dagalo, duke ecur në mënyrë sfiduese pranë kompleksit të pallatit presidencial. Zëri i Amerikës nuk mund të verifikojë pamjet, por raportet tregojnë se luftimet e ashpra mes këtij grupi dhe forcave të armatosura sudaneze, po vazhdojnë.

Kryeministri britanik Rishi Sunak njoftoi të dielën përmes rrjetit social Twitter se stafi diplomatik i Britanisë është larguar nga vendi.

Shtetet e Bashkuara aktualisht po vlerësojnë se si të mbështesin mijëra qytetarë amerikanë të mbetur pas, tha për televizionin amerikan ABC koloneli në pension Steve Ganyard.

Pentagoni tha se po shqyrtonte mundësinë e krijimit të një korridori të sigurt midis kryeqytetit Khartoum dhe qytetit Port Sudan dhe prej andej marina merikane t’i largonte njerëzit përmes detit”, thotë koloneli në pension i Marinës së SHBA-së, Steve Ganyard.

Shumica e civilëve amerikanë që janë ende në Sudan janë sudanezë amerikanë që punojnë në misione humanitare, tha senatori demokrat Mark Warner në programin “This Week” të televizionit ABC.

Ekziston një përpjekje e OKB-së për të nxjerrë njerëzit nga Khartoumi përmes një korridori tokësor. Ka bashkëpunim me partnerët nga Lindja e Mesme, madje unë besoj se po punohet me Kinën dhe evropianët për të gjetur një mënyrë të sigurt për t'i larguar ata”, tha senatori demokrat, Mark Warner.

Sipas Senatorit Warner, momentalisht ata duhet të vazhdojnë të qëndrojnë brenda shtëpive në Sudan.

Bota nuk mund të harrojë nevojën urgjente për të ndërmjetësuar një armëpushim për hir të popullit sudanez, tha për Zërin e Amerikës, analistja Rebecca Hamilton.

Ajo që vërtetë ka nevojë Sudani është një demokraci e qëndrueshme”

“Ajo që vërtetë ka nevojë Sudani, ajo që populli sudanez na ka thënë për një kohë të gjatë, është një proces paqeje gjithëpërfshirës që do të jetë i vështirë dhe do të marrë shumë kohë. Por, kjo përpjekje e vështirë ia vlen për të arritur një demokraci të qëndrueshme”, thotë profesorja e drejtësisë në Universitetin Amerikan, Rebecca Hamilton.

Në Vatikan të dielën, Papa Françesku u lut për popullin sudanez.

Po bëjë thirrje sërish që dhuna të pushojë sa më shpejt dhe të rifillojë rruga e dialogut”, tha Papa Françesku.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara, “Programi Botëror i Ushqimit” ka thënë ditët e fundit se një numër shumë i madh fëmijësh janë në mesin e refugjatëve që ikin nga konflikti të cilët si nevojë urgjente kanë ujin e pijshëm./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat