Rusia dëbon një diplomat moldav

Bota

Rusia dëbon një diplomat moldav

Më: 25 prill 2023 Në ora: 15:09
Ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë. Fotografi ilustruese.

Moska ka njoftuar se do të dëbojë një diplomat moldav dhe do t’ua ndalojë hyrjen disa zyrtarëve moldavë, si shenjë hakmarrjeje pasi Kishinau e shpalli një punëtor të Ambasadës ruse persona non-grata.

Ministria e Jashtme ruse tha më 25 prill se i ka dorëzuar notë proteste ambasadores moldave, Lilian Darii, "për hapat e vazhdueshëm armiqësor të Moldavisë ndaj Rusisë dhe deklaratat e rregullta anti-ruse", si dhe për rreshtimin krah Bashkimit Evropian në vendosjen e sanksioneve kundër Moskës për luftën në Ukrainë.

Javën e kaluar, Moldavia dëboi një punonjës të ambasadës ruse.

Marrëdhëniet midis Kishinaut dhe Moskës janë përkeqësuar që nga nisja e luftës në Ukrainë, e cila ka ngritur frikën se shteti i vogël i vendosur midis Ukrainës dhe Rumanisë mund të jetë objektivi i ardhshëm i Rusisë.

Emrat e diplomatit të dëbuar dhe zyrtarëve moldavë të cilëve u është ndaluar hyrja në Rusi nuk janë publikuar. Por, gazeta ruse Kommersant raportoi se Moska dëboi konsullin e Moldavisë dhe ua ndaloi hyrjen e ministres së Brendshme, Ana Revenco, dhe tre ligjvënësve të partisë në pushtet: Oazu Nantoi, Olesea Stamate dhe Lilian Carp.

Shtete të ndryshme të Bashkimit Evropian kanë dëbuar dhjetëra diplomatë rusë, që kur Moska nisi pushtimin e Kievit më 24 shkurt 2022. Rusia është kundërpërgjigjur në të njëjtën mënyrë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat