Sulmi me raketa ruse shkakton vdekjen e një personi në Ukrainë

Bota

Sulmi me raketa ruse shkakton vdekjen e një personi në Ukrainë

Më: 27 prill 2023 Në ora: 18:01
Foto ilustrim

Një sulm rus me raketa të enjten në mëngjes në qytetin jugor të Ukrainës, Mykolaiv shkaktoi vdekjen e një personi dhe plagosjen e 23 të tjerëve.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy njoftoi për sulmin në aplikacionin Telegram, duke thënë se ai ishte kryer me katër raketa Kalibr të lëshuara nga Deti i Zi.

Goditja dëmtoi shtëpi dhe një godinë apartamentesh. Rusia mohon të ketë vënë në shënjestër civilë, duke thënë se sulmon objektiva ushtarakë.

Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha të enjten në një konferencë shtypi në Bruksel se Ukraina ka marrë më shumë se 98% të mjeteve luftarake të premtuara nga aleatët dhe partnerët e NATO-s. Dërgesat përfshijnë 1550 automjete të blinduara dhe 230 tanke.

Ai tha se NATO-ja ka trajnuar dhe pajisur më shumë se nëntë brigada të reja të blinduara ukrainase, duke e vendosur "Ukrainën në një pozicion të fortë për të vazhduar rimarrjen e territorit të pushtuar". Zoti Stoltenberg tha gjithashtu se ai "përshëndet" telefonatën mes Presidentit kinez Xi Jinping dhe Presidentit Zelenskyy, por se kjo nuk e ndryshon faktin që Kina ende nuk e ka dënuar agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës.

Zoti Zelenskyy tha se zhvilloi një telefonatë "të gjatë dhe kuptimplotë" me zotin Xi të mërkurën, ku të dy udhëheqësit ranë dakord të dërgonin përfaqësuesit e vet në kryeqyetet respektive, mesa duket një lëvizje fillestare për ndërmjetësimin në bisedimet e paqes për t'i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Media shtetërore kineze raportoi se zoti Xi i bëri thirrje zotit Zelenskyi për negociata mes Rusisë dhe Ukrainës, duke paralajmëruar se “nuk ka fitues në një luftë bërthamore". Ai me sa duket i referohej kërcënimit të Rusisë për përdorimin e armëve bërthamore taktike./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat