Pasi sfiduan pushtetin e Putinit, mercenarët rusë kthehen në bazë

Bota

Pasi sfiduan pushtetin e Putinit, mercenarët rusë kthehen në bazë

Më: 25 qershor 2023 Në ora: 20:16
Lufta Ukrainë - Rusi

Mercenarët rusë të armatosur rëndë u tërhoqën nga qyteti jugor rus i Rostovit brenda natës në bazë të një marrëveshjeje që i dha fund marshimit të tyre të shpejtë drejt Moskës, veprim ngre pikëpyetje mbi pushtetin e Presidentit Vladimir Putin.

Pasi i dhanë fund kryengritjes së armatosur, mercenarët e grupit Wagner u kthyen në bazat e tyre në këmbim të garancive për sigurinë e tyre. Komandanti i tyre, Yevgeny Prigozhin, do të vendoset në Bjellorusi sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Presidenti Alexander Lukashenko.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, la të kuptohet se trazirat në Rusi mund të vazhdojnë për disa muaj, ndërsa kryediplomati i talian Antonio Tajani tha se kishte rënë "miti" i unitetit rus.

Presidenti Putin nuk ka komentuar publikisht që nga arritja e marrëveshjes për uljen e tensiove në Rusi, një nga sfidat më të mëdha që kur ai mori pushtetin më shumë se dy dekada më parë.

Televizioni shtetëror rus njoftoi se zoti Putin do të marrë pjesë këtë javë në një takim të Këshillit të Sigurisë së Rusisë, pa dhënë detaje të mëtejshme. Agjencia shtetërore bjelloruse e lajmeve “Belta” njoftoi se Presidenti Putin foli sërish në telefon të dielën me Presidentin Lukasheko, pas të paktën dy bisedave telefonike të shtunën.

Mbrëmjen e së shtunës 62-vjeçari Yevgeny Prigozhin u pa tek largohej nga selia ushtarake në qytetin Rostov, qindra kilometra në jug të Moskës. Deri tani nuk ka njoftime mbi vendndodhjen e tij.

Një ish-aleat i Presidentit Putin dhe ish-i dënuar, forcat e të cilit kanë zhvilluar betejat më të përgjakshme të luftës 16-mujore në Ukrainë, Prigozhini tha se vendimi i tij për të marshuar drejt Moskës kishte për qëllim të largonte komandantët e korruptuar dhe të paaftë rusë që ai i fajëson për dëmtimin e luftës kundër Ukrainës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat