Mbi dy milionë myslimanë filluan pelegrinazhin e Haxhit në Arabinë Saudite

Bota

Mbi dy milionë myslimanë filluan pelegrinazhin e Haxhit në Arabinë Saudite

Më: 26 qershor 2023 Në ora: 19:43
Mekë

Pelegrinazhi vjetor i Haxhit ka filluar me shumë myslimanë nga e gjithë bota që morën pjesë për herë të parë që nga para pandemisë së shkaktuar nga COVID-19.

Haxhi është një nga pesë shtyllat e Islamit dhe nga të gjithë myslimanët kërkohet që ta bëjnë Haxhin pesëditor të paktën një herë në jetën e tyre nëse janë të aftë fizikisht dhe financiarisht.

Ndërkohë mediat raportojnë se këtë vit, mbi dy milionë pelegrinë myslimanë kanë filluar zyrtarisht pelegrinazhin vjetor të Haxhit.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, haxhinjtë mbërritën në Xhaminë e Madhe në Mekë të dielën, ku kryen Tawaf al-Qudum, i njohur si Tavafi i Arritjes – hapi i parë i pelegrinazhit të Haxhit pas hyrjes në Ihram.

Ihrami i referohet një gjendjeje të shenjtë në të cilën hyjnë dhe qëndrojnë myslimanët gjatë ritualeve dhe ngjarjeve të veçanta që kërkohen për të përfunduar Haxhin ose Umren.

Më pas ata kryen Sa’i midis kodrave Safa dhe Marwa, një ritual që shërben për të nderuar nënën e Profetit Ismail dhe nënkupton përkushtimin dhe besimin e saj në Zot.

Ndërsa dielli lindte të hënën në mëngjes, pelegrinët u mblodhën në Xhaminë e Madhe për të falur lutjet e sabahut përpara se të niseshin për në Mina.

Më pas ata nisën udhëtimin për në Mina ku do të kalojnë një ditë e natë të tërë duke u lutur dhe duke u përgatitur për ditën më të rëndësishme të pelegrinazhit islam.

Ministria e Haxhit dhe Umres ka ngritur mijëra tenda në zonë për të siguruar që pelegrinët të pushojnë mirë.

Gjatë qëndrimit të tyre, pelegrinët do të lexojnë Kuran dhe do të falin namazin gjatë gjithë natës.

Në ditën e nëntë të Dhul Hixhes, ditën më të rëndësishme të Haxhit, haxhilerët do të shkojnë masivisht drejt malit Arafat.

Mali besohet të jetë vendi ku Ademi dhe Hava u takuan përsëri pasi Zoti i dërgoi ata përsëri në Tokë dhe ku Profeti Muhamed mbajti predikimin e tij të fundit.

Më pas ata do të kalojnë në Muzdelife dhe do ta kalojnë natën duke u lutur dhe mbledhur guralecë për “goditjen simbolike të djallit” përpara se të vazhdojnë me hapat e fundit të pelegrinazhit të Haxhit përpara festës së Kurban Bajramit.

Ministri i Haxhit dhe Umres Dr. Tawfiq al-Rabiah tha në një konferencë për shtyp të enjten se autoritetet do të vazhdojnë të ofrojnë shërbimet më të mira për pelegrinët sipas direktivave të mbretit Salman dhe princit të kurorës Mohammed bin Salman.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat