Rreth 700 migrantë me varka mbërrijnë në Lampedusa gjatë natës ​

Bota

Rreth 700 migrantë me varka mbërrijnë në Lampedusa gjatë natës ​

Më: 29 qershor 2023 Në ora: 18:41
Dhjetë nga 14 varkat ishin nisur nga qyteti bregdetar tunizian Sfax.

Pothuajse 700 migrantë arritën me varka gjatë natës, në ishullin italian të Lampedusas në Mesdhe, njoftoi sot agjencia italiane e lajmeve ANSA.

Sipas raportit, gjithsej në port kanë mbërritur 14 varka.

Mbi 1 200 persona mbërritën dje, duke e çuar numrin total te migrantëve që kanë arritur në Lampedusa në 2 000.

Dhjetë nga 14 varkat ishin nisur nga qyteti bregdetar tunizian Sfax.

Një tjetër varkë ishte nisur nga Kerkenna, gjithashtu në Tunizi, ndërsa tre të tjera nga Libia.

Migrantët u dërguan fillimisht në një kamp pritjeje në ishullin italian.

“Kampi i migrantëve, i cili ka një kapacitet deri në 400 persona, tani është i mbipopulluar”, raportoi ANSA.

Lampedusa ndodhet midis Siçilisë dhe Afrikës së Veriut, rreth 190 kilometra nga Sfax.

Shumë njerëz vazhdojnë të përpiqen të arrijnë në Lampedusa, Maltë, Siçili ose në kontinentin italian me anije nga Tunizia dhe Libia përmes Mesdheut qendror.

Ministria e Brendshme italiane ka regjistruar mbi 61 200 migrantë që kanë mbërritur në Itali me anije këtë vit, krahasuar me rreth 27 300 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Përpjekjet për të arritur në Evropë nëpërmjet Detit Mesdhe ndonjëherë çojnë në aksidente tragjike me varka.

Rreth dy javë më parë, qindra migrantë që tentuan të kalonin nga Libia në Itali u mbytën në brigjet e Greqisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat