Analistët: SHBA, “çelësi” që Turqia të heqë veton për anëtarësimin e Suedisë në NATO

Bota

Analistët: SHBA, “çelësi” që Turqia të heqë veton për anëtarësimin e Suedisë në NATO

Më: 30 qershor 2023 Në ora: 16:30
Foto ilustrim

Turqia dënoi djegien publikisht të një kopje të Kuranit, ditën e mërkurë në Stokholm, një incident që analistët thonë se ka të ngjarë t'i japë Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan edhe më shumë arsye për të bllokuar anëtarësimin e Suedisë në NATO. Zoti Erdogan ka kërcënuar tashmë se do ta bëjë një gjë të tillë, duke u mbështetur në pretendimet se Stokholmi strehon separatistë kurdë, që ai thotë se janë terroristë. Korrespondenti i Zërin e Amerikës Dorian Jones njofton nga Stambolli.

Djegia nga një person i një Kurani jashtë një xhamie në Stokholm, duket të jetë pengesa më e fundit në përpjekjen e Suedisë për t'u anëtarësuar në NATO.

Autoritetet turke e dënuan djegien e librit të shenjtë të myslimanëve, duke e konsideruar si një akt të neveritshëm.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan përmendi një incident të ngjashëm të janarit të këtij viti në Stokholm, kur kundërshtoi kërkesën e Suedisë për anëtarësim në aleancën ushtarake.

Disa analistë thonë se fitorja e zotit Erdogan në zgjedhjet e majit, do ta forcojë qëndrimin e tij negociues, përballë partnerëve të vendit në NATO.

Ka të ngjarë të shohim të njëjtën gjë. Presidenti Erdogan, ndoshta është bërë edhe më i guximshëm nga rezultati i zgjedhjeve dhe pa përballje zgjedhore për pesë vjet, mund ta rrisë çmimim e kushteve për ratifikimin e protokollit të anëtarësimit të Suedisë në NATO”, thotë Asli Aydintasbas, e Institutit ‘Brookings’.

Zoti Erdogan akuzon Suedinë për mbështetje të separatistëve kurdë të organizatës politike PKK, një grup i cilësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian si organizatë terroriste. Ai kërkon nga Stokholmi që të ndalë mbështetjen publike për PKK-në, si dhe të ekstradojë anëtarët e saj në Turqi, si kushte për anëtarësimin e vendit në aleancë. Të martën, ministri i Jashtëm suedez Tobias Billström tha se qeveria e tij i ka përmbushur kërkesat e Ankarasë, që lidhen me sigurinë.

Analistët thonë se Uashingtoni është çelësi për zgjidhjen e problemit. Turqia dëshiron që Shtetet e Bashkuara të miratojnë vendimin për t’i shitur Ankarasë avionë të rinj luftarakë amerikanë, F16, si dhe pajisje për modernizimit e flotës ekzistuese të saj. Kjo gjë i jep Uashingtonit një avantazh.

Ndoshta do të arrihet një mirëkuptim i përbashkët, që Amerika të sigurojë modernizimin e avionëve F16-ve që ka aktualisht Turqia, si dhe blerjen e avionëve të rinj. Nuk mendoj se Turqia po kërkon të ndalë procesin e zgjerimit të NATO-s. Por për momentin, sa më shumë shtyhet anëtarësimi i Suedisë, aq më mirë është për Rusinë”, thotë Huseyin Bagci, i Institutit të Politikës së Jashtme.

Presidenti Biden ka shprehur së fundmi mbështetjen e tij për shitjen e avionëve luftarakë Turqisë. Por kjo nuk duket të jetë e vetmja pengesë. Analistët thonë se zoti Erdogan mund të jetë gjithashtu në kërkim të një ftese për të vizituar Uashingtonin, si kusht për heqjen e vetos ndaj Suedisë.

Presidenti Erdogan ka qenë në pushtet për më shumë se njëzet vjet dhe Biden është i vetmi president amerikan, që ka refuzuar ta takojë atë zyrtarisht, qoftë në kryeqytetin amerikan, apo në kryeqytetin turk. Ndaj ndoshta një nga përparësitë e Erdoganit do të jetë t'i japë fund këtij izolimi, ose përjashtimi nga Uashingtoni”, thotë Serhat Guvenc, i Universitetit Kadir Has.

Analistët thonë se takimi i ardhshëm i NATO-s mund të shërbejë si mundësi, që Shtetet e Bashkuara dhe Turqia të lënë mënjanë ndasitë e të arrijnë një marrëveshje për pranimin e Suedinë në aleancë, si dhe për t’i siguruar Rexhep Tayip Erdoganit, një ftesë për në Uashington./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat