Rusia thotë se nuk sheh bazë për zgjatjen e marrëveshjes për eksportimin e drithit

Bota

Rusia thotë se nuk sheh bazë për zgjatjen e marrëveshjes për eksportimin e drithit

Më: 4 korrik 2023 Në ora: 16:04
Foto ilustrim

Ministria e Jashtme e Rusisë tha të martën se Moska nuk sheh bazë për zgjatjen e afatit të marrëveshjes për eksportimin e drithit nëpër Detin e Zi, kur kanë mbetur më pak se dy javë deri në skadimin e paktit që ia mundësonte Ukrainës eksportimin e drithit përmes porteve të saj pavarësisht nga zhvillimi i luftës.

Kjo ministri tha në një deklaratë se Rusia ishte duke bërë gjithçka në mënyrë që të gjitha anijet e mbuluara nga marrëveshja të mund të largoheshin nga Deti i Zi para skadimit të marrëveshjes më 17 korrik, raporton agjencia “Reuters”.

Rusia për një kohë të gjatë ka kërcënuar se do të tërhiqej nga marrëveshja, duke u ankuar se premtimet për t’i larguar pengesat ndaj eksportit të drithit dhe plehrave të saj nuk janë përmbushur.

Sidoqoftë, në mesin e majit u pajtua për ta zgjatur afatin e marrëveshjes edhe për dy muaj, por prej asaj kohe ka thënë në mënyrë të përsëritur se nuk sheh bazë për ta zgjatur afatin e paktit përsëri këtë muaj.

Në një deklaratë, ministria ruse tha se nisma e Detit të Zi e kishte dërguar drithin ukrainas në shtete “mirë të ushqyera”, por se kishte dështuar që t’i ndihmonte ata që kanë më së shumti nevojë në Afrikë, Azi dhe Amerikë Latine.

Sipas kësaj deklarate, vetëm 2,6 për qind e drithit të transportuar ka shkuar në pesë shtetet më të varfra – Etiopi, Jemen, Afganistan, Sudan dhe Somali. Ndërkohë situata sa i përket eksportit të drithit dhe plehrave ruse “vazhdoi që të përkeqësohej”, pretendoi Ministria e Jashtme e Rusisë.

“Nën këto kushte, është e qartë se nuk ka bazë për vazhdim të mëtejmë të “Nismës së Detit të Zi”, e cila skadon më 17 korrik”- thuhet në deklaratë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat