Irani akuzon flotën e SHBA për ‘bashkëpunim me trafikantët e karburantit’ në Gjirin Persik

Bota

Irani akuzon flotën e SHBA për ‘bashkëpunim me trafikantët e karburantit’ në Gjirin Persik

Më: 11 korrik 2023 Në ora: 18:01
Foto ilustrim

Teherani ka akuzuar sot flotën e 5-të të SHBA për sjelle “të rrezikshme dhe jo profesionale” në lidhje me operacionet e Teheranit për parandalimin e kontrabandës së karburanteve në ujërat e Gjirit Persik.

Një admiral iranian tha se disa avionë amerikanë janë përpjekur të parandalojnë trupat e Gardës Revolucionare të ngjiten në bordin e anijeve të dyshuara për trafik ilegal karburanti.

“Më 6 korrik personeli i marinës së Iranit po inspektonin një anije të quajtur NADA 2, e përfshirë në kontrabandë të naftës e gazit iranian në Gjirin Persik, çka amerikanët u përpoqën të parandalojnë me një seri veprimesh joprofesionale dhe të rrezikshme”, tha admirali Ramazan Zirrahi për agjencinë Tasnim.

Zirrahi drejton flotën e dytë të Gardës Revolucionare të Iranit me qendër në Bushehr. Ai shtoi për rrjetin Tasnim se trupat e tij interceptuan komunikime radio mes kapitenit të anijes dhe komandës amerikane në rajon, saktësisht flotës së 5-të të SHBA me bazë në Bahrain.

Ai shtonte se amerikanët udhëzuan kapitenin të fikte motorët e anijes dhe të priste ‘të shpëtohej’. Zirrahi thotë se flota amerikane dërgoi dy avionë gjuajtës A-10 dhe një zbulues tip P-8A Poseidon, dy helikopterë Black Hawk, një dron MQ-9 dhe disa anije patrullimi, por përsëri nuk arritën të ndalonin sekuestrimin e anijes.

Të premten që shkoi agjencia iraniane  Fars tha se çisterna me flamur të Emirateve të Bashkuara ishte sjellë në portin e Bushehr me 12 anëtarë ekuipazhi nga vende të ndryshme, ku iu konfiskuan 1 milionë litra karburant kontrabandë.

Flota e SHBA tha se “kishte monitoruar” interceptimin e anijes në ujëra ndërkombëtare por “vendosi të mos ndërhynte më tej,” sipas komendantit Tim Hawkins.

SHBA insiston se Irani është “një kërcënim për sigurinë detare në rajon” dhe akuzon Teheranin se ka përndjekur ose sekuestruar rreth 20 mjete detare ndërkombëtare që prej vitit  2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat