Stoltenberg: Nuk ka afat për anëtarësimin e Ukrainës, Zelenskyy e quan qëndrim “absurd”

Bota

Stoltenberg: Nuk ka afat për anëtarësimin e Ukrainës, Zelenskyy e quan qëndrim “absurd”

Më: 12 korrik 2023 Në ora: 06:04
Foto nga vendi i ngjarjes

Udhëheqësit e NATO-s ranë dakord të martën që Ukraina të anëtarësohet në aleancë, vetëm "kur vendet anëtare të bien dakord e të plotësohen kushtet". Vendimi vjen disa orë pasi Presidenti Volodymyr Zelenskyy e quajti mungesën e një vendimi mbi këtë çështje, "absurd".

Ne riafirmuam se Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s dhe ramë dakord të heqim kërkesën për një plan veprimi për anëtarësim”, u tha gazetarëve Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke iu referuar një hapi kyç, që një vend të bëhet anëtar i aleancës.

“Kjo do të ndryshojë rrugën e anëtarësimit të Ukrainës, nga një rrugë me dy hapa, në një rrugë me një hap”, tha ai.

Shumë vende anëtare të NATO-s kanë dërguar armë dhe municione në Ukrainë, por mes 31 aleatëve, nuk ka konsensus lidhur me pranimin e Ukrainës në NATO. Në vend të përcaktimit të një afati kohor për anëtarësimin e vendit, udhëheqësit e aleancës vendosën të heqin pengesat që lidhen me procesin, në mënyrë që Ukraina t’i mund të bashkohet më shpejt aleancës, pas përfundimit të luftës kundër Rusisë.

Por zoti Zelenskyy mbajti një qëndrim të ashpër ndaj këtij vendimi.

Është e paprecedentë dhe absurde që nuk caktohet një kornizë kohore, as për ftesën dhe as për anëtarësimin e Ukrainës”, shkruante zoti Zelenskyy në Twitter, teksa po udhëtonte drejt takimit vjetor të NATO-s që mbahet në Vilnus të Lituanisë. “Ndërsa në të njëjtën kohë, formulimi i paqartë për “kushtet”, shtohet edhe për ftesën ndaj Ukrainës, duket se nuk ka gatishmëri për ta ftuar Ukrainën në NATO apo për ta bërë atë anëtare të aleancës”, shtonte ai më tej.

I pyetur mbi shqetësimet e zotit Zelenskyy, zoti Stoltenberg tha se gjëja më e rëndësishme aktualisht ishte të sigurohej që vendi i tij (i zotit Zelenskyy) të fitojë luftën pasi si tha sekretari i NATO-s, “nëse Ukraina nuk mbizotëron, nuk mund të diskutohet fare anëtarësimi".

Gjatë takimit dyditor aleatët shpresojnë të krijojnë një rrugë të qartë përpara për NATO-n si dhe mbështetjen e saj për Ukrainën.

“Ne i vlerësojmë aleatët tanë”, shkruante zoti Zelenskyy në Twitter, duke shtuar se “edhe Ukraina gjithashtu meritonte respekt”. Ai tha se: “Pasiguria është dobësi”, duke shtuar se do ta “diskutonte këtë çështje hapur në takim”.

Zoti Zelenskyy pritet të takohet të mërkurën me Presidentin Joe Biden dhe udhëheqës të tjerë të NATO-s.

Ka pasur ndasi të mprehta brenda aleancës lidhur me dëshirën e Ukrainës për t'u bashkuar me NATO-n, e cila u premtua në vitin 2008, edhe pse pak hapa u ndërmorën drejt këtij qëllimi.

Përveç kësaj, shtetet baltike – duke përfshirë Lituaninë, ku po mbahet takimi – kanë këmbëngulur për një shfaqje të fortë mbështetjeje dhe një rrugë të qartë drejt anëtarësimit të Ukrainës.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë bërë thirrje për hapa të matur. Zoti Biden tha javën e kaluar se Ukraina nuk ishte gati të anëtarësohej. Anëtarët e NATO-s, tha ai për CNN, duhet të "përmbushin të gjitha kualifikimet, nga demokratizimi në një sërë çështjesh të tjera", një referencë ndaj shqetësimeve të kahershme për qeverisjen dhe korrupsionin në Kiev.

Përveç kësaj, disa druhen se futja e Ukrainës në NATO do të shërbente më shumë si një provokim për Rusinë sesa si një frenim kundër agresionit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat