Reforma në gjyqësor çon në përleshje mes policisë dhe protestuesve në Izrael

Bota

Reforma në gjyqësor çon në përleshje mes policisë dhe protestuesve në Izrael

Më: 24 korrik 2023 Në ora: 12:50
Protestuesit izraelitë duke u goditur me topa uji para ndërtesës së Parlamentit.

Policia izraelite ka përdorur topa uji dhe i ka arrestuar protestuesit jashtë Parlamentit të shtetit, teksa pritet të votohet për reforma në sektorin e gjyqësorit.

Votimi i këtij projektligji është përcjellë me trazira që disa muaj dhe ka nxitur disa prej protestave më të mëdha në historinë e shtetit.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është liruar të hënën nga spitali - ku e ka kryer një ndërhyrje në zemër – dhe tani rrezikon të përballet me krizë kombëtare të pashembullt.

Protestuesit - shumica prej të cilëve besojnë se themelet e shtetit të tyre janë duke u gërryer nga plani qeveritar - e kanë rritur zërin e pakënaqësisë dhe e kanë bllokuar rrugën që të çon në ndërtesën e parlamentit.

Bizneset në gjithë shtetin i kanë mbyllur dyert, si shenjë proteste ndaj votimit.

E nxitur nga një koalicion qeveritar, i formuar nga partitë ultra-nacionaliste dhe ultra-fetare, reforma në gjyësor e ka ndarë Izraelin, i ka testuar lidhjet delikate shoqërore, dhe e ka rritur shqetësimin edhe te SHBA-ja, aleatja më e ngushtë e Izraelit.

Përpjekjet për gjetje të kompromisit janë duke vazhduar.

Presidenti i shtetit, Isaac Herzog, është ndërmjetësues i palëve.

Ai ka qenë në spital, ku është trajtuar Netanyahu, me qëllim që t’i afrojë qëndrimet e palëve.

Por, deri më tani nuk është bërë e qartë nëse këto përpjekje do të çojnë në kompromis.

Zhvillimet dramatike janë duke u zhvilluar nga afër në Uashington, prej ku administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka folur hapur kundër Qeverisë së Netanyahut dhe planit të saj.

Në një deklaratë për faqen e lajmeve Axios, të dielën vonë, Biden ka paralajmëruar kundër miratimit të ndryshimeve që janë duke shkaktuar aq shumë ndasi në popull.

“Duke i marrë parasysh kërcënimet dhe sfidat me të cilat po përballet Izraeli tani, nuk ka kuptim që liderët izraelitë të çojnë përpara diçka të tillë – fokusi duhet të jetë në bashkimin e popullit dhe gjetjen e një konsensusi”, ka thënë mes tjerash Biden.

Ndërhyrja e shpejtë e Netanyahut në zemër, për ta vendosur një stimulus kardiak, e ka rritur dramën që e ka mbërthyer Izraelin dhe që rrezikon ta formësojë të ardhmen e tij.

Mjekët e Netanyahut kanë thënë të dielën se procedura ka shkuar mirë.

Përmes një video-incizimi nga spitali, të dielën vonë, Netanyahu, 73-vjeçar, ka thënë se ndihet mirë dhe i ka falënderuar mjekët për trajtimin.

Ai ka thënë se po tenton të gjejë kompromis me kundërshtarët, teksa bëhet gati për votimin e së hënës, që e shndërron projektligjin në ligj.

“Dua që të gjithë ju ta dini se nesër në mëngjes do t’iu bashkohem kolegëve të mi në parlament”, ka thënë ai.

Ndryshimet ligjore parashohin kufizim të kompetencave në gjyqësor, kufizim të kapacitetit të Gjykatës Suprme për t’i sfiduar vendimet parlamentare dhe ndryshimet në mënyrën e selektimit të gjyqtarëve.

Netanyahu dhe aleatët e tij të krahut të djathtë, kanë thënë se ndryshimet janë të nevojshme për të frenuar kompetencat e gjyqtarëve të paemëruar.

Kundërshtarët e tyre, që vijnë kryesisht nga klasa e mesme profesionale e Izraelit, kanë thënë se plani e shkatërron sistemin e ndjeshëm të llogaridhënies dhe e shtyn Izraelin drejt regjimit autoritar.

Plani ka nxitur protesta masive që shtatë muaj, reagime të ashpra nga bizneset dhe dhe një numër në rritje i rezervistëve ushtarakë, në njësitet kyçe, kanë thënë se nuk do të reagojnë ndaj urdhrave, qëndrim që i ka rritur shqetësimet se siguria e Izraelit mund të kërcënohet.

Presidenti Herzog, i cili është kthyer të dielën nga një udhëtim në Shtetet e Bashkuara, ka shkuar menjëherë në dhomën e spitalit të Netahyahut.

“Kjo kohë është urgjente. Neve na duhet ta arrijmë një marrëveshje”, ka thënë Herzog.

Ai ka mbajtur takimet më vonë gjatë së dielës me liderin e opozitës në Izrael, Yair Lapid dhe Benny Gantz, udhëheqës të Unitetit Kombëtar, një tjetër parti opozitare.

Netanyahu dhe aleanca e tij e së djathtës ekstreme i kanë prezantuar planet për këtë reformë në janar, pak pasi e kanë nisur udhëheqësinë.

Netanyahu i ka pauzuar për pak ndryshimet në mars, pas presionit të madh të protestuesve dhe sindikatave të punëtorëve, të cilat kanë nisur greva, duke e paralizuar ekonominë e shtetit.

Pas dështimit për të gjetur kompromis në negociatat e muajit të kaluar, Netanyahu ka thënë se Qeveria e tij do ta çojë përpara reformën./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat