Konflikti i fuqive të mëdha zhvendoset drejt Polit të Veriut, SHBA “i tregon dhëmbët” Rusisë në Arktik

Bota

Konflikti i fuqive të mëdha zhvendoset drejt Polit të Veriut, SHBA “i tregon dhëmbët” Rusisë në Arktik

Më: 2 gusht 2023 Në ora: 11:21
Foto ilustrim

Prej disa vitesh tashmë, zyrtarët evropianë dhe amerikanë të sigurisë dhe inteligjencës kanë hedhur herë pas here “një sy” drejt Polit të Veriut, duke e ditur se shkrirja e akullit polar do të hapë rrugë të reja tregtare, do të nxisë një garë për burimet natyrore dhe do të riformësojë sigurinë globale. Sidomos lufta në Ukrainë dhe përkeqësimi dramatik i marrëdhënieve perëndimore me Moskën, e kanë rritur rëndësinë gjeostrategjike të Arktikut. Rezultati është një rritje në interesin ushtarak, diplomatik dhe të inteligjencës që mund të sjellë një përsëritje të "Lojës së Madhe", rivaliteti i shekullit të 19-të midis perandorive britanike dhe ruse për ndikim në Azi.

Mesazhi i Moskës dhe Pekinit

Gjatë një patrullimi të rregullt në Detin Bering vjeshtën e kaluar, ekuipazhi i anijes Cutter Kimball, një anije e Rojës Bregdetare të SHBA-së, vuri re shtatë anije luftarake që po i afroheshin ishujve Aleutian, të cilët i përkasin shtetit federal të Alaskës.Shumë shpejt u zbulua se anijet po lundronin nën flamurin rus dhe kinez dhe se mes tyre ishte Nanchang, një nga luftanijet më të sofistikuara të Ushtrisë Çlirimtare Popullore Kineze. Pasi Rojet Bregdetare u lajmëruan me radio se ata "po hynin në ujërat territoriale të SHBA", anijet thyen formacionin dhe u larguan nga zona.

“Ajo zonë patrullohet nga anije nën të gjitha llojet e flamujve, por atyka edhe stërvitje ushtarake të organizuara të përbashkëta”, raportoi redaksia e “Wall Street Journal”, e cila botoi ekskluzivisht këtë episod,  Admirali amerikan Nathan Moore, i cili deri vonë shërbeu si komandant i Rojës Bregdetare në Alaskë, beson se ky episod mund të interpretohet vetëm si një mesazh i qartë nga Moska dhe Pekini, se Arktiku është bërë i një rëndësie të jashtëzakonshme strategjike për ta.

Synimet e Putinit

Por pse? Sipas vlerësimeve të hulumtimit të USGS nga viti 2008, rreth 90 miliardë fuçi naftë mund të fshihen nën akullnajat e Arktikut, që përfaqëson rreth 13 për qind të rezervave botërore.Me "operacionin special ushtarak" në Ukrainë që nuk përparon me ritmin që Kremlini do të donte që ai të përparonte, regjimi i Putinit dëshiron të përdorë çdo armë në arsenalin e tij për të arritur fitoren e shumëpritur dhe sigurisht, për të qëndruar në pushet. Ai shpreson se pozicioni gjeostrategjik i Rusisë, territori i së cilës mbulon më shumë se 50 për qind të të gjithë Arktikut, mund ta ndihmojë lidhur me këtë. Shërbimi inteligjent norvegjez paralajmëron se kanë vënë re një prani të shtuar të marinës ruse në Arktik muajt e fundit.

Imazhet satelitore, të dhënat e të cilave u morën nga redaksia e “Wall Street Journal”, konfirmuan se frekuenca e anijeve tregtare dhe shtetërore që lundrojnë në Arktik nën flamurin rus është rritur me 22 për qind që nga viti 2018.Edhe pse Kina nuk është një nga vendet e Arktikut dhe si e tillë nuk ulet në tryezën e Këshillit të Arktikut të lartpërmendur, vitet e fundit as që përpiqet të fshehë ambiciet e saj për të shtrirë “tentakulat” e ndikimit të saj në veri, prandaj ka vite që kërkon një justifikim për të dërguar atje anijet e saj të sofistikuara luftarake.

Projekti i SHBA

Pentagoni, nga ana tjetër, si dhe aleatët perëndimorë, nuk duan të vënë veten në situatën që të rrinë “duarkryq” teksa shikojnë grumbullimin e anijeve luftarake kineze dhe ruse në një zonë të paeksploruar të pasur me energji. Kjo është arsyeja pse administrata Biden po punon për të forcuar praninë e saj në veri. Deri më tani, përkatësisht, SHBA kishte angazhuar vetëm një akullthyes në zonën e Arktikut, i cili punoi vetëm për gjysmë viti. Rusia ka më shumë se 30 të tilla.

Sipas “WSJ”, SHBA planifikon të nisë një ekspeditë në Detin Kara, ku mund të angazhohet edhe marina e NATO-s. Projekti nuk është zbatuar ende, por thuhet se Norvegjia ka dhënë tashmë pëlqimin e saj.Është një lëvizje shumë e rrezikshme që Rusia mund ta interpretojë si shkelje të kufizimeve në përdorimin e ujërave territoriale ndërkombëtare në fqinjësinë e saj të afërt, por Pentagoni theksoi se "SHBA do të vazhdojë të fluturojë, të lundrojë dhe të operojë në çfarëdo ujërash ndërkombëtare që e sheh të nevojshme."

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat