Ashpërsohet siguria në Washington para seancës së ish-presidentit

Bota

Ashpërsohet siguria në Washington para seancës së ish-presidentit

Më: 3 gusht 2023 Në ora: 20:00
Donald Trump

Siguria në Washington të SHBA-së është ashpërsuar të enjten për shkak të paraqitjes së Donald Trumpit në gjykatë në lidhje me aktakuzën e re.

Ish-presidenti Donald Trump formalisht do të dëgjojë akuzat në seancën dëgjimore në lidhje me përpjekjet e tij për të rrëzuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të cilat i humbi në vitin 2020.

Një ditë para seancës, ai ka thënë se rasti është provë e korrupsionit, skandalit dhe dështimit të presidencës së Joe Bidenit.

Barrikadat metalike janë vendosur jashtë Gjykatës Federale, në të cilën do të lexohen akuzat kundër Trumpit.

Struktura të ngjashme janë vendosur edhe përreth ndërtesës së Capitolit, të cilën përkrahësit e Trumpit e sulmuan në janarin e vitit 2021.

Shërbimi Sekret i SHBA-së, i cili ofron mbrojtje për presidentët dhe ish-presidentët, ka njoftuar publikun për vonesa në trafik të enjten në Washington.

Ai pritet që të deklarohet i pafajshëm. Ani pse kishte mundësinë që të merrte pjesë nga distanca, Trumpi pritet të marrë pjesë fizikisht në seancën dëgjimore.

Ai është pretenduesi kryesor për nominimin presidencial të partisë republikane.

Republikanët në Kongres kanë shprehur përkrahjen për Trumpin, duke argumentuar se rasti i ri tregon se SHBA-ja është shndërruar në “banana republikë”.

Ndaj Trumpit janë ngritur edhe dy aktakuza të tjera: një për keqmenaxhimin e dokumenteve sekrete dhe falsifikimin e të dhënave të biznesit kur pagoi mijëra dollarë për të heshtur aktoren e filmave për të rritur në lidhje me aferën që kishte me të para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat