LIVE: Marrëveshja që po ‘trazon’ ndërkombëtarët, Rusia ka një thirrje për Amerikën - Zelensky zhvillon një takim të rëndësishëm

Bota

LIVE: Marrëveshja që po ‘trazon’ ndërkombëtarët, Rusia ka një thirrje për Amerikën - Zelensky zhvillon një takim të rëndësishëm

Nga: BOTA SOT Më: 4 gusht 2023 Në ora: 06:19 Përditësuar në ora: 06:16 më 04.08.2023
Pamje nga lufta në Ukrainë

BE: Rusia synon të krijojë varësi të reja me grurë të lirë

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar vendet në zhvillim se Rusia po ofron grurë të lirë “për të krijuar varësi të reja duke përkeqësuar dobësitë ekonomike dhe pasigurinë globale të ushqimit”.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i shkroi vendeve në zhvillim dhe Grupit 20 për t’i nxitur të flasin “me një zë të qartë dhe të unifikuar” për ta shtyrë Moskën të kthehet në një marrëveshje që lejonte eksportin e sigurt të grurit të Ukrainës në Detin e Zi dhe të ndalonte duke synuar infrastrukturën bujqësore të Ukrainës.

“Ndërsa bota merret me furnizime të ndërprera dhe çmime më të larta, Rusia tani po u afrohet vendeve vulnerabël me oferta dypalëshe të dërgesave të grurit me çmime të zbritura, duke pretenduar se zgjidh një problem që krijoi vetë”, tha Borrell.

“Kjo është një politikë cinike e përdorimit të qëllimshëm të ushqimit si një armë për të krijuar varësi të reja duke përkeqësuar dobësitë ekonomike dhe pasigurinë globale të ushqimit,” shtoi ai.

“BE nuk ka kursyer asnjë përpjekje për të siguruar që sanksionet të mos kenë ndikim në sigurinë ushqimore të vendeve të treta. Nuk ka sanksione për eksportet ruse të ushqimit dhe plehrave në vendet e treta”, shkroi Borrell.

Blinken akuzon Rusinë për “sulm” ndaj sistemit botëror të ushqimit

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Bliken, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, akuzoi Moskën për “shantazh”, pasi Rusia së fundi u tërhoq nga një nismë kyçe e eksportit të drithërave.

Kryediplomati amerikan, që udhëhoqi mbledhjen për pasiguritë ushqimore, u tha 15 anëtarëve të Këshillit ët Sigurimit se “uria nuk mund të shndërrohet në armë”.

Ai tha se Rusia, me nisjen e pushtimit të Ukrainës vitin e kaluar, shkaktoi “sulm” ndaj sistemit botëror të ushqimit.

Blinken kritikoi Moskën për tërheqjen muajin e kaluar nga marrëveshja që mundësonte eksportimin e sigurt të drithërave ukrainase përmes detit, në kohën kur lufta ndaj dy shteteve po vazhdon.

Moska ka refuzuar që të zgjasë marrëveshjen, duke çuar në rritjen e çmimeve të drithërave, që ka goditur më së rëndi shtetet e varfra.

“Çdo anëtar i këtij këshilli, çdo anëtar i Kombeve të Bashkuara duhet t’i thotë mjaft Moskës, mjaft përdorët Detin e Zi si shantazh”, tha Blinken.

“Mjaft i trajtuat njerëzit më të cenueshëm në botë si levë. Mjaft me këtë luftë të pajustifikuar”, shtoi ai.

Marrëveshja, e nënshkruar në korrik të vitit 2022 mes Ukrainës dhe Rusisë me ndërmjetësimin e Turqisë dhe OKB-së, synonte shmangien e rrezikut për urinë në botë, duke garantuar qasjen e drithërave ukrainase në tregjet botërore, pavarësisht luftës.

Moska ka kërkuar garanci dhe marrëveshje të re sa i përket eksporteve të veta, veçmas për komponentët e plehrave artificiale.

Gjatë takimit në OKB, Blinken po ashtu njoftoi se Uashingtoni do të japë 362 milionë dollarë për financimin e programeve për luftimin e pasigurive ushqimore dhe kequshqyerjes në disa shtete afrikane dhe Haiti.

Afër 345 milionë persona në 79 shtete vuajnë nga pasiguria akute ushqimore. Ndër shkaqet kryesore për urinë në botë, përveç konflikteve të armatosura, janë edhe efektet e ndryshimeve klimatike.

Putin ndalon zyrtarët e tij që të përdorin makina të huaja

Të gjithë zyrtarët rusë duhet të ngasin makina të prodhuara në vend! Ky është urdhri i ri i presidentit rus, Vladimir Putin në një takim me krerët e kompanive prodhuese.

Sipas presidentit rus, ministrive dhe shërbimeve shtetërore dhe publike u ndalohet blerja e makinave të prodhimit të huaj dhe të fokusohen në forcimin e markave vendase.

“Unë thashë që kjo (blerja e makinave të huaja) duhet të ndalohet absolutisht. Dhe të gjithë zyrtarët duhet të ngasin makina vendase”, theksoi presidenti rus.

“Të gjithë burokratët tanë duhet të kuptojnë se ne duhet të përpiqemi për zhvillimin e markave vendase, makinave vendase dhe produkteve të tjera vendase”, shtoi Putin.

Ai vuri në dukje se “nuk është e nevojshme të refuzohen importet në përgjithësi”, por gjërat kryesore duhet të përqendrohen te prodhuesit vendas.

Rusia regjistron më shumë se 231,000 njerëz në ushtri këtë vit

Rusia ka regjistruar më shumë se 231,000 njerëz në ushtrinë e vendit në vitin 2023, tha një zyrtar i lartë qeveritar.

“Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nga 1 janari deri më 3 gusht, … më shumë se 231,000 njerëz u pranuan për shërbim me kontratë,” tha Dmitry Medvedev, i cili është një ish-president dhe tani shërben si zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, gjatë një takim për çështje që lidhen me personelin ushtarak.

Medvedev tha se detyra e tyre vazhdon të jetë ta bëjnë shërbimin e kontratës “sa më prestigjioz të jetë e mundur”.

Më 21 shtator të vitit të kaluar, presidenti Vladimir Putin shpalli mobilizim të pjesshëm në Rusi për të përfshirë deri në 300,000 njerëz nga mosha 18 deri në 50 vjeç në ushtrinë e vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat