Rritet interesimi i amerikanëve për librat mbi Ukrainën dhe Rusinë

Bota

Rritet interesimi i amerikanëve për librat mbi Ukrainën dhe Rusinë

Më: 27 gusht 2023 Në ora: 18:49
Foto ilustrim

Të paktën një librari në Uashington thotë se njerëzit duan të lexojnë më shumë libra ukrainas. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Iryna Shynkarenko pronarët e librarive thonë se ky interes u rrit në mënyrë dramatike pas fillimit të sulmit rus ndaj Ukrainës dhe nuk është zbehur.

Llalan Fowler nga libraria Kramers, që ndodhet në zemër të Uashingtonit, tregon një nga mbërritjet më të fundit në dyqan, librin e përkthyer në anglisht të fotografes dhe shkrimtares ukrainase Evgenia Belorusets, që tregon historitë e ukrainasve pas fillimit të agresionit rus. Ka shumë tituj të tjerë si ky, një mori librash nga autorë ukrainas, të përkthyer në anglisht.

“Vitin e kaluar pati më shumë interes për libra të autorëve ukrainas. Kemi një libër, një antologji të prozës nga autorë ukrainas, që është shumë popullor. Njerëzit thjesht janë të interesuar të mësojnë për jetën atje.”

Llalan Fowler, e cila drejton departamentin e blerjes së librave në librarinë Kramers, thotë se librat e disa autorëve ukrainas vazhdojnë të shiten me shpejtësi. Një prej tyre është historiani ukrainas Serhii Plokhy.

“Lexuesit dëshirojnë të mësojnë më shumë për historinë e rajonit dhe ata blejnë “Portat e Evropës”, një libër që trajton marrëdhëniet midis dy vendeve”, thotë ajo.

Pasi fillimit të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, libraria Kramers hapi një ekspozitë të veçantë kushtuar luftës. Si rezultat, menaxheri i librarisë, Andrew Jones, thotë se interesimi për librat mbi historinë e Rusisë dhe Putinin u rrit shumë.

Ne hapëm një ekspozitë të librave mbi historinë e Ukrainës dhe Rusisë, veçanërisht atyre që përqendrohen në personalitetin e Putinit, dhe u shitën shumë mirë për rreth tre muaj”, thotë ai.

Zonja Fowler thotë se para luftës, dyqani nuk shiste fare libra nga autorë ukrainas. Megjithatë, sot ata u kushtojnë vëmendje autorëve që zgjedhin.

Para fillimit të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, nuk i kushtoja vëmendje origjinës së një autori. Nuk mendoja për kombësinë e autorit, vëmendjen e kisha vetëm tek libri. Tani i kushtoj vëmendje kombësisë së autorëve sepse klientët e mi janë të interesuar për këtë”, thotë ajo.

Si rezultat, autorët ukrainas kanë fituar qasje në një treg relativisht të vështirë të librit në Shtetet e Bashkuara, thotë Oleh Kotsyuba nga Instituti i Studimit të Çështjeve Ukrainase në Universitetin e Harvardit.

"Së pari, deri vonë njerëzit dinin shumë pak për Ukrainën. Ata nuk e dinin se Ukraina ka një kulturë të pasur dhe të larmishme të letërsisë dhe librave. Për më tepër, qeveria ukrainase nuk ka bërë shumë për të popullarizuar shkrimtarët dhe letërsinë ukrainase. Vetëm kohët e fundit është bërë punë për ta ndryshuar këtë”, thotë ai.

Nuk është e qartë nëse popullariteti i autorëve ukrainas është në nivel të ngjashëm edhe jashtë qendrës diplomatike dhe politike të Uashingtonit, por të paktën këtu, amerikanët duan të dinë më shumë për vendin që vazhdon të sfidojë agresionin rus./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat